Amnoni i paturpshëm – Pasojat

“Por Absalomi nuk i drejtoi asnjë fjalë Amnonit, as për të mirë as për të keq, sepse e urrente Amnonin se kishte poshtëruar motrën e tij Tamara. Dy vjet më vonë, kur Absalomi kishte qethësit e bagëtive në Baal-Hatsroit pranë Efraimit, ftoi të gjithë bijtë e mbretit. Absalomi shkoi të takohet me mbretin dhe i tha: “Shërbëtori yt ka qethësit; të lutem të vijë edhe mbreti me gjithë shërbëtorët e tij në shtëpinë e shërbëtorit tënd!”. Por mbreti i tha Absalomit: “Jo, biri im, nuk po vijmë tani të gjithë, që të mos të të rëndojë”. Megjithëse ai nguli këmbë, mbreti nuk desh të shkonte, por i dha bekimin e tij. Atëherë Absalomi i tha: “Në rast se nuk do të vish ti, të lutem, lejo Amnonin, vëllanë tim, të vijë me ne”. Mbreti iu përgjigj: “Pse duhet të vijë me ty?”. Por Absalomi nguli këmbë aq shumë sa që Davidi lejoi të shkojnë bashkë me të Amnonin dhe gjithë bijtë e mbretit. Absalomi u kishte dhënë këtë urdhër shërbëtorëve të tij, duke thënë: “Hapni sytë, kur Amnoni të jetë dehur nga vera dhe unë t’ju them: “Goditeni Amnonin!,” ju vriteni dhe mos kini frikë. A nuk jam unë që ju urdhëroj? Bëhuni trima dhe tregohuni të fortë!”. Kështu shërbëtorët e Absalomit vepruan kundër Amnonit, ashtu si kishte urdhëruar Absalomi. Atëherë tërë bijtë e mbretit u ngritën, hipën secili mbi mushkën e vet dhe ua mbathën. Ndërsa ishin akoma rrugës, Davidit i arriti ky lajm: “Absalomi ka vrarë tërë bijtë e mbretit dhe nuk ka shpëtuar asnjëri prej tyre”. Atëherë mbreti u ngrit, grisi rrobat e tij dhe u shtri për tokë; dhe të gjithë shërbëtorët e tij, i rrinin rrotull, me rrobat e grisura. Por Jonadabi, bir i Shimeahut dhe vëlla i Davidit, tha: “Të mos mendojë zotëria im që tërë të rinjtë, bijtë e mbretit, u vranë; Amnoni është i vetmi që vdiq. Me urdhër të Absalomit kjo gjë u vendos që ditën që Amnoni poshtëroi motrën e tij Tamara. Prandaj mbreti, zotëria im, të mos hidhërohet duke menduar se të gjithë bijtë e mbretit kanë vdekur; vetëm Amnoni ka vdekur, dhe Absalomi ka ikur” (2 Samuelit 13:22-34).

Parathënie

Kishin kaluar dy vjet, para se Absalomi të merrte vendim se kishte ardhur koha, për t’u hakmarrë kundra Amnonit, për atë që i kishte bërë ai motrës së Absalomit, Tamarës. Absalomi vetë nuk ishte aspak shenjtor, por, nga ana njerëzore, e kuptojmë se përse ndihej i inatosur dhe e ndjente të domosdoshme të hakmerrej kundra ligësisë së Amnonit.

Pritja e Absalomit

Absalomi vendosi të priste, deri të gjente momentin e përshtatshëm për t’u hakmarrë ndaj Amnonit. Pa dyshim që Amnoni kishte kujtuar se Tamara nuk i kishte treguar askujt për atë që kishte ndodhur, ndaj edhe Amnoni kujtonte se ia kishte hedhur të gjithëve. Por Absalomi, me dinakëri, thjesht po mundohej ta bënte Amnonin të kujtonte se ishte tanimë jashtë rrezikut. Nga pamja e jashtme, një indiferencë e tillë kishte për të sjellë rezultat. Për dy vjet me rradhë, Absalomi e mbajti gojën mbyllur dhe nuk e la veten të dukej i inatosur. Por përbrenda, ai e urrente Amnonin me shumë pasion dhe ëndërronte se si e si ta vriste.

Dëshira e Absalomit

Ashtu siç e pamë edhe tek historia e Nabalit, qethja e deleve ishte një rast feste dhe gostije mes miqve, shokëve e pjesëtarëve të tjerë të familjes (1 Samuelit 25). Absalomi e kuptoi se mund ta përdorte këtë rast si mjet për vrasjen e Amnonit. Mund të na duket çudi se pse nuk kishte vepruar kështu edhe më parë, p.sh.  vitin e kaluar. Por të mos e harrojmë se ai donte që Amnoni të kujtonte se mëkati i ishte falur dhe i ishte harruar. Po qe se do t’i ishte dërguar Amnonit ftesë që në vitin e parë pas ngjarjes, atëherë ai do të kishte patur dyshime dhe nuk do të kishte marrë pjesë farë në gosti.

