Amnoni i paturpshëm – Urrejtja

“Pastaj Amnoni filloi ta urrejë me një urrejtje shumë të madhe, kështu që urrejtja që ndjente për të ishte më e madhe se dashuria me të cilën e kishte dashuruar më parë. Kështu Amnoni i tha: “Çohu, shko!”. Por ajo iu përgjigj: “Oh, jo! Dëmi që do të më bëje duke më përzënë do të ishte më i madh se ai që më ke bërë deri tani”. Por ai nuk deshi ta dëgjojë. Thirri, pra, shërbëtorin që e ndihmonte dhe i tha: “Largoje këtë larg meje dhe mbylle portën prapa saj”. Ajo kishte veshur një tunikë me mëngë, sepse kështu visheshin vajzat e mbretit akoma të virgjëra. Kështu shërbëtori i Amnonit e nxori jashtë dhe mbylli derën prapa saj. Tamara atëherë hodhi mbi kryet e saj, grisi tunikën më mëngë që kishte veshur, vuri dorën mbi kokë dhe iku duke ulëritur. Absalomi, vëllai, i tha: “Ndofta vëllai yt Amnon ka qenë me ty? Tani për tani hesht, motra ime; ai është yt vëlla; mos e lësho veten për këtë”. Kështu Tamara mbeti e dëshpëruar në shtëpinë e Absalomit, vëllait të saj. Kur mbreti David i mësoi të gjitha këto, u zemërua shumë” (2 Samuelit 13:15-21).

Parathënie

E shohim prej vargjeve të mësipërme se sa njeri i ligë dhe i neveritshëm ishte Amnoni. Mori me forcë çfarë i deshi qejfi dhe pastaj e përzuri me forcë atë, që gjoja e donte. Mund ta marrim me mend, pra, se ç’lloj zatrapi kishte për t’u bërë ai, po ta kishte patur jetën e gjatë e të ishte bërë mbret i Izraelit.

Urrejtja

Në studimin e mëparshëm, e pamë se si Amnoni ishte i sëmurë nga dashuria, që kishte për Tamarën. Por tani, ai ishte ngopur me të. Dashuria e tij e apasionuar u kthye shpejt në një urrejtje të apasionuar. E deshi, e pastaj e urreu. Fakti që zemra e tij nuk ishte e kënaqur me atë akt imoral, që kishte kryer ndaj së motrës, na vërteton se Amnoni ishte skllav i mëkatit. Nuk kishte mëkat, që t’ia mbushte boshllëkun e madh, që ndjente në zemër, edhe pse e kishte turpëruar motrën e tij të pastër me një veprim kaq të ulët. “Buka e nxjerrë me hile është e ëmbël për njeriun, por pastaj goja e tij do të mbushet me zaje” (Fjalët e Urta 20:17). Amnoni do të ishte përpjekur të kryente veprime edhe më të këqija, po të mos ndalohej prej dikujt. E dimë se më parë ai iu lut Tamarës, që të qëndronte me të, kurse tani ai i thotë asaj që t’i hiqet qafe. Pa dyshim që prania e saj ishte gjykim i mjaftueshëm për mëkatin që kishte bërë.

I pashpirt

Amnoni mendoi veç për vete, si  kur e kapi Tamarën me forcë, ashtu edhe kur nuk iua vuri veshin lutjeve të saj. Disa komentatorë të Biblës sugjerojnë se, kur ai dha urdhër që t’ia largonin Tamarën dhe t’ia mbyllnin asaj derën nga pas, në fakt ai po mundohej të bënte gjoja sikur ajo e kishte ngacmuar vetë, duke i hyrë me dëshirë në dhomë. Ai p.sh. ishte më i fortë sesa ajo, ndaj s’kishte patur nevojë ta mbante derën mbyllur. Ka të ngjarë, gjithashtu, që ai të ketë patur frikë se mos Tamara do t’i hynte fshehtas në shtëpi për ta vrarë. Sidoqë të ketë qenë puna, ai po përpiqej ta bënte Tamarën të dukej sikur ishte ajo fajtore për atë që kishte ndodhur, e jo ai vetë.

Dëshpërimi

Tamara pa dyshim që ishte tepër e hidhëruar për atë që kishte kaluar, ndaj edhe i grisi rrobat e saj të shtrenjta dhe e mbuloi kokën me hi. Kjo grisje e rrobave të virgjëreshës tregonte se e kishin turpëruar në një farë mënyre. Edhe pse ishte e pafajshme, ajo, në një mënyrë të papërshkruar dot me fjalë, shprehu turpin, që ndjente. Qau, duke ulëritur.

