Adonijahu mendjemadh

“Adonijahut, birit të Hagithit, i qe rritur mendja, dhe thoshte: “Do të jem unë mbret!”. Dhe gjeti qerre, kalorës dhe pesëdhjetë njerëz që të vraponin para tij. (I ati i tij nuk e kishte qortuar kurrë në jetën e tij, duke i thënë: “Pse bën kështu?”. Edhe Adonijahu ishte shumë i bukur dhe kishte lindur mbas Absalomit). Ai u mor vesh me Joabin, birin e Tserujahut, dhe me priftin Abiathar, të cilët i vajtën pas Adonijahut dhe e ndihmuan. Por prifti Tsadok, Benajathi, bir i Jehojadit, profeti Nathan, Shimei, Rei dhe trimat e Davidit nuk ishin me Adonijahun. Adonijahu flijoi dele, qe dhe viça të majmë pranë shkëmbit të Zoheletit, që ndodhet afër kroit të Rogelit dhe ftoi të gjithë vëllezërit e tij, bij të mbretit, dhe të gjithë njerëzit e Judës që ishin në shërbim të mbretit. Por nuk ftoi profetin Nathan, as Banajahun, as trimat, as Salomonin, vëllanë e tij” (1 Mbretërve 1:5-10).

Parathënie   

Davidi akoma nuk e kishte vendosur se kush do t’ia zinte vendin atij si mbret në Izrael, ndaj edhe ndoshta Adonijahu, i cili ishte në atë kohë biri më i madh i Davidit, vendosi që ta shpallte veten si mbret, madje edhe para se t’i vdiste i ati. Ky ishte një veprim i ligë kundra Davidit, por mund të konsiderohet gjithashtu edhe si një përpjekje satanike për ta shkatërruar familjen e Mesias.  

Ngritja e vetes në pozitë

Siç e pamë edhe në studimin e kaluar, Davidi ishte në prag të vdekjes. I biri, Adonijahu, duke përfituar nga rasti, e ngriti veten në pozitën e mbretit. Kujtonte se ishte një kandidat, që e meritonte një pozitë të tillë, por në fakt, nuk u këshillua fare me Perëndinë. Adonijahu, ashtu si edhe Absalomi përpara tij, nuk kishte fare respekt për të atin, por qe gati ta ulte veten aq poshtë, saqë ishte në gjendje të kryente mëkate të tmerrshme, për të përfituar për vete. Po të ishte bërë vërtet mbret, Adonijahu do ta kishte shkelur popullin me këmbë, duke iu treguar kështu të gjithëve se vetëm ai ishte në kontroll të gjithçkaje.

Adonijahu, jo vetëm që e zuri fronin mbretëror në mënyrë ilegale, por edhe bëri një parakalim para të gjithëve. Ashtu si edhe Absalomi, ai donte të jepte një spektakël, për ta deklaruar veten si mbret. Kaq shpejt e kishte harruar se ç’kishte ndodhur më parë? (2 Samuelit 15:1). Nuk e dinte, vallë, se një mendjemadhësi dhe arrogancë e tillë do t’i sillte zemërimin e Perëndisë? Adonijahun e kishte verbuar krenaria. Nuk i dukej se e kishte gabim, sidomos kur i shkonin pas turmat e njerëzve. Salomoni me të drejtë thotë: “Përpara shkatërrimit vjen kryelartësia dhe përpara rrëzimit fryma krenare” (Fjalët e Urta 16:18). Krenaria gjithmonë shkakton probleme. “Nga krenaria rrjedhin vetëm grindjet” (Fjalët e Urta 13:10). Mesa duket, njerëzit e konsideronin Adonijahun të bukur. “Ndaj edhe i qe rritur mendja, sepse bukuria që kishte e bëri që ta pëlqenin të tjerët” (Gjon Uesli). Adonijahu e shihte veten si shumë të rëndësishëm, duke besuar se ishte hero në sytë e popullit. Por ajo që ka më shumë rëndësi është fakti se si na sheh ne Perëndia, jo se si na shohin të tjerët.

Egoizmi

Adonijahu i ngjante një djali të llastuar prej prindërve të vet, të cilët gjithmonë i kishin dhënë atij atë që i donte qejfi. Ai ishte i biri i Hagithit, gruas së katërt të Davidit (2 Samuelit 3:4) dhe mes grave të mbretit dhe fëmijëve të tyre kishte patur gjithmonë konkurencë se kush ishte gruaja e vërtetë, apo kush ishte trashëgimtari i vërtetë mes tyre. Është për të të ardhur keq, kur lexojmë se Davidi s’e kishte qortuar kurrë Adonijahun. Kjo na tregon se ky djalë i kishte shkaktuar probleme të atit edhe në të kaluarën, por asnjëri prej të dy prindërve nuk e kishte disiplinuar siç duhej. Mateo Henri shkruan kështu: “Fëmijët që nuk qortohen, bëhen mendjemëdhenj, me plot ambicjone mëkatare”. Mungesa e qortimit, pra, nga ana e Davidit, do t’i sillte atij shumë probleme në të ardhmen.

