A ka shërim në shlyerjen e fajit?

“Beko, shpirti im, Zotin, dhe të gjitha ato që janë tek unë të bekojnë emrin e tij të shenjtë. Beko, shpirti im, Zotin dhe mos harro asnjë nga të mirat që ka bërë. Ai fal të gjitha paudhësitë e tua dhe shëron të gjitha sëmundjet e tua, shpengon jetën tënde nga shkatërrimi dhe të kurorëzon me mirësi dhe dhembshuri; ai ngop me të mira gojën tënde dhe të bën të ri si shqiponja” (Psalmi 103:1-5).

Parathënie
Shoqatat e ashtu-quajtura ‘shëruese’ kanë biznesin e tyre të madh në kishë. Duket sikur Tetzeli po premton përsëri çlirim, kësaj rradhe jo nga zjarri i purgatorit, por çlirim prej sëmundjes, n.q.s. hidhet sasia e mjaftueshme e parave në xhepat e shoqatës. Bekimi i shërimit shpesh keqinterpretohet, ndaj është e rëndësishme të kuptojmë se ç’thotë Bibla lidhur me këtë temë, dhe të shohim nëse shërimi është apo jo pjesë e shlyerjes së fajit. 

A mund të shërohen të gjithë?
Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, duhet të bëjmë edhe dy pyetje të tjera: “A mund të shpëtohen të gjithë?” Përgjigja pa dyshim është ‘po’, sepse Perëndia “nuk do që ndokush të humbasë, por që të gjithë të vijnë në pendim” (2 Pjetrit 3:9). Nëse kjo është e vërtetë, pse atëherë nuk shpëtohen të gjithë njerëzit? Nëse është vullneti i Perëndisë që të gjithë të shpëtohen, atëherë problemi duhet të qëndrojë tek vullneti i njeriut, “Por ju nuk doni të vini tek unë që të keni jetën” (Gjoni 5:40). Thelbi i kësaj çështjeje qëndron tek besimi personal në Krishtin, “Edhe pa besim është e pamundur t’i pëlqesh Atij, sepse ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se Perëndia është, dhe se është shpërblenjësi i atyre që e kërkojnë atë” (Hebrenjve 11:6). Jobesimtarët dhe ata që janë me dy mendje nuk marrin asgjë nga Perëndia (Jakobi 1:7). Kur bëjmë të njëjtat pyetje lidhur me shërimin, duhet të arrijmë në të njëjtat përfundime. 

Në këtë studim, do përpiqemi të vërtetojmë se shpëtimi dhe shërimi janë pjesë e shlyerjes së fajit. Fakti se pak veta vijnë tek Krishti (për shpëtim), nuk e nënvlerëson shpëtimin që arrihet përmes gjakut të Tij. I njëjti arsyetim është i vërtetë edhe lidhur me shërimin.

Deklaruar në mënyrë profetike
Profeti Isaia foli në mënyrë profetike lidhur me sigurinë e shërimit në shlyerjen e fajit: “Megjithatë ai mbante sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona; por ne e konsideronim të goditur, të rrahur nga Perëndia dhe të përulur” (Isaia 53:4). Ky tekst bën fjalë kryesisht për shpëtimin, por ka lidhje gjithashtu edhe me shërimin fizik. Në ungjillin e tij, Mateu e përkthen këtë varg në këtë mënyrë: “Dhe kur u ngrys, i sollën shumë të pushtuar nga demonë; dhe ai, me fjalë, i dëboi frymërat dhe i shëroi të gjithë të sëmurët, që kështu të përmbushej fjala e profetit Isaia kur tha: “Ai i mori lëngatat tona dhe i mbarti sëmundjet tona” (Mateu 8:16-17).

Shërimi, pjesë e shlyerjes së fajit
Kur Jezusi u kritikua nga shkribët ngaqë tha se Ai ishte në gjendje të falte mëkatet, Ai u përgjigj: “Pse i mendoni këto gjëra në zemrat tuaja? Çfarë është më lehtë: t’i thuash të paralizuarit: “Mëkatet e tua të janë falur,” apo t’i thuash: “Çohu, merre vigun tënd dhe ec”? (Mateu 2:8-9). Dhe më tej Ai e vërtetoi se kishte fuqinë për t’i bërë të dyja këto gjëra: “Dhe tani, që ta dini se Biri i njeriut ka pushtet të falë mëkatët mbi dhe, unë po të them (i tha të paralizuarit): Çohu, merre vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde!””. Dhe ai u ngrit menjëherë, mori vigun e vet dhe doli përjashta në praninë e të gjithëve dhe kështu të gjithë u habitën dhe lëvduan Perëndinë duke thënë: “Një gjë të tillë s’e kemi parë kurrë!”. Ka ende nga ata që nuk arrijnë ta kuptojnë se Jezusi mund të shpëtojë dhe të shërojë. Kur Ai arrin të bëjë punën e madhe të shpëtimit, pse nuk e pranojmë se Ai mund të bëjë edhe punën më të vogël të shërimit? 

