Amen dhe Amen

“Perëndisë tonë e Atit tonë lavdi në shekuj të shekujve. Amen. Përshëndetni të gjithë shenjtorët në Jezu Krishtin. Vëllezërit që janë me mua ju përshëndesin; të gjithë shenjtorët ju përshëndesin, sidomos ata të shtëpisë së Cezarit. Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me ju të gjithë. Amen.” (Filipianëve 4:20-23).

Parathënie   

Studimit tonë mbi Letrën drejtuar Filipianëve po i vjen fundi. Në këto vargje të fundit vëmë re përsëri shpirtin e dashur të Palit, tek e mbyll letrën me fjalë bekimi ndaj kishës. Apostulli Pal e dinte mirë se si t’i hapte dhe t’i mbyllte letrat e tij me bekimet e hirit të Perëndisë (shiko Filipianëve 1:2, 4:23). Ungjilli i Krishtit ka të bëjë shumë me hirin e Perëndisë, ndaj edhe nuk është habi që Pali iua sjell ndërmend lexuesve të tij këtë fakt.

Amen

Është një gjë e mahnitshme, kur mendon se Zoti Sovran i gjithçkaje na pranon dhe kujdeset për ne, ashtu si një baba që kujdeset për fëmijët e tij. “Dhe atij që mund t’ju ruajë nga çdo rrëzim dhe t’ju nxjerrë para lavdisë së tij të paqortueshëm dhe me gëzim, të vetmit Perëndi të ditur, Shpëtimtarit tonë, i qoftë lavdi, madhështi, sundim dhe pushtet, tani dhe përjetë. Amen” (Judës, vargu 24-25)… “Sepse prej tij, me anë të tij dhe për të janë të gjitha gjëra. Lavdi atij përjetë! Amen!” (Romakëve 11:36). Ai quhet “Ati” ynë, ngaqë nuk është një Zot i largët, që egziston i izoluar prej popullit të Tij. Duhet të gëzohemi pa masë, kur reflektojmë rreth kësaj të vërtete të mrekullueshme. Ai, të Cilit Jezusi i thirri “Ati Im” (Gjoni 15), është gjithashtu “Ati ynë” (Mateu 6). Përemri “ynë” na tregon se Ai nuk është “Ati” i një grupi njerëzish  të zgjedhur, por Ai është “Ati” i të gjithëve që besojnë. “Një Perëndi i vetëm dhe Atë i të gjithëve, që është përmbi të gjithë, në mes të të gjithëve dhe në ju të gjithë” (Efesianëve 4:6).

Ç’privilegj është, pra, që t’i lutemi direkt Atit tonë Qiellor (Mateu 6:9) dhe që secili prej nesh ta ketë bekim që ta quajë Atë “Ati im”! “Sepse ju nuk keni marrë një frymë robërie, që të keni përsëri frikë, po keni marrë frymën e birërisë, me anë të së cilës ne thërrasim: “Aba, o Atë!”. Vetë Fryma i dëshmon frymës sonë se ne jemi bij të Perëndisë. Dhe nëse jemi bij, jemi dhe trashëgimtarë, trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë të Krishtit, nëse vuajmë më të dhe lavdohemi me të” (Romakëve 8:15-17). Duhet ta mbajmë mend gjithmonë këtë të vërtetë të lavdishme. “Por, kur u mbush koha, Perëndia dërgoi Birin e tij, të lindur prej gruaje, të nënshtruar ligjit, që të shpengonte ata që ishin nën ligj, që ne të fitojmë birërinë. Dhe, duke qenë se jeni bij, Perëndia dërgoi Frymën e Birit të tij në zemrat tuaja që thërret: “Abba, Atë!” (Galatasve 4:4-6).

Dhe Amen

Gjatë gjithë kësaj letre, e kemi parë se, madje edhe nga qelia e errët e burgut, Pali donte që të kishte një ndikim pozitiv tek lexuesit e tij. I quan të gjithë ata që besojnë “vëllezër” dhe “shenjtorë”. Pa dyshim që në këtë grup ai përfshin edhe ata që i kishin besuar Krishtit brenda përbrenda familjes së perandorit romak. Vini re, pra, se si ai na vë në dukje faktin se kishte të krishterë edhe mes shërbëtorëve të Neronit, mes ushtarëve të tij dhe ndoshta edhe mes familjes së tij. Pali nuk kishte urrejtje ndaj romakëve apo atyre që kishin lidhje me ta, por ishte i lumtur t’i quante ata vëllezër dhe motra në Krishtin.

