Ajini – Fjala çliruese

“Unë kam bërë atë që është e ndershme dhe e drejtë; mos më braktis në duart e shtypësve të mi. Jepi siguri dhe mbarësi shërbëtorit tënd, dhe mos lejo që mëndjemëdhenjtë të më shtypin. Sytë e mi dobësohen duke kërkuar shpëtimin tënd dhe fjalën e drejtësisë sate. Kujdesu për shërbëtorin tënd sipas mirësisë sate dhe mësomë statutet e tua. Unë jam shërbëtori yt; më jep mendje, që të mund të njoh porositë e tua. Éshtë koha, o Zot, që të veprosh; ata kanë anuluar ligjin tënd. Për këtë arësye unë i dua urdhërimet e tua më tepër se ari; po, më tepër se ari i kulluar. Për këtë arësye i konsideroj të drejta urdhërimet e tua dhe urrej çdo shteg të gënjeshtrës (Psalmi 119:121-128).

Parathënie  

Ky pasazh prej Psalmit 119-ë na tregon se fjala e Perëndisë është gjithmonë e vërtetë, pavarësisht se ç’mund të na thonë armiqtë e saj. Për shekuj me rradhë, njerëz të ndryshëm kanë kujtuar se Bibla përmban gabime, por kjo nuk është e vërtetë. Ka gjithashtu nga ata, që mundohen ta hedhin poshtë Biblën, duke na paraqitur doktrina të reja. Por Bibla ka qëndruar e fortë dhe e vërtetë gjatë gjithë kohës dhe ka për të qëndruar e tillë gjatë gjithë përjetësisë.

Shtypësit

Çfarë rrëfimi që bën autori i psalmit! Ah, sikur më shumë besimtarë të thoshin se kanë jetuar një jetë të drejtë dhe të ndershme! Autori na thotë se ka jetuar sipas parimeve të fjalës së Perëndisë dhe se ka qenë një shërbëtor besnik, pavarësisht nga fakti se armiqtë po e shtypnin nga të gjitha anët, duke përdorur metoda nga më të ndryshmet, si me fjalë, ashtu edhe me vepra, për t’ia dobësuar besimin e tij tek Zoti. Këta armiq nuk hiqnin dorë kurrë prej ligësive të tyre, ndaj autori, edhe pse kishte besim tek Zoti, prapëseprapë ishte shumë i shqetësuar. Ai donte me gjithë shpirt që të ndihej i siguruar se Perëndinë e kishte pranë. Zoti na ka premtuar se do të jetë me ne dhe Ai kurrë nuk i braktis të Tijët në momente vështirësish. “Sepse vetë Perëndia ka thënë:“Nuk do të të lë, nuk do të të braktis ”. Kështu mund të themi, me plot besim:“Perëndia është ndihmuesi im dhe unë nuk do të kem frikë; ç ‘do të më bëjë njeriu?” (Hebrenjve 13:5-6). Fjala “siguri” është një fjalë ligjore, që ka kuptimin e përgjegjësisë që mban dikush për borxhin që i ka marrë dikujt tjetri. Kjo do të thotë se Perëndia gjithmonë na del për zot, pavarësisht nga problemet që mund të hasim, apo nga fjalët që mund të na thotë mendjemëdhenjtë. “Çfarë të themi, pra, për këto gjëra? Në qoftë se Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh?” (Romakëve 8:31).

Bindja

Tre herë në këto vargje autori e quan veten “shërbëtor”, për të na treguar se ai po i bindej besnikërisht vullnetit dhe fjalës së Perëndisë. Ai nuk ishte një besimtar, që e hapte Biblën vetëm një herë në javë në kishë. Përkundrazi, ai thotë: “Sytë e mi dobësohen duke kërkuar shpëtimin tënd dhe fjalën e drejtësisë sate”. Ai e dinte mirë se vetëm fjala e Perëndisë ishte mesazh shpëtimi, ndaj edhe i besonte plotësisht asaj. E dinte se kishte për të korrur fitore mbi çdo vështirësi. Fjala e Zotit jo vetëm që e ngushëllonte, por edhe i jepte fuqi për të qëndruar në besim. Ai i lutej Zotit që të vazhdojë t’i japë dashurinë e Tij, me qëllim që t’i përballonte ligësitë e armiqve. Ai dëshironte të mësonte sesi të jetonte një jetë të drejtë, ngaqë ishte shërbëtor i Perëndisë. Edhe ne kemi nevojë për njohurinë që na jep vetëm Fryma e Shenjtë, për të jetuar me drejtësi dhe besim. “Që Perëndia i Zotit tonë Jezu Krisht, Ati i lavdisë, t ‘ju japë juve Frymën e diturisë dhe të zbulesës, në njohurinë e tij, dhe t’ u ndriçojë sytë e mendjes suaj, që të dini cila është shpresa e thirrjes së tij dhe cilat janë pasuritë e lavdisë së trashëgimisë së tij në shenjtorët” (Efesianëve 1:17-18).

