A nuk ka arsye?

Njerëzit iu përgjegjën me po ato fjalë, duke thënë: “Kështu do të bëhet me atë që do ta vrasë”. Eliabi, vëllai i tij më i madh, e dëgjoi ndërsa fliste me ata njerëz; kështu Eliabi u zemërua me Davidin dhe tha: “Pse erdhe këtu? Kujt ia le ato pak dele në shkretëtirë? Unë e njoh krenarinë tënde dhe ligësinë e zemrës sate, ke zbritur këtu për të parë betejën?”. Davidi u përgjegj: “Ç’kam bërë unë tani? Nuk ishte veçse një pyetje e thjeshtë!” (1 Samuelit 17:27-29).

Parathënie

Eliabi e keqkuptoi Davidin dhe, si pasojë, nxorri konkluzion të gabuar rreth ardhjes së tij në kamp. A do ta kishte qortuar, vallë, Eliabi vëllanë e vet, po ta dinte se i ati, Isai, e kishte dërguar, për të parë si po shkonin punët?

Gjykim i gabuar

Është për t’u theksuar fakti se Davidi, kur i bën një pyetje Eliabit, përdor fjalën “tani”. Me këtë nënkuptojmë se kishte patur edhe raste të tjera, kur vëllezërit e ngacmonin Davidin pa të drejtë. Eliabi nuk e kishte gjykuar mirë arsyen e ardhjes së Davidit kaq afër fushës së betejës dhe, si rrjedhim, ai nxorri si konkluzion se Davidi ishte një djalë krenar dhe i prapë. Por, në të vërtetë, Davidi po tregohej i bindshëm, i ndërgjegjshëm dhe trim. Eliabi kurrë nuk tha një fjalë të mirë për vëllanë e vet. Përkundrazi, ai u tregua i ashpër, i pamëshirshëm dhe i marrë.

Me këtë fakt nënkuptojmë se ka shumë të ngjarë që Eliabi, djali i madh i Isait, ta ketë pasur zili Davidin, ngaqë ai u vajos dhe u nderua prej Samuelit. Nuk duhet ta harrojmë se Eliabi e dinte se Zoti e kishte hedhur poshtë atë si mbret, ngaqë Samueli nuk e zgjodhi për ta vajosur. “A e shihni, pra, marrëzinë dhe ligësinë e zilisë? Xhelozitë e saj janë të padrejta, pa bazë. Zoti na mbroftë prej një shpirti të tillë ziliqar!” (nga Gjon Uesli). Është e mundur, gjithashtu, që, si ushtar që ishte, Eliabit i vinte turp, se kishte frikë prej Goliathit. Për këtë arsye, pyetjet dhe fjalët kurajoze të Davidit do t’i kenë rënë atij si bombë. Iu kundërvu vëllait të tij, por, kur erdhi koha për t’iu kundërvënë sharjeve të armikut, Eliabi qëndroi i heshtur. Ç’do të kishte ndodhur, po qe se Davidi do të ishte kthyer mbrapsht atë ditë?

Çdo shërbëtor besnik i Krishtit më shumë do të kritikohet, sesa do të lavdërohet. Në fakt, duhet t’i hedhim mirë një sy vetes, kur na lavdërojnë të tjerët. “Mjerë ju, kur të gjithë njerëzit do të flasin mirë për ju, sepse në të njëjtën mënyrë vepruan etërit e tyre me profetët e rremë” (Luka 6:26). Satanai sulmon ato organizata, ato kisha dhe ata pastorë, të cilët i bëhen më shumë pengesë punës së tij. Na quajnë ‘fanatikë të fesë’, kur dëshirojmë të jetojmë një jetë, që i përkushtohet Perëndisë. Na akuzojnë se jemi farisenj mendjemëdhenj, po të themi se Krishti na ka shpëtuar prej mëkatit dhe dëshirave mishore. S’është për t’u habitur, pra, se Satanai njihet me emrin “paditësi i vëllezërve tanë” (Zbulesa 12:10).

Të hedhurit poshtë

Abeli u hodh poshtë prej Kainit dhe më pas, u vra prej tij. (Zanafilla 4:1-16). Jozefi u hodh poshtë prej vëllezërve të tij, të cilët më pas e shitën atë si skllav (Zanafilla 37). Edhe Jezusi u hodh poshtë prej vëllezërve të tij: “Në fakt as vëllezërit e tij nuk besonin në të” (Gjoni 7:5). Zoti na thotë se kështu ka për të ndodhur gjithmonë ndaj atyre, që i besojnë Atij. “Dhe armiqtë e njeriut do të jenë ata të shtëpisë së vet” (Mateu 10:36). Sa mirë që kemi “një mik që është më i lidhur se një vëlla” (Fjalët e Urta 18:24). “Atyre, që bëjnë punë publike, nuk duhet t’iu vijë çudi, kur shohin se ata, të cilët duhet t’iu japin më shumë ndihmë, ata janë të parët, që iu kundërvihen. Njerëz të tillë duhet të vazhdojnë të merren me punën e tyre, pavarësisht nga kërcënimet e armikut, apo nga dyshimet dhe provokimet e miqve” (nga Gjon Uesli).

Përfundim

Ishte një arsye pse Davidi ishte aty, në fushën e betejës, edhe pse vëllezërit e tij nuk e dinin se ç’ishte kjo arsye. Ishte një arsye pse ai foli dhe ç’fjalë tha. Perëndia e kishte një plan dhe ky plan i Tij po bëhej realitet, nëpërmjet një djali bari. Ky plan do të kishte ndikim në jetën e çdo burri, gruaje dhe fëmije, deri në mbylljen e historisë botërore, si edhe më pas, gjatë gjithë përjetësisë. Edhe pse po ecte në Frymën e Perëndisë, Davidi, në ato momente, nuk i dinte dot të gjitha detajet e planit të Perëndisë, por ne sot e shohim se Ai po vepronte mbrapa skenës. “Duke bërë të njohur tek ne misterin e vullnetit të tij sipas pëlqimit të tij, që ai e kish përcaktuar me veten e tij, që, kur të plotësoheshin kohërat, t’i sillte në një krye të vetëm, në Krishtin, të gjitha gjërat, ato që janë në qiejt dhe ato që janë mbi dhe. Në të edhe kemi qenë zgjedhur për një trashëgimi, duke qenë të paracaktuar sipas vendimit të atij që vepron të gjitha sipas këshillës së vullnetit të tij, që ne të jemi për lëvdim të lavdisë së tij, ne që shpresuam qysh më parë në Krishtin. Në të edhe ju, pasi e dëgjuat fjalën e së vërtetës, ungjillin e shpëtimit tuaj, dhe pasi besuat, u vulosët me Frymën e Shenjtë të premtimit, i cili është kapari i trashëgimisë tonë, për shpengimin e plotë të zotërimit të blerë, për lëvdim të lavdisë së tij” (Efesianëve 1:9-14)… “Sipas qëllimit të përjetshëm që ai kreu në Krishtin Jezus, Zotin tonë” (Efesianëve 3:11).

Mbrapa

Advertisements