Agresjoni i Ahithofelit

“Pastaj Ahithefeli i tha Absalomit: “Lermë të zgjedh dymbëdhjetë mijë njerëz, dhe të nisem që sonte e ta ndjek Davidin; duke e sulmuar sa është i lodhur dhe i dobët; do ta tremb dhe gjithë njerëzit që janë me të do të ikin; kështu do të mund të godas vetëm mbretin, dhe tërë popullin do ta kthej te ti. Vdekja e njeriut që ti kërkon do të favorizojë kthimin e të gjithëve; kështu tërë populli do të jetë në paqe”. Ky propozim u pëlqeu Absalomit dhe të gjithë pleqve të Izraelit. Megjithatë Absalomi tha: “Thirrni edhe Arkitin Hushai dhe të dëgjojmë çfarë ka për të thënë për këtë çështje”. Kur Hushai erdhi tek Absalomi, ky i tha: “Ahithofeli ka folur në këtë mënyrë; a duhet të veprojmë si ka thënë ai? Përndryshe, bëj një propozim ti!”. Hushai iu përgjigj Absalomit: “Këtë radhë këshilla e dhënë nga Ahithofeli nuk është e mirë”. Hushai shtoi: “Ti e njeh atin tënd dhe njerëzit e tij që janë trima dhe të egërsuar në kulm, si një arushë në fushë së cilës ia kanë marrë këlyshët; përveç kësaj ati yt është një luftëtar dhe nuk ka për ta kaluar natën me popullin. Me siguri në këtë orë ai është fshehur në ndonjë vrimë ose në ndonjë vend tjetër; në qoftë se në fillim do të hidhet mbi disa nga njerëzit e tu, kushdo që do ta mësojë ka për të thënë: “Midis njerëzve që ndiqnin Absalomin ndodhi një masakër”. Atëherë edhe më trimi, edhe sikur të kishte zemër luani, do të dëshpërohej shumë, sepse tërë Izraeli e di që yt atë është trim dhe që njerëzit që e shoqërojnë janë trima. Prandaj këshilloj që i tërë Izraeli nga Dani deri në Beer-Sheba të mblidhet rreth teje, i shumtë si rëra që ndodhet në bregun e detit, dhe që ti të marrësh pjesë personalisht në betejë. Kështu do ta arrijmë në çdo vend që të ndodhet dhe do të biem mbi të ashtu si vesa bie mbi tokë; dhe nga gjithë njerëzit që janë me të nuk ka për të shpëtuar as edhe një. Në rast se tërhiqet në ndonjë qytet, tërë Izraeli do t’i çojë litarë atij qyteti dhe ne do ta tërheqim në përrua, deri sa aty të mos mbetet asnjë gur”. Absalomi dhe tërë njerëzit e Izraelit thanë: “Këshilla e Arkitit Hushai është më e mirë se ajo e Ahithofelit”. Në të vërtetë Zoti kishte vendosur ta bënte të kotë këshillën e mirë të Ahithofelit për të shkatërruar Absalomin” (2 Samuelit 17:1-14).

Parathënie

Si Absalomi, ashtu edhe Ahithofeli donin ta hiqin qafe Davidin, por edhe pse Absalomi e pranoi këshillën e kryekëshillarit të tij, ai dëshironte gjithashtu edhe miratimin e Hushait. Do ta shohim se si Zoti e përdori këshillën e Hushait, për ta shkatërruar këshillën e Ahithofelit, duke e mbrojtur kështu Davidin prej Absalomit.

Heroi

Ahithofeli ishte i mbushur me aq shumë inat e urrejtje, saqë ishte bërë si një bishë e egër, e etur për gjak. Në tekstin e mësipërm, e shohim se si ai mendonte vetëm për vete. “Do të bëj këtë e do të bëj atë”. Ky ushtar trim donte të bëhej heroi i Absalomit, por i duheshin edhe 12 mijë ushtarë të tjerë, që ta ndihmonin! Nuk ka dyshim se Ahithofeli donte ta merrte tërë lavdinë për vete, kur ta mundte Davidin. Ja, pra, ku shohim një njeri, që, deri në momentin e vdekjes, ishte i mbushur me smirë e urrejtje, në vend që ta falte personin, që e kishte ofenduar. Krenaria e shkatërroi Ahithofelin e jo armikun e tij.

Ahithofeli ishte gati ta përfundonte një herë e mirë punën, që atë natë. Kishte besim se Davidi nuk e priste një sulm të tillë dhe se ai nuk kishte një numër të mjaftueshëm njerëzish, që ta përkrahnin. E dinte se Davidi ndodhej në një pozicjon të dobët, si nga ana mendore, ashtu edhe nga ajo fizike, i lodhur, për shkak të ngjarjeve, që kishin ndodhur atë ditë. Absalomi nuk e kupton arsyen e vërtetë pse Ahithofeli kërkonte ta vriste Davidin, por ishte gati ta përdorte Ahithofelin si vegël, për t’ia arritur qëllimit të vet. E shohim mirë se ç’po bluante në mendje Ahithofeli, atëherë kur ai premton se nuk ka për prekur asnjeri tjetër, veç Davidit. E siguroi Absalomin se, sapo të vdiste Davidi, të gjithë ata që e ndiqnin, kishin për t’u dorëzuar e për t’u bashkuar me Absalomin.