Mundësia

Autori i psalmit e ndjen se tani është koha, kur Perëndia duhet të veprojë kundra atyre, që e kundërshtojnë Atë. Ai sjell ndërmend shtypësit mendjemëdhenj, që po e persekutonin dhe ata që e kishin anulluar fjalën e Perëndisë, duke i hedhur poshtë urdhërimet e saj. Ç’do të thoshte, vallë, sot ky autor, po të shikonte versjonet e ndryshme të Biblës në shitje nëpër dyqane? A do ta kishte gabim, po t’i lutej Zotit, që t’i ndëshkonte armiqtë e Tij për një ligësi të tillë? Autori ishte i mendimit se ata që përpiqen t’ia grabisin fuqinë fjalës së Perëndisë, duke e shtrembëruar atë, meritojnë ndëshkimin e vetë Zotit, Autorit të Fjalës. Vërtet që duhet t’i duam armiqtë tanë, t’i bekojmë ata që  na mallkojnë, t’iu bëjmë mirë atyre që na urrejnë dhe të lutemi për ata që na keqtrajtojnë dhe na përndjekin (Mateu 5:44), por kjo nuk do të thotë se Perëndia nuk ka për t’i ndëshkuar ata që e hedhin poshtë fjalën e Tij. “Por ata, ndonëse e kanë njohur dekretin e Perëndisë sipas të cilit ata që bëjnë gjëra të tilla meritojnë vdekjen, jo vetëm i bëjnë, por miratojnë edhe ata që i kryejnë” (Romakëve 1:32). Perëndia ka për ta derdhur zemërimin e Tij edhe mbi armiqtë tanë, nëse nuk pendohen. “Sepse është e drejtë, nga ana e Perëndisë, t ‘u jepet mundim atyre që po ju mundojnë, kurse juve, të munduarve, të preheni bashkë me ne, kur Zoti Jezu Krisht të shfaqet nga qielli me engjëjt e pushtetit të vet, në një zjarr flakërues, për t’ u hakmarrë kundër atyre që nuk njohin Perëndi, dhe të atyre që nuk i binden ungjillit të Zotit tonë Jezu Krisht. Ata do të ndëshkohen me shkatërrim të përjetshëm, larg nga fytyra e Zotit dhe nga lavdia e fuqisë së tij” (2 Thesalonikasve 1:6-9).     

Përfundim

Autori i psalmit e hap dhe e mbyll këtë pasazh, duke na deklaruar se e do me gjithë shpirt fjalën e Perëndisë dhe është i përkushtuar ndaj saj. Ai  nuk do ta ndërronte Biblën qoftë edhe me arin më të çmuar të botës! Thesari më i madh i autorit ishte fjala e Perëndisë, që e udhëhiqte atë në rrugën e drejtësisë, derisa të arrinte në Parajsë. Ndërkohë që edhe ne presim ardhjen e dytë të Zotit, le të qëndrojmë të fortë tek Ai dhe tek fjala e Tij. Le të lutemi që Ai të veprojë edhe sot kundra ligësive që ndodhin në botë dhe brenda përbrenda kishës. A nuk ka ardhur koha që Zoti të ndërhyjë për t’i ndaluar gabimet, që kanë hyrë në kishat e sotshme? “Sepse erdhi koha që të fillojë gjyqi nga shtëpia e Perëndisë; dhe nëse fillon më përpara nga ne, cili do të jetë fundi i atyre që nuk i binden ungjillit të Perëndisë?” (1 Pjetrit 4:17).  

Mbrapa

Advertisements