Përkrahësit

Adonijahu u përkrah prej Joabit, komandantit të ushtrisë së Izraelit, si edhe prej priftit Abiathar. Këta burra i kishin shkuar pas Davidit që nga fillimi, ndaj edhe një tradhti e tillë ishte vërtet mëkat. Nuk e dimë pse vepruan kështu. Nuk e kishin përkrahur Absalomin, por pse po e përkrahnin Adonijahun? Pavarësisht se ç’arsye mund të kishin patur, një veprim i tillë kundra Davidit tregonte mungesë besnikërie nga ana e tyre. Ka të ngjarë që këta tre burra ta kenë ditur se Salomoni do të bëhej mbret. Në Bibël nuk na thuhet se Davidi iua kishte shpallur hapur të tjerëve dëshirën e tij për ta kurorëzuar Salomonin si mbret të ardhshëm, por fakti që Salomoni nuk ishte ftuar në gostinë e Adonijahut, na tregon se të gjithë e dinin se ç’mendonte Davidi për të. Ndoshta Davidi iu kishte treguar të tjerëve atë që i kishte thënë Perëndia, para se të lindte Salomoni. “Por ja, do të të lindë një djalë, që do të jetë paqedashës dhe unë do ta lë të shlodhet nga ana e të gjithë armiqve të tij që ndodhen rreth e qark. Ai do të quhet Salomon dhe gjatë ditëve të tij do t’i siguroj paqe dhe qetësi Izraelit. Ai do të ndërtojë një shtëpi në emrin tim; ai do të jetë për mua një djalë dhe unë do të jem për të një baba; dhe do ta bëj të qëndrueshëm për gjithnjë fronin e mbretërisë së tij mbi Izraelin” (1 Kronikasve 22:9-10). Adonijahu më vonë e pranoi se e dinte se Salomoni do të bëhej mbret pas Davidit. “Kështu ai tha: “Ti e di që mbretëria më takonte mua dhe që tërë Izraeli priste që unë të mbretëroja. Por mbretëria m’u hoq dhe kaloi në duart e vëllait tim, sepse atij ia dha Zoti” (1 Mbretërve 2:15). Përsa i përket Abiatharit, mesa duket një prift tjetër me emrin Tsadok po bëhej më i famshëm sesa ai. Abiathari e dinte mirë profecinë lidhur me Salomonin, por vendosi që të vepronte në kundërshtim me vullnetin e Perëndisë.

Secili prej këtyre burrave kishte ç’të përfitonte, duke e përkrahur Adonijahun. Të tre ishin mendjemëdhenj dhe donin ta ngrinin veten në pozitë, por më në fund, do të turpëroheshin pa masë. Është për t’u theksuar fakti se Abiathari vinte nga familja e Elit, pasardhësit e së cilit ishin të mallkuar. “Kështu Salomoni largoi Abiatharin nga funksioni i priftit të Zotit me qëllim që të shkonte në vend fjala që Zoti kishte shqiptuar lidhur me shtëpinë e Elit në Shiloh” (1 Mbretërve 2:27)… “Po i deklaroj që jam bërë gati të ndëshkoj shtëpinë e tij për gjithnjë, për shkak të paudhësisë që e karakterizon, sepse bijtë e tij janë bërë të neveritshëm dhe ai nuk i ka frenuar. Prandaj unë i betohem shtëpisë së Elit që paudhësia e shtëpisë së Elit nuk do të shlyhet kurrë me flijime dhe me blatime” (1 Samuelit 3:13-14).

Djemtë e tjerë të Davidit, si edhe shumë prej pleqve të Judës morën pjesë në ceremoninë e kurorëzimit të Adonijahut. Por Salomoni, të cilin nuk e kishin ftuar, profeti Nathan, Banajahu dhe trimat e Davidit nuk shkuan për të festuar me ta në Enrogel.

Flijimi

Duke marrë parasysh ato që thamë më lart, e shohim, pra, se sa ofenduese do të ketë qenë për Perëndinë përpjekja e Adonijahut për t’i bërë që të duken më shpirtërore veprimet e tij të liga. Ashtu si edhe Absalomi, Adonijahu ishte gati t’i llustronte veprimet e tij me llakun fetar, në mënyrë që të bënte edhe më shumë njerëz për vete. Donte që të gjithë ta konsideronin si një njeri të mirë, të drejtë e të ndershëm, por kjo nuk ishte aspak e vërtetë. Zgjodhi kroin e Enrogelit në Luginën e Kidronit si vendin, ku do të ofrohej flijimi për Zotin. Enrogeli ndodhej shumë afër Jeruzalemit dhe, pa dyshim, zhurma e festës do të dëgjohej prej banorëve të qytetit. Ky flijim ka të ngjarë të ketë qenë i një natyre fetare, sepse prifti Abiathar ishte aty, gati për të kryer ritet e nevojshme. “Disa mendojnë se Adonijahu i theri delet, qetë dhe viçat e majmë si ofertë për Perëndinë. Kjo ishte, pra, një festë fetare, për t’iu treguar të gjithëve se ai po e fillonte mbretërimin e tij me një përkushtim dhe betim ndaj Zotit, ashtu siç kishte vepruar dikur edhe Absalomi (2 Samuelit 15:7). Prandaj edhe e kishte marrë me vete kryepriftin si krahun e tij të djathtë” (Mateo Henri).

Përfundim   

Adonijahu dhe përkrahësit e tij nuk e dinin se festa e tyre nuk do të zgjaste shumë. Ai vetë nuk kishte fare arsye pse të tregohej kaq i ligë ndaj Perëndisë dhe ndaj Davidit. E dinte se ajo që po bënte ishte mëkat, por prapëseprapë vendosi që ta shfaqte hapur urrejtjen e tij. “Mos lejoni që rebelët të ngrenë krye”, sepse përndryshe ata kanë për t’u mundur (Psalmi 66:7).

Mbrapa

Advertisements