Absalomi e ftoi Davidin, të atin dhe vëllezërit e tij të tjerë në festë, por ka të ngjarë që ta kishte ditur se mbreti nuk do të vinte. Po iu duk sikur po i prishej plani, kur mbreti nuk pranoi që t’i linte bijtë e tij të shkonin në gosti, ndaj edhe Absalomi iu lut e iu përgjërua Davidit, derisa ai e la Amnonin që të shkonte. Pa dyshim që Absalomi do të ketë bërë gjoja sikur ishte ofenduar, që asnjëri prej familjes së tij nuk po vinte për të festuar së bashku me të. Ka të ngjarë që Davidi të kishte patur ca dyshime të vetat rreth arsyes së pranisë së Amnonit në festë. Por Absalomi qe në gjendje t’ia hidhte edhe të atit. Përsëri, pra, Davidi nuk arrin ta dallojë dot karakterin e ligë të të birit dhe e lejoi jo vetëm Amnonin, por edhe të gjithë bijtë e tjerë, që të shkonin tek shtëpia e Absalomit, me qëllim që “ta përkrahnin njëri-tjetrin me një harmoni e një dashuri vëllazërore” (Nga komentimi që i bëjnë Biblës autorët Xhejmisën, Foset dhe Braun).

Absalomi iu dha urdhër shërbëtorëve të vet, që ta shikonin derisa Amnoni të dehej mirë, në mënyrë që ta vriste. Ka të ngjarë që reputacionin e Amnonit ta dinin të gjithë, ngaqë Absalomi e dinte me saktësi se ç’kishte për të ndodhur, sapo të vihej vera mbi tavolinë. Këtu ia vlen ta përmendim faktin se edhe Davidi i dha gjithashtu alkol Uriahut. S’kaloi shumë kohë dhe shërbëtorët e tij besnikë ia vunë në vend dëshirën dhe urdhërin Absalomit.

Shqetësimi i Absalomit

Të gjithë u larguan nga skena e krimit. Bijtë e Davidit s’kishin patur ndonjë arsye pse të vinin të armatosur në gosti, ndaj edhe ia mbathën, kur e panë të vëllanë të vrarë. Kujtuan se po ndodhte një masakër. Absalomi iku tek i ati i nënës së tij, Talmai, mbreti i Geshurit, ngaqë kishte frikë se mos Davidi dhe vëllezërit e vet do të ktheheshin për t’u hakmarrë ndaj vrasjes sëAmnonit.

Të gjithë ishin të shqetësuar. Shumë shpejt, dikush gabimisht i pruri lajm Davidit, duke i thënë se të gjithë bijtë i ishin vrarë prej Absalomit. Ky lajm e bëri Davidin që t’i griste rrobat dhe të shtrihej përtokë nga hidhërimi. Por më vonë, ai e mori vesh se vetëm Amnoni kishte vdekur. Jonadabi, personi që e kishte inkurajuar Amnonin, që ta përdhunonte Tamarën, ia shpjegon mbretit arsyen pse Absalomi e kishte vrarë të vëllanë. Fakti që Jonadabi ndodhej pranë Davidit atë ditë, na tregon se atë s’e kishte ndëshkuar kush për rolin, që kishte luajtur kundra Tamarës. Është e qartë se ai e dinte mirë planin e Absalomit për ta shkatërruar Amnonin, sepse, edhe para se Davidi të merrte lajmin e saktë për atë që kishte ndodhur, Jonadabi i tha që të mos shqetësohej, se vetëm një djalë i ishte vrarë. Me këtë nënkuptojmë se Jonadabi ishte bërë tani aleat i Absalomit, me qëllim që ta shpëtonte lëkurën e vet.

Përfundim

Amnoni kurrë nuk e mendoi se do t’i ndodhte kështu, kur e përdhunoi Tamarën. Por edhe një mëkat i izoluar lë pasoja për shumë kohë. Madje edhe një mëkat i kryer në fshehtësi lë pasoja hidhërimi dhe gjykimi. Mëkati i një njeriu të vetëm pati ndikim në jetën e shumë njerëzve të tjerë, duke arritur deri aty sa të shkaktonte një luftë civile. Siç e pamë edhe në studimin e kaluar, po qe se Davidi do ta  kishte trajtuar Amnonin sipas Ligjit, nuk do të kishte pse të merrej më me këtë problem. Davidi nuk veproi kështu, ngaqë e donte Amnonin, si birin e tij të parëlindur. Ai kishte besim se Amnoni do të bëhej një ditë mbret.

Mbrapa

Advertisements