Akuzat

“Sepse nxitja jonë nuk vjen nga mashtrimi, as nga qëllime të pa ndershme, as nga dredhia” (1 Thesalonikasve 2:3).

Parathënie

Ka raste kur një predikues vihet në provë, lidhur me shkakun, që e nxit atë t’iu predikojë, sidomos një turme të madhe njerëzish. A po i shërben ai Zotit për para, për famë, apo për ndonjë arsye tjetër mishore? Edhe Palin e akuzuan disa herë në këtë mënyrë, ndaj ai e pa të domosdoshme t’iu përgjigjej gënjeshtrave të tilla, që po përhapeshin kundër shërbesës së tij e që po ia nënvlerësonin punën. Ai i doli në mbrojtje fjalës së Perëndisë, jo reputacionit të vet.

Mashtrimi

Në greqisht, fjala ‘mashtrim’ (‘plane’) do të thotë ‘të rrëshkasësh nga bindjet e pranuara më parë’. Pra, Palin po e akuzonin si heretik. E shohim se këto akuza kanë të bëjnë me të vërtetën. Nëse Pali po iu mësonte të tjerëve gjëra të gabuara, atëherë ai ishte njëlloj si paganët e Thesalonikut: “Ne në fakt nuk falsifikojmë fjalën e Perëndisë, si shumë të tjerë, por flasim me sinqeritet si nga ana e Perëndisë, përpara Perëndisë në Krishtin” (2 Korintasve 2:17)… “Duke pasur, pra, një shpresë të tillë, flasim me shumë guxim” (2 Korintasve 3:12).

Krishtërimi biblik nuk vërtetohet me anë të përvojës personale, por nëpërmjet asaj që thuhet në fjalën e Perëndisë. E vërteta duhet të predikohet, sepse, nëse njerëzit nuk vijnë në kishë për të dëgjuar të vërtetën, por vijnë për arsye të tjera, atëherë, shumë shpejt, ata kanë për ta humbur edhe atë pak besim, që kanë. Po, dredhitë dhe mashtrimet e bëjnë për vete turmën, por një gjë e tillë pritet të ndodhë në cirk, jo në kishë. Pali predikoi vetëm ungjillin. Ai nuk e prezantoi Krishtin si një metodë, për t’u bërë i pasur, i lumtur apo i suksesshëm në këtë botë. Gabimi më i madh në kishat e sotme është ky: ato përdorin metoda nga më të ndryshmet për t’i tërhequr njerëzit, por nuk predikojnë të vërtetën. Një veprim i tillë është tradhti, që i bëhet Krishtit dhe Biblës. Pak rëndësi ka nëse metoda të tilla mashtruese janë të suksesshme apo jo. Ajo që ka rëndësi, është kjo: “A paraqesin metoda të tilla të vërtetën?” Pali e dinte shumë mirë se mësuesit e rremë dhe priftërinjtë paganë përdornin çdo lloj mashtrimi e dredhie për t’i indoktrinuar njerëzit: “Që të mos jemi më foshnja, të lëkundur dhe të transportuar nga çdo erë doktrineje, nga mashtrimi i njerëzve, nga dinakëria e tyre nëpërmjet gënjeshtrave të gabimit” (Efesianëve 4:14). Mësues të tillë kishin arritur të futeshin edhe në kishë: “Janë njolla dhe fëlliqësi, dhe lëshohen pas mashtrimeve të tyre, kur marrin pjesë në gostitë tuaja. Sytë i kanë plot me kurorëshkelje dhe nuk pushojnë së mëkatuari; mashtrojnë shpirtrat e paqëndrueshëm, kanë zemër të stërvitur në lakmime, dhe janë bij mallkimi. Ata, pasi e lanë udhën e drejtë, devijuan duke ndjekur udhën e Balaamit, birit të Beorit, i cili e deshi pagën e paudhësisë” (2 Pjetrit 2:13-15).

