Alefi – Fjala e bekuar

Lum ata që kanë një rrugë pa njollë dhe që ecin me ligjin e Zotit. Lum ata që respektojnë mësimet e tij, që e kërkojnë me gjithë zemër dhe nuk kryejnë të keqen, por ecin në rrugët e tij. Ti na ke urdhëruar të respektojmë urdhërimet e tua me kujdes. Oh, rrugët e mia qofshin të qëndrueshme në respektimin e statuteve të tua. Atëherë nuk do të turpërohem, kur të kem parasysh të gjitha urdhërimet e tua. Do të të kremtoj me zemër të drejtë ndërsa mësoj dekretet e tua të drejta. Do të respektoj statutet e tua, mos më braktis plotësisht” (Psalmi 119:1-8).

Parathënie                           

Ky pasazh prej Psalmit 119-ë është i ngjashëm me Psalmin 1 dhe na thotë se fjala e Perëndisë është një bekim për të gjithë ata, që e ndjekin. Këto tetë vargje shërbejnë si parathënie për të gjithë psalmin 119-ë, i cili është i ndarë në 22 pjesë, të cilat i korrespondojnë 22 shkronjave të alfabetit hebre. Pasazhi i studimit të sotshëm është i titulluar “Alef”, ose shkronja e parë e alfabetit hebre.

Veçimi

Autori i psalmit deklaron një bekim për të gjithë ata, që jetojnë sipas fjalës së Perëndisë dhe që hedhin poshtë gjithçka, që mund t’i ndotë nga ana shpirtërore, sidomos në marrëdhënien e tyre me Zotin. Një mënyrë e tillë jetese nuk është thjesht sjellje e mirë nga ana morale dhe njerëzore, por një bindje shpirtërore ndaj ligjit të Perëndisë. Këtë ide e gjejmë të theksuar edhe tek Ligji i Përtërirë, kapitulli 28-ë, ku Perëndia bën fjalë rreth bekimit që merr ai, që i bindet Atij dhe mallkimit që merr ai, që nuk i bindet Atij. “Tani, në rast se ti i bindesh me zell zërit të Zotit, Perëndisë tënd, duke pasur kujdes të zbatosh tërë urdhërimet e tij që sot unë po të urdhëroj, do të ndodhë që Zoti, Perëndia yt, do të të lartësojë mbi të gjitha kombet e dheut; të gjitha këto bekime do të bien mbi ty dhe do të të zënë, në rast se dëgjon zërin e Zotit, Perëndisë tënd”. E shohim gjithashtu se Zoti nuk pranon, që t’iu bindemi urdhërimeve të Tij thjesht si detyrim, apo me zor. Zoti do që t’i bindemi Atij vullnetarisht, me gjithë zemër. Fjala “mësimet” i referohet besëlidhjes së Zotit, të cilën duhet ta respektojmë, apo ta zbatojmë në çdo aspekt të jetës. Kështu pra, kur e kërkojmë Zotin me gjithë zemër, jo vetëm që e njohim mirë Atë, por gjithashtu e njohim mirë edhe vullnetin e Tij për ne. Ai nuk e bekon një zemër të vakët, e cila nuk është e vendosur për të patur një marrëdhënie të vërtetë personale me Të. “Ti do ta duash, pra, Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me tërë forcën tënde” (Ligji i Përtërirë 6:5).

Mëkati

Ai që ecën sipas fjalës së Perëndisë, nuk dëshiron të bëjë mëkat. “Të ecësh” këtu ka kuptimin e të ndjekurit të fjalës së Perëndisë ashtu siç e ndjek (ose e lexon) hartën udhëtari për të gjetur rrugën. “E kam ruajtur fjalën tënde në zemrën time, që të mos mëkatoj kundër teje” (Psalmi 119:11). Nuk i qëndrojmë larg mëkatit, ngaqë kështu vepron tërë shoqëria, por sepse kështu na urdhëron Zoti. Na duhet përkushtim i madh për t’i zbatuar urdhërimet e Tij. Na duhet të tregohemi vigjilentë, ngaqë ka shumë gjëra në botë, që mund të na e tërheqin vëmendjen larg nga Perëndia. Autori i psalmit dëshiron që kjo të jetë lutja e tij, tek vargu 5. Zbatimi i urdhërimeve të Perëndisë është një urdhër, jo një opcjon. Urdhërimet e Tij na e transformojnë jetën, duke na bërë njerëz të atillë, ashtu siç na do Perëndia. Fuqia për të jetuar një jetë të shenjtë nuk vjen vetvetiu, por vjen nëpërmjet të shërbyerit Perëndisë me besnikëri të madhe.

Turpi

Si ndihemi, kur e lexojmë Biblën dhe bindemi se kemi mëkat në zemër? Fjala e Perëndisë është si pasqyra – na pasqyron ashtu siç jemi! A ndihemi të turpëruar, kur e lexojmë Biblën, apo e dëgjojmë atë tek predikohet? Le të mos i humbim shpresat, sepse në momente të tilla, Fryma e Shenjtë po vepron në zemrat tona, për të na bërë që të pendohemi për mëkatin. “Dhe kur të ketë ardhur, ai do ta bindë botën për mëkat, për drejtësi dhe për gjykim” (Gjoni 16:8). Kjo gjithashtu vërteton se Perëndia na do akoma, pavarësisht nga mëkati që kemi bërë. Ai po na tërheq gjithnjë e më shumë drejt Vetes. “Mirësia e Perëndisë të prin në pendim” (Romakëve 2:4). Fryma e Shenjtë e vë në përdorim ndërgjegjen tonë, për të na akuzuar për mëkatin, duke na bërë që të na vijë turp për atë që kemi bërë. Sapo të pendohemi për mëkatin, na largohet turpi. “Po t’i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi” (1 Gjonit 1:9)… “Tani, pra, nuk ka asnjë dënim për ata që janë në Krishtin Jezu, që nuk ecin sipas mishit, por sipas Frymës” (Romakëve 8:1). Bindja ndaj fjalës së Perëndisë na çliron nga turpi i mëkateve të kaluara dhe nga torturimi i mendjes. Autori i psalmit e kuptoi mirë këtë të vërtetë, kur tha se tani ai mund ta adhuronte Perëndinë me një zemër të drejtë (vargu 7). E shohim, pra, se të studjuarit dhe të medituarit mbi fjalën e Perëndisë na i përgatit zemrat për adhurim. “Perëndia është Frymë, dhe ata që e adhurojnë duhet t’a adhurojnë në frymë dhe në të vërtetën’’ (Gjoni 4:24).     

Përfundim

Autori i psalmit betohet se ka për t’i zbatuar të gjitha urdhërimet e Perëndisë. Një shprehje e tillë i shkon shumë për shtat këtij pasazhi të Psalmit 119-ë, sepse na e përqëndron vëmendjen tek domosdoshmëria jonë e madhe për t’iu bindur fjalës së Zotit. Ata që i ulin standartet e jetës së tyre tek niveli i standarteve të kësaj bote, kanë për t’u turpëruar dhe për t’u ndjerë “plotësisht të braktisur”. Mund të jetojmë një jetë të bekuar, nëse jetojmë sipas Biblës. Ajo na ruan prej mëkatit dhe turpit dhe na bën në gjendje që ta adhurojmë Perëndinë me një zemër të pastër. “Është shkruar: “Njeriu nuk rron vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë” (Mateu 4:4). 

Mbrapa

Advertisements