A je veshur për dasëm apo për varrim?

Në qoftë se ju jeni ringjallur me Krishtin, kërkoni ato që janë lart, ku Krishti është ulur në të djathtë të Perëndisë. Kini në mend gjërat që janë atje lart, jo ato që janë mbi tokë, sepse ju keni vdekur dhe jeta juaj është fshehur bashkë me Krishtin në Perëndinë. Kur të shfaqet Krishti, jeta jonë, atëherë edhe ju do të shfaqeni në lavdi bashkë me të. Bëni, pra, të vdesin gjymtyrët tuaja që janë mbi tokë: kurvërinë, ndyrësinë, pasionet, dëshirat e këqija dhe lakminë, që është idhujtari; për këto gjëra zemërimi i Perëndisë vjen përmbi bijtë e mosbindjes, midis të cilëve dikur ecët edhe ju, kur rronit në to. Por tani hiqni edhe ju të gjitha këto gjëra: zemërim, zemëratë, ligësi, e mos të dalë sharje e asnjë e folur e pandershme nga goja juaj. Mos gënjeni njeri tjetrin, sepse ju e zhveshët njeriun e vjetër me veprat e tij, edhe veshët njeriun e ri, që përtërihet në njohurinë sipas shëmbullit të atij që e krijoi.” (Kolosianëve 3:1-10).        

Parathënie

Mënyra se si vishemi iu tregon të tjerëve se ç’tip njeriu jemi. Po qe se vishemi shkel e shko, ka shumë të ngjarë që edhe jeta jonë të jetë e çrregullt. Veshja na tregon gjithashtu edhe interesat e personit, p.sh. një tifoz futbolli vesh rroba me ngjyrat e skuadrës së tij. Njerëzit, që vdesin, vishen me rrobat e varrit, kurse ata, që martohen, me rrobat e dasmës. Po ne, si jemi të veshur?

Ç’kemi veshur?

Si besimtarë të rilindur, me besim tek Bibla, ne duhet të jemi të zbukuruar me jetë të re. Na duhet “të ecim në risinë e jetës” (Romakëve 6:4). Siç e thotë edhe Pali, në hyrje të këtij studimi, në jetën e re mund të ecim vetëm, nëse i kemi hedhur tej rrobat e vdekjes dhe kemi veshur ato rroba, që na ka siguruar vetë Krishti – rroba të përshtatshme për ata, që janë me të vërtetë të shpëtuar. Kjo është njëlloj sikur të vishemi me vetë Krishtin. “Por vishuni me Zotin Jezu Krisht dhe mos tregoni kujdes për mishin, që t’ia kënaqni lakmitë” (Romakëve 13:14). Fjala “mish” këtu ka kuptimin e “natyrës mëkatare, që kishim, para se të shpëtoheshim” (komentim i marrë prej versionit të Biblës të përkthyer prej autorëve Xhejmisën, Foset dhe Braun).

Rrobat e varrit

Të shpëtuarit (besimtarët) kanë për të marrë pjesë në gostinë e dasmës së Krishtit. “Lum ata që janë ftuar në gostinë e dasmës së Qengjit” (Zbulesa 19:9). Prandaj, pra, besimtarët nuk duhet të veshin rroba, sikur po shkojnë në varrim. Rrobat e varrit janë jeta, sjellja dhe veprimet e jetës sonë të vjetër, para se të vinim tek Krishti. Pali na e bën të qartë se, që në momentin kur u shpëtuam, e hodhëm tej jetën e vjetër. Problemi qëndron këtu se, nganjëherë na pëlqen të çlodhemi, të veshur me rrobat e vjetra dhe kjo, fatkeqësisht, është e vërtetë edhe nga ana shpirtërore. Duhet t’i hedhim poshtë, njëherë e përgjithmonë, të gjitha ato gjëra, që dikur ishin karakteristikë e jetës sonë të mëparshme, me qëllim që të mos kemi asnjë mundësi për t’u kthyer prapë tek to.

Jeta e vjetër ka për t’u shkatërruar, ndaj edhe kur vishemi me rrobat e saj, e bëjmë të pavlefshme ftesën tonë për në Gostinë e Dasmës. “Atëherë mbreti hyri për të parë të ftuarit dhe gjeti aty një njeri që nuk kishte veshur rrobë dasme; dhe i tha: “Mik, si hyre këtu pa pasur rrobë dasme?”. Dhe ai mbylli gojën. Atëherë mbreti u tha shërbëtorëve: “Lidheni duar dhe këmbë, kapeni dhe hidheni në errësirat e jashtme. Atje do të jetë e qara dhe kërcëllim dhëmbësh”. Sepse shumë janë të thirrur, por pak janë të zgjedhur” (Mateu 22:11-14). E shohim, pra, se sa e domosdoshme është, që të veshim ato rroba, që Zoti ka siguruar për të “thirrurit”, sepse vetëm në këtë mënyrë, ata do të “zgjidhen”.

Rrobat e dasmës

Që të zhvisheni, për sa i takon sjelljes së mëparshme, nga njeriu i vjetër që korruptohet me anë të lakmive të gënjeshtrës, dhe të përtëriteni në frymën e mendjes suaj dhe të visheni me njeriun e ri, të krijuar sipas Perëndisë në drejtësinë dhe shenjtërinë e së vërtetës” (Efesianëve 4:22-24).

Çdo ditë, duhet të veshim rrobat e reja, derisa Krishti të na thërrasë në praninë e Tij. Këto rroba, të përgatitura nga vetë Zoti, mbajnë mbishkrimin e Tij mbi kraharor: “Drejtësi dhe shenjtëri e së vërtetës”. Kjo do të thotë se nuk jemi të veshur si bota. “Njeriu i ri ka zemër të re, mendime të reja, jetë të re. Kjo jetë është e rilindur në njohuri, d.m.th. njohuria e njeriut të ri për Krishtin është gjithnjë e në rritje, duke i ngjarë gjithnjë e më shumë imazhit të Tij” (marrë nga komentimi popullor i Dhiatës së Re).

Dhe mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë” (Romakëve 12:2)… “Si bij të bindur, mos iu përshtatni lakmive të mëparshme kur ishit në padijen tuaj, por ashtu si është i shenjtë ai që ju thirri, të jini edhe ju të shenjtë në gjithë sjelljen tuaj, sepse është shkruar: “Jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë” (1 Pjetrit 1:14-16). Kjo është vepra e Frymës së Shenjtë në jetën tonë. Kjo është fuqia e përditshme transformuese e Tij – shenjtërimi ynë praktik.

Përfundim

A jemi të veshur akoma me leckat e varrit, apo jemi të zbukuruar me rrobat e dasmës, që na ka dhënë Krishti? A tregon sjellja jonë e përditshme se i jemi besnikë Zotit dhe se jemi me të vërtetë një krijesë e re? “Prandaj nëse dikush është në Krishtin, ai është një krijesë e re; gjërat e vjetra kanë shkuar; ja, të gjitha gjërat u bënë të reja” (2 Korintasve 5:17). Nuk mund të shpresojmë se do të hyjmë në Parajsë, nëse nuk i kemi hequr rrobat e mëkatit. “Të gjitha veprat tona të drejtësisë janë si një rrobe e ndotur” (Isaia 64:6). Kështu pra, po të shkojmë në Gostinë e Dasmës së Zotit të veshur me rrobat tona të vjetra, atëherë kemi shkuar në varrimin tonë!

Mbrapa