Duhet ta vëmë re se Jezusi nuk vdiq mbi kryq për të shëruar sëmundjet. Po të ishte kështu, atëherë të gjithë ata që vijnë për t’u shpëtuar, duhet të shërohen menjëherë. E megjithatë shërimi është pjesë e punës faj-shlyerëse të Krishtit, sepse shlyerja e fajit rrjedh si nga jeta, ashtu edhe nga vdekja e Tij. “…me vurratat e tij ju u shëruat” (1 Pjetrit 2:24). Ky tekst ka të bëjë me mëkatin, jo me shërimin fizik, siç e tregon edhe i gjithë vargu 24. Shërimi i trupit ka ardhur gjithmonë si një ndërhyrje e mëshirës dhe hirit të Perëndisë. 

Kisha dhe sëmundjet
Të krishterët nuk janë të imunizuar ndaj sëmundjeve, sepse ata jetojnë në një botë të zhytur në mëkat (Romakëve 8:18-25). Nuk është gabim të marrësh ilaçe, apo të bëhesh operacion, kur sëmuresh, sepse shumica e sëmundjeve vijnë si rezultat i të jetuarit në një botë mëkatare (1 Timoteut 5:23). Autorja e shquar e hymneve, Fani Krosbi, ishte e verbër, por kurrë nuk e hodhi poshtë besimin tek Krishti, sepse ajo e kishte kuptuar se verbëria nuk ishte si rezultat i mëkatit të saj. Ja si shkruan ajo:

Ç’shpirt të lumtur kam!
Edhe pse nuk shoh,
E kam vendosur që në këtë botë
Do të jem e kënaqur.

Sa shumë bekime marr,
Bekime që të tjerët s’i kanë!
Nuk mund të qaj dhe nuk do të qaj,
Sepse jam e verbër. 

Sëmundjet nuk vijnë që të gjitha nga Satanai, dhe nuk janë që të gjitha në kundërshtim me vullnetin e Perëndisë. Sepse po të ishte kështu, atëherë nuk do të kishte asnjë disiplinim hyjnor për fëmijët e Perëndisë. Vargje të tilla si p.sh. Ligji i Përtërirë 32:39; 7:15; 28:60; 30:19-20; 32:45 dhe Eksodi 15:26 na mësojnë se Perëndia i lëndon njerëzit për t’i disiplinuar, edhe pse Ai nuk ka dëshirë ta bëjë një gjë të tillë. Në mes të besimtarëve, disa sëmundje shkaktohen si pasojë e mëkatit të vazhdueshëm dhe të vullnetshëm të vetë personit të sëmurë (Psalmi 38:3). 1 Korintasve 11:30 na sjell në mendje faktin se marrja e darkës së Zotit padenjësisht mund të sjellë sëmundje dhe madje edhe vdekje. Prandaj Jakobi shkruan : “A është i sëmurë ndonjë nga ju? Le të thërrasë pleqtë e kishës dhe ata të luten përmbi të, dhe le ta lyejnë me vaj në emër të Zotit, dhe lutja e besimit do ta shpëtojë të sëmurin dhe Zoti do ta mëkëmbë; dhe nëse ka bërë mëkate, ato do t’i falen. Rrëfeni fajet njeri tjetrit dhe lutuni për njeri tjetrin, që të shëroheni; shumë fuqi ka lutja e të drejtit kur bëhet me gjithë shpirt” (Jakobi 5:14-16). Fakti qëndron këtu: shumica e të krishterëve thërrasin doktorin para se t’i thërrasin Zotit për shërim! 

Perëndia nuk ka ndryshuar
“Në qoftë se ti dëgjon me vëmëndje zërin e Zotit, Perëndisë tënd, dhe bën atë që është e drejtë në sytë e tij dhe dëgjon urdhërimet e tij dhe respekton tërë ligjet e tij, unë nuk do të jap asnjë nga ato sëmundje që u kam dhënë Egjiptasve, sepse unë jam Zoti që të shëron” (Eksodi 15:26). Askush nga ata që vijnë tek Krishti për ndihmë, nuk kthehet mbrapsht. Si shpëtimi, ashtu edhe shërimi janë gati për ata që vijnë me besim. Kur punët nuk shkojnë mirë, jemi ne ata që kemi ndryshuar, jo Perëndia (Hebrenjve 13:8). 

Nuk i dimë të gjitha detajet se përse disa veta nuk shërohen, ashtu siç nuk e dimë se çfarë i pengon të afërmit dhe miqtë tanë që ta pranojnë Krishtin. Por e besojmë se problemi qëndron me njeriun dhe me këtë botë mëkatare, jo me Perëndinë. 

Përfundim
Gjatë gjithë historisë biblike, shohim se si Perëndia i ka shpëtuar dhe shëruar njerëzit. E besojmë se Ai është po aq i zoti sot për të shëruar, ashtu siç ishte edhe në të kaluarën. Duhet t’i përulemi vullnetit të Tij, si kur jemi mirë me shëndet, ashtu edhe kur jemi të sëmurë.

Mbrapa

Advertisements