Qëllime të pandershme

Në greqisht, fjala ‘qëllime të pandershme’ (‘akatharsia’) do të thotë ‘imoralitet’ dhe ‘papastërti seksuale’. Thesaloniku qe zhytur në fëlliqësinë e imoralitetit, prandaj edhe armiqtë e ungjillit (drejtuesit fetarë të Judenjve) e përdorën një situatë të tillë për të sugjeruar se Pali kishte ardhur në qytet thjesht për të përjetuar imoralitetin e atij vendi. Ata kujtonin se, po qe se do të arrinin ta vinin krishtërimin në të njëjtën nivel me fetë pagane (të cilat praktikonin lloj-lloj fallsifikimesh gjatë adhurimit), atëherë krishtërimi do të mundej përgjithmonë.

Një akuzë e tillë na vërteton se ishin drejtuesit e Judenjve ata, që e kishin mendjen e fëlliqur, jo Pali. Edhe ai kishte qenë dikur një farise, por tani Pali e kishte mendjen diku tjetër: “Kini në mend gjërat që janë atje lart, jo ato që janë mbi tokë” (Kolosianëve 3:2). Dikur, ai kishte jetuar sipas Ligjit, por Krishti e kishte ndihmuar që ta ngrinte standartin e jetës së tij në një nivel edhe më të lartë: “Kushdo që shikon një grua për ta dëshiruar, ka shkelur kurorën me të në zemrën e vet. Në qoftë se syri yt i djathtë të çon në mëkat, hiqe dhe flake larg teje, sepse është më mirë për ty që të humbësh një nga gjymtyrët e tua se sa të hidhet në Gehenën gjithë trupi yt; dhe në qoftë se dora jote e djathtë të çon në mëkat, preje dhe hidhe larg teje, sepse është më mirë që të humbësh një nga gjymtyrët e tua se sa të hidhet në Gehena gjithë trupi yt” (Mateu 5:27-30).

Dredhia

Në greqisht, fjala ‘dredhi’ (‘dolos’) i referohet përdorimit të mashtrimeve për t’i tërhequr ata, që nuk e kanë mendjen. Një fjalë e tillë përdorej në ato kohë prej peshkatarëve, kur bëhej fjalë për karremin, për të zënë peshk. Palin po e akuzonin, pra, se po i bënte për vete njerëzit me anë dredhish e mashtrimesh. Zoti Jezus Krisht vërtet tha: “Ndiqmëni dhe Unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish” (Mateu 4:19), por Ai nuk e kishte fjalën këtu për karremin e dredhisë, për të cilin po e akuzonin drejtuesit fetarë Palin.

Për shekuj me rradhë, ka patur nga ata predikues, që kanë përdorur lloj-lloj manipulimesh dhe mënyrash të pandershme për t’i bërë për vete njerëzit. Kanë treguar histori të egzagjeruara, gjysëm të vërteta, ose gënjeshtra për ta bindur auditorin se janë vërtet njerëz të Perëndisë: “Por, edhe sikur ne ose një engjëll i qiellit t’ju predikonte një ungjill të ndryshëm nga ai që ju kemi predikuar, qoftë i mallkuar. Ashtu si e thamë më përpara, po e them përsëri: Në qoftë se dikush ju predikon një ungjill tjetër nga ai që keni marrë, qoftë i mallkuar” (Galatasve 1:8-9)… “Ne kemi hequr dorë plotësisht nga gjërat e turpshme që bëhen në fshehtësi, duke mos ecur me dinakëri, duke mos falsifikuar aspak fjalën e Perëndisë, por duke shfaqur të vërtetën, ne ia rekomandojmë veten tonë ndërgjegjes së çdo njeriu përpara Perëndisë” (2 Korintasve 4:2).

Përfundim                      

Sepse nuk jua bëmë të njohur fuqinë dhe ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht, duke shkuar pas përralla të sajuara me mjeshtri, por sepse jemi dëshmitarë okular e madhështisë së tij” (2 Pjetrit 1:16). Ka raste, kur duhet t’i dalim në mbrojtje vetvetes, për shkak të ungjillit, ashtu siç veproi edhe Pali. Mateo Henri ka thënë: “Sinqeriteti i apostullit Pal u vërtetua nga fakti se ai iu shmang çdo lloj lakmie e komplimenti. Ai iu shmang gjithashtu edhe ambicjes dhe mendjemadhësisë”. Në studimin tonë të ardhshëm, do t’i hedhim një sy përgjigjeve që iu dha Pali akuzave të drejtuara kundër tij. 

Mbrapa

Advertisements