Ahithofeli besonte se nuk do të kishte paqe në Izrael, përsa kohë që Davidi ishte gjallë. Por, si do të sillte paqe të përjetshme, vallë, vrasja e mbretit të vajosur të Perëndisë? Ai që duhej të vritej, ai që ishte bërë shkaktar i të gjitha këtyre probleme, ishte Absalomi. Por të paktë ishin ata, që e kuptonin këtë fakt. Secili prej pleqve të Izraelit kujtonte se propozimi i Ahithofeli ishte i mrekullueshëm dhe i frymëzuar prej Zotit. Kjo na tregon se sa të ligë ishin këta zyrtarë të sapo-caktuar të qeverisë. Nuk kishin aspak dëshirë për drejtësi, por kërkonin shkatërrimin e atij, që donte drejtësinë. “Edhe kur i shtrëngon dorën një tjetri për një besëlidhje, njeriu i keq nuk do të mbetet i pandëshkuar, por pasardhësit e të drejtëve do të shpëtojnë” (Fjalët e Urta 11:21).

Pengesa

Me sa duket, Hushai nuk ishte i pranishëm në takimin e kabinetit të luftës, por e thirrën, me qëllim që ta miratonte propozimin e Ahithofelit. Perëndia duhet t’ia ketë mbushur mendjen Absalomit, që të dëgjonte edhe një mendim tjetër, sepse, në fillim ai ishte i kënaqur me këshillën e parë, madje ishte gati për ta egzekutuar një këshillë të tillë. Fjalët e Hushait ishin komplet të ndryshme prej atyre, që kishte thënë Ahithofeli.

Hushai tha se këshilla e Ahithofelit nuk ishte e mirë dhe mund ta ngatërronte edhe më shumë problemin, në vend që ta zgjidhte. Sipas Hushait, Davidi, në vend që të ishte dobësuar prej asaj që i kishte ndodhur, do të ishte kthyer në një kafshë të egër, gati për të vrarë cilindo, që t’i afrohej. Kështu që ai e udhëzoi Absalomin, që të vepronte me kujdes, sepse, përveç të tjerave, ai e dinte mirë se i ati ishte një ushtar trim dhe i fuqishëm, i cili nuk mund të mundej dot aq kollaj, saç kujtonte Ahithofeli. Në fakt, Hushai po përpiqej ta pengonte Ahithofelin dhe t’i jepte më shumë kohë Davidit, që të largohej sa më larg Jeruzalemit. Hushai gjithashtu donte ta frikësonte Absalomin, sepse, nëse sulmi që kishte propozuar Ahithofeli, nuk do të shkonte sipas planit, atëherë populli shumë shpejt do ta humbte besimin tek mbreti i ri. Hushai i tha Absalomit se 12 mijë ushtarë nuk mjaftonin për ta kapur Davidin. Atij i duhej një ushtri më e madhe, prej çdo qyteti të Izraelit, me qëllim që lavdia dhe nderi i tij të ishte akoma edhe më i madh. Një këshillë e tillë i shkoi shumë për shtat zemrës krenare të Absalomit. Aii nuk e mori aspak parasysh se sa shumë kohë do t’i duhej për ta grumbulluar e për ta armatosur një ushtri të tillë.

Hushai ia shtjelloi akoma edhe më shumë Absalomit planin e tij, duke e inkurajuar atë, që ta udhëhiqte vetë ushtrinë për në betejë. E dinte se sa mendjemadh dhe fodull ishte Absalomi. Çdo gjë pompoze ia rriste mendjen dhe e çonte gjithnjë e më afër shkatërrimit. Absalomi, që dikur kishte qenë i kënaqur me këshillën e Ahithofelit, tani ishte bërë me krahë prej këshillës së Hushait.   

Përfundim   

Pse nuk i mori Absalomi parasysh pasojat? Ç’ia ndryshoi mendjen, lidhur me këshillën e parë? Arsyet mund të kenë qenë të ndryshme, sepse ai ishte një njeri mendjemadh. Por më kryesorja ishte fakti se Perëndia ia kishte errësuar arsyetimin, me qëllim që Ai ta bënte realitet dështimin e Ahithofelit dhe të Absalomit. Fundi i këshilltarit të ligë ishte pothuajse i menjëhershëm, sepse “kur Ahithofeli pa që këshilla e tij nuk ishte ndjekur, shaloi gomarin dhe shkoi në shtëpinë e vet në qytetin e tij. Vuri në rregull gjërat e shtëpisë dhe vari veten. Kështu vdiq dhe u varros në varrin e të atit” (2 Samuelit 17:23). Ahithofeli do ta ketë kuptuar menjëherë se gjithçkaje tani i kishte ardhur fundi, ngaqë Absalomi kishte pranuar këshillën e Hushait në vend të këshillës së tij. E dinte se tanimë vdekjes së tij dhe të Absalomit i ishte vënë vula dhe se në momentin që do të kthehej Davidi, ai kishte për t’u egzekutuar si tradhtar. U kthye shumë shpejt nga një njeri, që dikur kishte propozuar sulme të befasishme, në një njeri të dobët nga ana mendore, që e pa vetëvrasjen si të vetmen rrugë shpëtimi! “Nuk bëhet luftë me atë Perëndi, që e armatos njeriun, për ta vrarë veten dhe e shkatërron atë me gabimet dhe epshet e veta” (Gjon Uesli). Si përfundim, e shohim se si tradhtari Ahithofel i ngjan tradhtarit Judë. 

Mbrapa

Advertisements