Ah, sa do doja të ishe edhe ti këtu!

Oh, sa të dashura janë banesat e tua, o Zot i ushtrive! Shpirti im dëshiron me zjarr dhe shkrihet për oborret e Zotit; zemra ime dhe mishi im i dërgojnë britma gëzimi Perëndisë të gjallë. Edhe rabecka gjen një shtëpi dhe dallëndyshja një fole, ku të vërë të vegjëlit e saj pranë altarëve të tu, o Zot i ushtrive, Mbreti im dhe Perëndia im. Lum ata që banojnë në shtëpinë tënde dhe të lëvdojnë vazhdimisht. (Sela) Lum ata që e vënë forcën e tyre te ti dhe kanë në zemër rrugët e tua! Kur kalojnë luginën e Bakas, e shndërrojnë atë në një vend burimesh, dhe shiu i parë e mbulon me bekime. Ata kalojnë nga një forcë te tjetra dhe në fund paraqiten para Perëndisë në Sion. O Zot, Perëndi i ushtrive, dëgjo lutjen time; vëri veshin, o Perëndi i Jakobit. (Sela) Shiko, o Perëndi, mburojën tonë, dhe shiko fytyrën e të vajosurit tënd. Po, një ditë në oborret e tua vlen më tepër se një mijë gjetiu; mua më pëlqen më tepër të qëndroj në pragun e shtëpisë së Perëndisë tim, se sa të banoj në çadrat e të pabesëve. Sepse Zoti Perëndi është diell dhe mburojë; Zoti do të japë hir dhe lavdi; ai nuk u refuzon asnjë të mirë atyre që ecin drejt. O Zot i ushtrive, lum njeriu që ka besim te ti!” (Psalmi 84).

Parathënie  

A ju kanë dërguar ndonjëherë dikush një kartolinë apo letër me këto fjalë: “Ah, sa do doja të ishe edhe ti këtu!”? Kartolina mund të ketë patur në anën ballore të saj një pamje të bukur të një deti, apo të një plazhi, apo të një kohe me diell, apo të një qyteti të famshëm turistik. Mund të të ketë ardhur inat, apo ndoshta mund të jesh bërë xheloz që nuk ke qenë në atë vend. Ne, si besimtarë që jemi, kemi privilegjin e të qënit në praninë e Perëndisë. Ai na ka premtuar se do të vijë dita kur do të jetojmë me Të përgjithmonë në Qiell. Ky është një mesazh, të cilin duhet t’iua transmetojmë të gjithë atyre, që nuk e njohin Zotin si Shpëtimtar. Kemi dëshirë që t’i shohim edhe të tjerët, tek kënaqen me pasurinë e të qënit në praninë e Perëndisë.

Kënaqësia

Njeriu, sado që të mundohet, nuk mund të jetë plotësisht i kënaqur pa Krishtin. Secili në jetë ka një boshllëk në zemër, të cilin vetëm Krishti mund ta mbushë. Autori i psalmit 84 dëshironte të gjente kënaqësi, duke qëndruar vazhdimisht në praninë e Zotit. Donte të shkonte aty ku bëhej lutja dhe adhurimi, sepse për Hebrenjtë tempulli nuk ishte thjesht një vend për të adhuruar Perëndinë, por ai përfaqësonte vetë praninë e Perëndisë. Një ide e tillë nuk arrihet të kuptohet dot prej shumicës së të krishterëve të sotshëm, për të cilët kisha është kthyer në një vend ku zhvillohen thjesht aktivitete të ndryshme shoqërore e jo një vend ku takohemi ballë për ballë me Perëndinë.

Mos, vallë, kisha e sotshme i ngjan aq shumë botës, saqë besimtarët kanë nevojë për t’u argëtuar, kur vijnë në kishë? Është për të të ardhur keq, që shumica e drejtuesve të kishave kujtojnë se mund t’i kthejnë njerëzit tek Krishti nëpërmjet metodash të tilla të kësaj bote. Besimtarët nuk kënaqen më aq shumë me praninë e Perëndisë, por e kanë zëvendësuar këtë prani me shfaqje teatrale, apo shfaqje muzikore, të cilat ngrenë në pjedestal pastorin apo muzikantët e korit. Duhet ta adhurojmë Perëndinë “në frymë dhe në të vërtetë” (Gjoni 4:23). Autorit të psalmit 84 nuk i pritej sa të shkonte përsëri në vendin e adhurimit, kurse shumica e atyre që shkojnë në kishë të dielave, shkojnë si me detyrim, jo nga qejfi. Gjatë gjithë javës, ky autor e kishte mendjen të mbushur plot e përplot me mendime rreth Zotit, ndaj edhe mezi priste që të vinte e shtuna (ose Shabati) për të shkuar në tempull. Kishte qejf të shkonte në kishë! Ç’njeri i rrallë do të konsiderohej ai sot!

