Amnoni i paturpshëm – Epshi

“Pastaj ndodhi që Absalomi, bir i Davidit, kishte një motër shumë të bukur që quhej Tamara; por Amnoni, bir i Davidit, u dashurua me të. Amnoni u dashurua me aq pasion me motrën e tij Tamara sa ra i sëmurë, sepse ajo ishte e virgjër; dhe Amnonit i dukej e vështirë t’i bënte gjë. Amnoni kishte një shok, që quhej Jonadab, bir i Shimeahut, vëllait të Davidit; Jonadabi ishte një njeri shumë dinak. Ky i tha: “Pse, o bir i mbretit, vazhdon të dobësohesh çdo ditë që kalon? Nuk dëshiron të ma thuash?”. Amnoni iu përgjigj: “Kam rënë në dashuri me Tamarën, motrën e vëllait tim Absalom”. Atëherë Jonadabi i tha: “Rri në shtrat dhe bëj sikur je i sëmurë; kur të vijë yt atë të të shikojë, thuaji: “Bëj, të lutem, që motra ime Tamara të vijë të më japë të ha dhe ta përgatisë ushqimin në praninë time, në mënyrë që unë ta shikoj dhe ta marr nga duart e saj””. Kështu Amnoni ra në shtrat dhe u shti i sëmurë; kur më vonë erdhi mbreti ta shikojë, Amnoni i tha: “Lër, të lutem, që motra ime Tamara të vijë dhe të më përgatisë nja dy kuleç në praninë time; kështu do të marr ushqim nga duart e saj”. Atëherë Davidi dërgoi njeri në shtëpinë e Tamarës për t’i thënë: “Shko në shtëpinë e vëllait tënd Amnon dhe përgatiti diçka për të ngrënë”. Tamara shkoi në shtëpinë e vëllait të saj Amnon, që rrinte shtrirë në shtrat. Pastaj mori pak miell, e brumosi, përgatiti disa kuleçë para syve të tij dhe i poqi. Pastaj mori një enë me bisht dhe i derdhi kuleçët para tij, por Amnoni nuk pranoi t’i hajë dhe tha: “Nxirrni jashtë që këtej tërë njerëzit”. Tërë sa ishin dolën jashtë. Atëherë Amnoni i tha Tamarës: “Ma ço ushqimin në dhomën time dhe do ta marr nga duart e tua”. Kështu Tamara i mori kuleçët që kishte përgatitur dhe i çoj në dhomën e Amnonit, vëllait të saj. Ndërsa po ia jepte për të ngrënë, ai e kapi dhe i tha: “Eja, shtrihu me mua, motra ime”. Ajo iu përgjigj: “Jo, vëllai im, mos më poshtëro kështu; kjo nuk bëhet në Izrael; mos kryej një poshtërsi të tillë! Po unë ku ta çoj turpin tim? Kurse ti do të konsiderohesh si keqbërës në Izrael. Tani, të lutem, foli mbretit dhe ai nuk ka për të më refuzuar ndaj teje”. Por ai nuk deshi ta dëgjojë dhe, duke qenë më i fortë se ajo, e dhunoi dhe ra në shtrat me të” (2 Samuelit 13:1-14).

Parathënie

Problemet e familjes së Davidit fillojnë me përdhunimin epshor të Tamarës prej Amnonit, vëllait të saj prej babe. Ky akt i ligë nuk do të kishte ndodhur kurrë, po qe se Davidi nuk do të ishte martuar me aq shumë gra. Ngjarjet në vazhdim janë përmbushje e profecisë së Nathanit, lidhur me familjen e shthurur të Davidit, ngjarje të cilat kanë për të shkaktuar konflikte të brendshme në të gjithë kombin.

Dashuria e verbër

Si Amnoni, ashtu edhe Tamara, ishin fëmijë të Davidit. Amnoni ishte djali i tij i parë, prej martesës me Ahinoamin (shiko 2 Samuelit 3:2). Në fakt, ai ishte pasardhës i ligjshëm i fronit mbretëror, por e shohim se zemrën e kishte të ligë. Nuk ishte i dashuruar marrëzisht me Tamarën, por thjesht ishte i marrë. Amnoni mund të ishte përkëdhelur më shumë sesa të tjerët, ngaqë ishte fëmija i parë. E shohim se Davidi i kishte dhënë shtëpi dhe shërbëtorë, që të kujdeseshin për të. Por, ashtu si babai i tij, edhe Amnoni i përdori avantazhet e veta në mënyrë imorale. Në tekstin e studimit tonë na thuhet se ai e donte motrën e tij, Tamarën, që ishte e bija e Maakahut (shiko 2 Samuelit 3:3). Kjo do të thotë se ai ishte i magjepsur prej saj dhe kishte ndjenja epshore ndaj saj. Në një shoqëri të mirë, një dashuri e tillë është e palejueshme. “Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e bijës së gruas të atit tënd, e lindur nga ati yt; është motra jote; mos zbulo lakuriqësinë e saj” (Levitikut 18:11). Amnoni kujtonte se kishte rënë aq shumë në dashuri me Tamarën, saqë nuk hante dot. Por në fakt, ky ishte një pasion i ligë. Thoshte se e donte, por nga historia e shohim se ai donte vetëm veten e tij dhe u përpoq për të përmbushur dëshirat e tij egoiste. Sëmundja e tij, gjoja e shkaktuar prej dashurisë, ishte në të vërtetë një mani.

