Ai duhet të vdesë!

“Kështu Davidi u fsheh nëpër ara; kur filloi hëna e re, mbreti u ul për të ngrënë. Mbreti u ul në karrigen e tij, si herët e tjera, në karrigen pranë murit; Jonathani u ul përballë tij. Abneri u ul pranë Saulit, por vendi i Davidit mbeti bosh. Megjithatë Sauli nuk tha asgjë atë ditë, sepse mendonte: “Do t’i ketë ndodhur diçka; nuk do të jetë i pastër; me siguri ai nuk është i pastër”. Por të nesërmen, ditën e dytë të hënës së re, vendi i Davidit ishte akoma bosh. Atëherë Sauli i tha Jonathanit, birit të tij: “Pse biri i Isait nuk erdhi për të ngrënë as dje, as sot?”. Jonathani iu përgjegj Saulit: “Davidi më kërkoi me insistim ta lë të shkojë në Betlem; dhe tha: “Të lutem lermë të shkoj, sepse kemi në qytet një flijim në familje, dhe vëllai im më ka detyruar të marr pjesë në të; tani, pra, po të gëzoj hirin tënd, të lutem, lermë të hidhem shpejt për të parë vëllezërit e mi”. Për këtë arësye nuk erdhi në tryezën e mbretit”. Atëherë zemërimi i Saulit u ndez kundër Jonathanit dhe i tha: “O bir i çoroditur dhe rebel, vallë nuk e di unë që ti mban anën e birit të Isait, për turpin tënd dhe për turpin e lakuriqësisë të nënës sate? Sepse për deri sa biri i Isait do të jetojë mbi tokë, nuk do të ketë qëndrueshmëri as për ty, as për mbretërinë tënde. Prandaj dërgo ta marrin dhe sille tek unë, sepse ai duhet të vdesë. Jonathani iu përgjegj Saulit, atit të tij duke i thënë: “Pse duhet të vdesë? Çfarë ka bërë?”. Atëherë Sauli e vërtiti ushtën kundër tij për ta vrarë. Jonathani e kuptoi që vrasja e Davidit ishte diçka e vendosur nga ana e të atit. Kështu Jonathani u ngrit i zemëruar nga tryeza dhe nuk hëngri gjë as ditën e dytë të hënës së re, mbasi ishte i hidhëruar për Davidin, sepse i ati e kishte trajtuar në mënyrë të turpshme” (1 Samuelit 20:24-34).

Parathënie

Plani u vu në praktikë. A do të tregohej, vallë, i ndershëm Sauli, duke vërtetuar kështu se frika, që kishte Davidi, ishte e pabazuar në fakte? Por fatkeqësisht, Jonathani do ta kuptonte se ligësia e të atit s’njihte kufij.

Festa

Festa e Hënës së Re nuk ishte një festë e autorizuar prej Perëndisë, por thjesht ishte kthyer në një zakon apo traditë fetare në Lindjen e Mesme. Gjatë kësaj feste, njerëzit hanin e pinin, kërcenin dhe i binin bririt të dashit. “I bini borisë ditën e hënës së re, ditën e hënës së plotë, ditën e festës sonë” (Psalmi 81:3). Gjithashtu, po gjatë kësaj feste tre-ditore, njerëzit jepnin edhe një ofertë (bagëti, që flijoheshin) për mëkatin.

Mbreti Saul vërtet po festonte, por nuk e kishte mendjen për ta adhuruar, apo për ta nderuar Zotin. Ligësia, që ia kishte pushtuar zemrën, e kishte verbuar aq shumë shpirtërisht, saqë nuk e kuptonte dot rëndësinë e kësaj feste. Prandaj, pra, edhe pjesëmarrja e tij në festë ishte thjesht një veprim hipokrit. “Flijimi i të pabesit është gjë e neveritshme, aq më tepër në rast se e ofron me qëllim të keq” (Fjalët e Urta 21:27). Ai po vepronte, ashtu siç veprojnë edhe shumica e politikanëve, apo udhëheqësve të sotshëm, kur marrin pjesë në ceremoni të ndryshme fetare. Jozef Parkeri ka thënë: “Gjithmonë do të ketë nga ata princa, të cilët marrin pjesë në adhurimin publik, që i bëhet Perëndisë. Por, kur janë vetëm, apo mes shokëve, këta princa tallen me adhurime të tilla”.