Uria

Ky autor ishte një njeri, që kishte uri dhe etje të madhe për praninë e Perëndisë. Fuqinë shpirtërore për të jetuar në një botë mëkatare e merrte prej Zotit. Shumica e atyre që kanë uri shpirtërore sot nuk dinë se ku të shkojnë për të gjetur paqe dhe gëzim. Kërkojnë lart e poshtë nëpër libra apo nëpër programe televizive, udhëtojnë sa andej këtej në mbarë botën, me qëllim që të preken prej dikujt, që t’i shërojë, por më kot. Pse? Sepse një uri e tillë nuk mund të shuhet dot prej askujt tjetri veç Krishtit. “Por kush pi nga uji që do t’i jap unë nuk do të ketë më kurrë etje përjetë; por uji që unë do t’i jap do të bëhet në të një burim uji që gufon në jetë të përjetshme” (Gjoni 4:14)… “Zot, te kush të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përjetshme” (Gjoni 6:68). Në vend që ta humbim kohën, duke u marrë me gjëra të pavlefshme, le të shkojmë tek i vetmi burim i fuqisë sonë.

Kush është gati për një sfidë të tillë? Kush është gati për ta shijuar mjaltin e vërtetë? Kush është aq i uritur, saqë shpreson ta provojë e ta shohë se “sa i mirë është Zoti” (Psalmi 34:8)? Fatkeqësisht, të shumtë janë ata, që dorëzohen, sapo t’iu dalë përpara pengesa më e vogël. Prandaj edhe apostulli iu tha besimtarëve, që të mos heqin “dorë nga të mbledhurit bashkë tonin, sikurse kanë zakon disa” (Hebrenjve 10:25). Ka nga ata, që kujtojnë se mund të kënaqen me praninë e Perëndisë, pa vajtur fare rregullisht në kishë për ta adhuruar Zotin. Jeta e tyre e dobët shpirtërore vërteton se një gjë e tillë nuk është e mundur.

Gëzimi

Gëzimin e shohim të përmendur disa herë në këtë studim, por duhet ta pranojmë se është vetëm Perëndia Ai, që mund të na e japë një gëzim të tillë. Autori i psalmit është tepër i gëzuar, ngaqë e ka gjetur gëzimin e tij tek Zoti. “Po, një ditë në oborret e tua vlen më tepër se një mijë gjetiu; mua më pëlqen më tepër të qëndroj në pragun e shtëpisë së Perëndisë tim, se sa të banoj në çadrat e të pabesëve” (Psalmi 84:10). Nuk donte ta gjente veten në fushën e futbollit, apo në supermarket, apo duke parë një ndeshje tenisi ditën e dielë, në vend që të shkonte në kishë. Edhe sikur t’i ishte dhënë detyra që t’iua hapte derën të tjerëve për në kishë, ai pranonte më mirë ta bënte këtë punë, sesa të përmbushte dëshirat e veta mishore dhe egoiste. Me pak fjalë, pra, ai ishte i kënaqur me Zotin.

Nuk e imagjinojmë dot një njeri të tillë, të ngrihet në kishë e të fillojë të mburret për vete. Përkundrazi, atë e imagjinojmë, duke e lavdëruar Perëndinë dhe duke i inkurajuar të tjerët. Një njeri i tillë e ka mendjen të përqëndruar tek Zoti dhe nuk merret me thashetheme, apo me fjalë të tepruara, me qëllim që të duket në sytë e të tjerëve. Ai shkon në shtëpinë e Perëndisë, për ta adhuruar. “U gëzova kur më thanë: “Shkojmë në shtëpinë e Zotit” (Psalmi 122:1).

Përfundim                      

Autori i psalmit 84 kishte një marrëdhënie personale me Zotin – një fakt ky, që e bën shumicën e besimtarëve të sotshëm të ndihen të turpëruar. Vini re se ç’na thotë psalmi: ky njeri donte ta adhuronte Perëndinë me gjithë shpirtin, zemrën dhe forcën e tij. Ai donte t’i shërbente besnikërisht Atij. Dëshmia e tij përbëhej prej këtyre dy dëshirave dhe prej këtyre dëshirave rridhte një jetë, që shkëlqente me gëzimin e Perëndisë. Kemi ç’të mësojmë, pra, prej këtij njeriu, sepse, sapo ta shohim se ç’na mungon, nuk do të duam gjë tjetër – veç praninë e Perëndisë. Po qe se ky autor do të na dërgonte një kartolinë me pamje nga tempulli, me siguri që do të na shkruante kështu: “Ah, sa do doja të ishe edhe ti këtu!” 

Mbrapa

Advertisements