Fjala “shenjtorë” nuk do të thotë se ata ishin të pastër, pa mëkat dhe absolutisht të përsosur. Përkundrazi, kjo fjalë na tregon se besimtarët e vërtetë janë populli i Perëndisë. Në greqisht, fjala “shenjtor” përkthehet “hagian” dhe iu referohet gjërave që janë vënë mënjanë, apo që janë të dedikuara për përdorim nga Perëndia. “Shenjtorët” janë ndryshe nga bota, si me fjalë, ashtu edhe me vepra. E si mund të quhen ata fëmijë të Perëndisë, nëse bëjnë ato gjëra që bëjnë edhe jo-besimtarët? Përndryshe, do të quheshin fëmijë të Satanait. “Atëherë Jezusi u tha atyre: “Po të ishte Perëndia Ati juaj, ju do të më donit, sepse kam dalë dhe kam ardhur nga Perëndia; nuk kam ardhur, pra, nga vetja ime, por ai më ka dërguar. Përse nuk e kuptoni thënien time? Sepse nuk mund të dëgjoni fjalën time. Ju jeni nga djalli, që është ati juaj, dhe doni të bëni dëshirat e atit tuaj; ai ishte vrasës që nga fillimi dhe nuk qëndroi në të vërtetën, sepse në të nuk ka të vërtetë. Kur thotë të rrema, flet nga vetvetja, sepse është gënjeshtar dhe ati i rrenës. Kurse mua, duke qenë se ju them të vërtetën, nuk më besoni” (Gjoni 8:42-45). Ata, që me të vërtetë e duan Jezusin, i zbatojnë urdhërimet e Tij (Gjoni 14:15).

Pali i konsideronte “vëllezër” dhe “shenjtorë” si besimtarët në Filipe, ashtu edhe ata në Romë. Secili prej tyre ishte fëmijë i Perëndisë: që nga oficeri me grada më të shumta në ushtri e deri tek skllavi më i përulur. “Sepse te Perëndia nuk ka anësi” (Romakëve 2:11). Ky fakt duhet të na ndihmojë, që të mos e kujtojmë veten më të mirë sesa të tjerët, thjesht ngaqë jemi më të ngritur nga pozita shoqërore, sepse të gjithë jemi mëkatarë. “Sepse, për hirin që më është dhënë, unë i them secilit prej jush të mos e vlerësojë veten më shumë se sa duhet ta çmojë, por të ketë një vlerësim të përkorë, sipas masës së besimit që Perëndia i ndau secilit” (Romakëve 12:3)… “Kini të njëjtat mendime njeri me tjetrin; mos lakmoni për lart, por rrini me të përunjurit; mos e mbani veten për të mënçur” (Romakëve 12:16). Pak rëndësi kanë pozita shoqërore, kombësia, ngjyra e lëkurës apo gjinia. Gjëra të tilla shkaktojnë mendjemadhësi, jo shenjtëri. “Sepse të gjithë ju jeni bij të Perëndisë me anë të besimit te Jezu Krishti. Sepse të gjithë ju që jeni pagëzuar në Krishtin, Krishtin keni veshur. Nuk ka as Jude, as Grek, nuk ka as skllav as të lirë, nuk ka as mashkull as femër, sepse të gjithë jeni një në Jezu Krishtin” (Galatasve 3:26-28). Ungjilli i Krishtit i afron njerëzit me njëri-tjetrin. Në familjen e Perëndisë nuk ka kurrfarë pengesash kulturore, ekonomike apo shoqërore. “Hiri i Perëndisë” është për të gjithë” ata që e pranojnë “Zotin Jezus Krisht”. Kësaj duhet t’i themi “Amen”!       

Përfundim   

Në një farë mënyre, kisha e filipianëve është shembulli i një kishe të mirë. Ajo përbëhej nga njerëz të ndryshëm, që vinin nga rrugë të ndryshme të jetës, por që ishin të bashkuar së bashku me qëllimin e përhapjes së fjalës së Perëndisë. Jo se s’kishin konflikte si brenda ashtu edhe jashtë kishës, por, ngaqë ishin gati t’ia vinin veshin doktrinës së shëndoshë biblike, kishin mësuar t’ia dilnin mbanë dhe ta zgjidhnin çdo vështirësi.

Në këtë letër, kemi lexuar vargje rreth zemërbutësisë, përuljes, sakrificës, unitetit, gëzimit dhe rreth shumë të vërtetave të tjera të rëndësishme. Secila prej tyre na tregon se si të jetojmë një jetë të krishterë të suksesshme, ndërkohë që rritemi e bëhemi më të pjekur në Krishtin dhe fjalën e Tij. Nuk jemi të vetëm, tek punojmë për ta vënë në praktikë krishtërimin (Filipianëve 2:12). Përkundrazi, kemi praninë e Frymës së Shenjtë të Perëndisë, që na jep fuqi. Vetë jeta e Palit është shembull për ne – një përkushtim të tillë duhet të tregojmë edhe ne ndaj Zotit. Le të kemi, pra, mençurinë e Palit, kujdesjen dhe dhembshurinë e tij, ashtu siç e pati edhe kisha e filipianëve.

“Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me ju të gjithë. Amen”.

Mbrapa

Advertisements