E njëjta gjë po ndodh edhe në shumë prej kishave në mbarë botën. Njerëzit mburren se shkojnë në kishë, por zemrën s’e kanë vërtet aty. Hipokrizia ia ka zënë vendin shenjtërisë. “Të perëndishëm në dukje, por mohues të fuqisë së saj” (2 Timoteut 3:5).  

Zemërimi

Sauli nuk u merakos për faktin se Davidi nuk mori pjesë në ditën e parë të festës, duke presupozuar se ai ndoshta nuk ishte i pastër nga ana ceremoniale. Këtu e shohim sesa hipokrit ishte mbreti, sepse ai nuk arrinte ta shihte dot papastërtinë e zemrës së vet. Njëlloj ishin edhe farisenjtë, të cilët, nga njëra anë e konsideronin veten të shenjtë, nga ana tjetër thurnin plan për ta vrarë Jezusin. “A nuk jua ka dhënë Moisiu ligjin? E pra, asnjë nga ju nuk e vë në praktikë ligjin. Pse kërkoni të më vritni?” (Gjoni 7:19). Kur Davidi nuk u shfaq as ditën e dytë, atëherë zemërimi i Saulit shpërtheu, duke treguar kështu se ç’bluante ai vërtet në zemër kundra Davidit. Sapo Sauli tha se Davidi duhet të vdiste, Jonathani e kuptoi se frika, që kishte shoku i tij, nuk ishte imagjinare.

Jonathani u përpoq për ta zbutur situatën. Por Sauli e kishte kuptuar tanimë lojën dhe zemërimin, që kishte ndaj Davidit, e shfryu edhe ndaj Jonathanit, duke e mallkuar dhe duke e sharë të birin në mënyrën më të ulët. Fjalët që përdori atë ditë Sauli, përdoren edhe sot prej njerëzve në Lindjen e Mesme si mallkime e të shara me nënë. Jo vetëm kaq, po të tilla fjalë përdoren edhe në gjuhën angleze, e sidomos mes amerikanëve, kur vjen puna për t’i sharë të tjerët. Sauli, në fakt, duke vepruar kështu, po e ulte poshtë gruan e vet dhe karakterin e saj.

Sauli e urreu Jonathanin, ngaqë ai kishte marrë vendim për të qenë mik i ngushtë me Davidin. Sauli e kuptoi plotësisht rëndësinë e një miqësie të tillë e sidomos faktin që Jonathani donte që Davidi të bëhej mbret. Prandaj edhe donta ta vriste Jonathanin. Tani Jonathani e kuptoi mirë se ç’kishte ndjerë dikur Davidi, kur ishte trajtuar në të njëjtën mënyrë prej Saulit. Jonathani, tek pa shtizën e Saulit, që po i drejtohej për ta vrarë, nuk ishte më në mëdyshje, nëse Davidi kishte të drejtë të frikësohej prej Saulit, apo jo. “Fatkeqësisht, një veprim i tillë vërtetonte se mbreti i pakënaqur kishte kaluar në çmenduri” (marrë nga komentimi, që i bëjnë Biblës autorët Xhejmisën, Foset dhe Braun).

Rezultati

Jonathani u ngrit nga tryeza. Tani ai ishte në opozitë me Saulin dhe nuk pranonte të qëndronte më në praninë e tij. Me anë të këtij veprimi, ai po i dërgonte një sinjal të fortë të atit. Jonathani nuk kishte të drejtë të largohej prej tryezës së mbretit, pa marrë lejen e tij. Por ai po i thoshte të atit se nuk po i bindej më autoritetit të tij. Ai po iu tregonte të gjithëve, gjithashtu, se po i dilte plotësisht përkrah Davidit. Për Jonathanin, kjo ishte një sakrificë e madhe.

Përfundim

Jonathani e dinte se i ati e kishte mallkuar jetën e vet, duke e ofenduar Davidin dhe duke autorizuar vdekjen e tij. “Njeriu mizor mundon mishin e tij” (Fjalët e Urta 11:17). Jonathani nuk do t’i dilte përkrah atij, që ligësisht e hidhte poshtë planin e Perëndisë. Nuk u hidhërua, ngaqë iu ofendua emri i vet, apo qoftë edhe emri i nënës së vet. U hidhërua, ngaqë i ati e kishte vënë në lojë emrin dhe nderin e Davidit, duke e përçmuar atë. Të paktë janë ata njerëz sot, të cilët e nderojnë vërtet emrin e Zotit, por zemërohen shpejt, sapo t’iu ofendohet emri i tyre!  

Mbrapa

Advertisements