Shumë shpejt, vëllai i saj, Absalomi e mori vesh se e motra po qante dhe e kuptoi shpejt arsyen e këtij hidhërimi. Ndoshta ai, ndryshe nga Davidi, kishte patur dyshime rreth kërkesës së Amnonit, për ta patur Tamarën afër si infermjere. Fakti që ai e pyet Tamarën menjëherë rreth Amnonit, na tregon se ai mund ta kishte vënë re me kohë se ç’njeri i ligë ishte i vëllai. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë është për të të ardhur keq që Davidi vetë nuk ishte në dijeni të karakterit të birit të tij. Absalomi i thotë të motrës, që të mos i tregojë askujt se ç’kishte ndodhur dhe se ai shumë shpejt do ta merrte vetë në dorë situatën. E shohim se si ai u inatos dhe u mërzit shumë rreth poshtërimit të treguar prej Amnonit ndaj Tamarës dhe se nuk kishte për të ndenjur duarkryq, derisa ta shihte të vëllanë të vdekur. Absalomi mund të na duket njeri i qetë, i dashur dhe i përmbajtur, por nga brenda, edhe ai ishte një dem i egër me brirë, që po thurte plane, për t’u hakmarrë kundra të vëllait. Dukej i qetë nga ana e jashtme, ngaqë nuk donte që Amnoni të dyshonte e të largohej nga skena.

Dëshpërimi i Tamarës zgjati gjatë gjithë jetës, sepse asaj do t’i duhej ta kalonte jetën të shkëputur prej shoqërisë. Shtëpia e Absalomit ishte, në fakt, si burg virtual për të. Nuk do t’i lejohej të martohej dot kurrë. Askush nuk do ta donte, as nuk do t’i jepte vendin e nderit, që i takonte në pallatin mbretëror. Nuk duhet t’ia vëmë fajin Absalomit për këtë, sepse ai thjesht u mundua për ta mbrojtur të motrën me aq sa dinte. Për momentin, duket sikur fajtori iua ka hedhur të gjithëve. Por së shpejti, ai ka për të paguar për krimin, që pati kryer.

I pafuqishëm

Na thuhet se Davidi u zemërua shumë me atë, që kishte bërë Amnoni ndaj Tamarës, por reagimi i tij ishte plotësisht i pamjaftueshëm. Duhet ta ketë ditur se ç’thoshte fjala e Perëndisë për një vepër të tillë të ligë, por nuk arriti ta vinte dot drejtësinë në vend. “Në qoftë se dikush merr motrën e vet, bijën e atit të tij ose bijën e nënës së tij dhe sheh lakuriqësinë e saj dhe ajo sheh lakuriqësinë e tij, ky është një turp; të dy do të shfarosen në sytë e bijve të popullit të tyre; ai ka zbuluar lakuriqësinë e motrës së vet; do të mbajë dënimin e paudhësisë së tij” (Levitikut 20:17). Kërkohej dënimi me vdekje, por ky dënim u neglizhua. Davidi, jo vetëm që u tregua i pafuqishëm, por po i çonte gjithashtu një mesazh të gabuar edhe familjes dhe mbretërisë së tij. “Nuk u gjet fare një ndëshkim për Amnonin? Ai, djali i madh i mbretit, u lejua që të qëndronte i lirë në pallatin mbretëror, pa u korrigjuar fare prej të atit, pa u ndaluar që të kishte një ndikim negativ në jetën e fëmijëve të tjerë të mbretit dhe pa u parandaluar, për të kryer ligësi të tjera” (W. G. Blleik). Davidi, duke e mbajtur gojën mbyllur e duke mos u marrë fare me këtë çështje, iua hapi rrugën problemeve të tjera në vazhdim, e sidomos vrasjes së Amnonit prej Absalomit. Ndoshta Davidi mendonte se nuk mund të bënte dot gjë, ngaqë ai vetë e kishte kompromentuar veten me Bathshebën.       

Përfundim

E shohim përsëri, pra, se si asnjë burrë, apo grua nuk mëkaton vetëm, por çdo mëkat ka sadopak ndikim tek të tjerët. Herët a vonë, krimi i një personi dëmton jetën e shumë vetave. Absalomi do të merrte hak kundra Amnonit pas dy vjetësh, gjë që do të thotë se gjatë gjithë asaj kohe zemërimi i ishte shtuar edhe më shumë, në vend që t’i zbutej. Davidi ishte gabuar, po qe se kishte kujtuar se problemi do të zgjidhej vetvetiu dhe do të harrohej shpejt.

Mbrapa

Advertisements