Ashtu siç na thuhet edhe tek vargu 2, Amnoni e dinte se nuk ishte mirë që të mendonte mendime të tilla të liga, apo të kishte ndjenja për motrën e tij, por ai e lejoi veten të binte nën kontrollin si të mendimeve, ashtu edhe të ndjenjave. E lejoi veten të bëhej skllav i mendimeve, duke e shkatërruar kështu karakterin e mirë të dikujt tjetri. Tamara ishte e virgjër dhe si e tillë, asaj nuk i lejohej ta gjente veten në situata të pandershme, sepse, në ato kohë, vajza e mbretit kishte vlerë të madhe politike, ngaqë mund të bëhej gruaja e një aleati. Amnoni nuk e kishte të lehtë për ta parë Tamarën, ndaj edhe sajoi një plan, për ta bërë atë që t’i vinte afër. E dimë se Amnoni   ishte i sëmurë shpirtërisht nga dashuria që kishte për Tamarën, por, pasi u konsultua me kushëririn e tij, Jonadabin, nipin e Davidit, ai bëri gjoja sikur ishte fizikisht i sëmurë dhe kishte nevojë për një infermjere, që të kujdesej për të. Vetëm e motra mund të ishte një infermjere e tillë! Është për t’u habitur që Jonadabi nuk e konsideroi si një gjë të gabuar epshin e Amnonit ndaj Tamarës, por përkundrazi, ai e nxiti Amnonin, që t’i plotësonte dëshirat e veta. Sëmundja e shtirë e Amnonit ishte aq bindëse, saqë Davidi i besoi, ia plotësoi dëshirën, duke e urdhëruar Tamarën, që t’i gatuante diçka. Sa keq që Davidi nuk e kuptoi mashtrimin!

Epshi

Tamara iu bind urdhërit të të atit dhe e gjeti veten në një situatë të pabesueshme. Shumë shpejt e kuptoi arsyen pse Amnoni e kishte thirrur. Iu lut atij, që të mos tregohej kaq i marrë dhe të mos e turpëronte as atë, as veten. Ajo madje i sugjeroi se i ati mund t’i lejonte që të martoheshin, edhe pse ndoshta Amnoni e dinte se Davidi nuk do ta lejonte kurrë që të ndodhte diçka kaq e neveritshme. Asgjë nuk mund ta bindte dot Amnonin, që të mos e kryente një krim të tillë të egër dhe, ngaqë ishte më i fortë sesa Tamara, shumë shpejt e vuri atë nën kontroll dhe e përdhunoi.

Tamara ishte më e zgjuar sesa i vëllai, ngaqë e dinte se ky mëkat i ligë kishte për të sjellë vetëm marrëzi. E dinte se askush s’kishte për të fituar, po qe se ai do të vazhdonte ta detyronte atë t’i nënshtrohej, ndaj edhe u mundua t’ia mbushte mendjen e të arsyente me të. Ndoshta e dinte se ç’thoshte Ligji i Perëndisë rreth kësaj gjëje: “Mallkuar qoftë ai që bie në shtrat me motrën e tij, me bijën e atit të tij ose me bijën e nënes së tij!” (Ligji i Përtërirë 27:22). Tamara nuk kishte bërë absolutisht asgjë të gabuar. As nuk e kishte tunduar, as nuk e kishte joshur fare Amnonin. E megjithatë, u bë viktimë e krimit.

Përfundim

Tre burra u përfshinë në këtë vepër të ndyrë. Amnoni – fajtori, Jonadabi – planthurësi dinak, njeriu që e nxiti, dhe Davidi, i cili e lejoi veten të mashtrohej prej të dyve. Davidi duhet të ishte menduar mirë dhe ta kishte kuptuar se diçka s’ishte në rregull. Duhet ta kishte pyetur veten se pse ishte kaq e rëndësishme Tamara për shëndetin e Amnonit. Ndoshta mendjen e kishte të turbulluar prej ngjarjeve, që i kishin ndodhur vetë atij këto kohët e fundit. Të tre këta burra ishin “keqbërës” (vargu 13). Nuk mund ta hedhim dot poshtë faktin se vetë shembulli i keq i Davidit (imoraliteti i tij) ishte bërë shkak i një ligësie të tillë nga ana e të birit. Davidi gjithashtu nuk i kishte rritur siç duhej fëmijët e vet. “Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë, dhe ai nuk do të largohet prej saj edhe kur të plaket” (Fjalët e Urta 22:6). Në studimin tonë të ardhshëm, do të shohim pasojat e mëkatit të Amnonit.  

Mbrapa

Advertisements