Amoni i urryer

“Mbas këtyre gjërave, mbreti i bijve të Amonit vdiq dhe biri i tij Hanun mbretëroi në vend të tij. Davidi tha: “Unë dua të sillem me Hanunin, birin e Nahashit, me po atë dashamirësi që i ati tregoi ndaj meje”. Kështu Davidi dërgoi shërbëtorët e tij për ta ngushëlluar për humbjen e atit. Por kur shërbëtorët e Davidit arritën në vendin e bijve të Amonit, krerët e bijve të Amonit i thanë Hanunit, zotërisë së tyre: “Beson me të vërtetë që Davidi të ka dërguar njerëz për ngushëllim për të nderuar atin tënd? A nuk të ka dërguar përkundrazi shërbëtorët e tij për të vëzhguar qytetin, për të spiunuar dhe për të shkatërruar atë?”. Atëherë Hanuni i zuri shërbëtorët e Davidit, i detyroi të rruajnë gjysmën e mjekrës dhe të presin për gjysmë rrobat e tyre deri në vithe, pastaj i la të shkojnë. I informuar për këtë ngjarje, Davidi dërgoi disa persona për t’i takuar, sepse këta njerëz e ndjenin veten shumë të turpëruar. Mbreti dërgoi t’u thonë: “Rrini në Jeriko sa t’ju rritet mjekra, pastaj do të ktheheni”. Kur bijtë e Amonit e kuptuan që ishin bërë të urryer për Davidin, dërguan të rekrutojnë njëzet mijë këmbësorë te Sirët e Beth-Rehobit dhe te Sirët e Tsobas, një mijë njerëz të mbretit të Maakahut dhe dymbëdhjetë mijë nga njerëzit e Tobit” (2 Samuelit 10:1-6).

Parathënie

Në studimin e kaluar, e pamë se si Davidi u soll me dashamirësi ndaj Mefiboshethit. Në këtë studim, Davidin e shohim të sillet në të njëjtën mënyrë edhe me Amonitët. Por kësaj here, dashamirësia e tij hidhet poshtë prej Hanunit, mbretit të ri të bijve të Amonit.

Dora e miqësisë

Davidi po përpiqet t’iu zgjasë Amonitëve dorën e miqësisë, ngaqë në të shkuarën mbreti Nahash ishte sjellë mirë me të. Davidi ndoshta u dëshpërua, kur mori vesh lajmin e vdekjes së Nahashit, ndaj edhe e mori vetë përsipër detyrën e të ngushëlluarit të birit të mbretit. Edhe pse nuk e dimë me saktësi se në ç’mënyrë ishte sjellë mirë mbreti me Davidin, mund ta imagjinojmë se ndihma që Nahashi i kishte dhënë Davidit do të kishte qenë aq e madhe, saqë Davidi nuk e kishte harruar mbretin edhe pas vdekjes së tij. Ka të ngjarë që Nahashi të kishte lidhur një marrëveshje me Davidin, thjesht ngaqë atij i duhej dikush, që ta ndihmonte, atëherë kur ta sulmonte Sauli. Ka të ngjarë gjithashtu që ai të ishte bërë mik i Davidit, atëherë kur Davidin po e ndiqte Sauli. Dashamirësia që Davidi donte të tregonte ndaj Hanunit, dilte prej një zemre mirënjohëse. “Njeriu që ka shumë miq duhet gjithashtu të tregohet mik” (Fjalët e Urta 18:24). Është interesant fakti se Amonitët ishin pasardhës të familjes së Lotit (Zanafilla 19:36-38).

Davidi i dërgoi Hanunit disa prej shërbëtorëve të tij me një mesazh ngushëllues, në kohën që ai po vajtonte për të atin. Në një mesazh të tillë ka të ngjarë të ishte përfshirë edhe kërkesa që paqja dhe miqësia mes të dyja palëve (Amonitëve dhe Izraelitëve) të vazhdonte akoma. Pa dyshim që në mesazh përfshiheshin edhe urimet e mira për kurorëzimin e Hanunit si mbret. Kështu pra, mesazhi i Davidit u dërgua si bekim i dalë nga zemra, pa patur asnjë qëllim të keq.

Armiqësia

Këshilltarët e Hanunit nuk kishin besim se Davidi po përpiqej për të lidhur miqësi me Amonitët, ndaj edhe votuan që ta hidhnin poshtë mesazhin e tij. Sipas tyre, shërbëtorët e Davidit nuk kishin ardhur për ngushëllim, por për spiunim. Kujtuan se Davidi kishte qëllime të mbrapshta, të sheqerosura me dashamirësi fallco. Ç’është më e keqja, Hanuni iu zuri besë këtyre këshilltarëve, në vend që t’i besonte mesazhit të Davidit dhe miqësisë së dikurshme të atit të tij me të. Në një mënyrë të ashpër dhe ofenduese, ai e hodhi poshtë kërkesën e Davidit për paqe. Kishte si synim t’i dërgonte Davidit një mesazh të qartë, që nuk mund të keqkuptohej kollaj, d.m.th. bijtë e Amonit ishin tani armiqtë e Izraelit.

Në atë kohë, rruajtja e mjekrës konsiderohej si një ofezë e madhe dhe fakti që shërbëtorëve iua rruajtën vetëm gjysmën e mjekrës, ishte një ofezë akoma edhe më çnderuese për ta. Duke i trajtuar ambasadorët në këtë mënyrë, Amonitët po i thonin Davidit se do të vepronin njëlloj edhe ndaj tij, po ta kapnin. Veprimet e tyre tregonin qartë mungesën e respektit, që kishin për Davidin. Të prerit përgjysëm të rrobave të shërbëtorëve deri në vithe ishte gjithashtu një shenjë përuljeje dhe talljeje ndaj tyre, sepse atyre do t’iu duhej të iknin prej Amonit dhe të shkonin në Jeruzalem, duke dëgjuar gjatë gjithë rrugës talljet dhe përqeshjet e kalimtarëve. Ambasadorët e Davidit u bënë, pra, ‘kllounët’ e bijve të Amonit.

Urrejtja

Shërbëtorëve të Davidit iu erdhi turp të hynin në Jeruzalem në atë gjendje që ishin. Pa dyshim që do të ndiheshin edhe më të turpëruar, nëse ndonjëri prej izraelitëve do të tallej me ta. Davidi u mundua t’i ngushëllonte, sidomos ngaqë ata kishin qenë përfaqësuesit e tij të bindshëm.

Hanuni do ta kishte marrë vesh reagimin e Davidit ndaj keqtrajtimit që ai iu bëri shërbëtorëve të tij. Shumë shpejt, Hanuni deklaroi një gjendje emergjence në mbarë kombin. Jo vetëm që e kishte ofenduar Davidin, por i kishte shpallur luftë Izraelit. Çfarë tragjedie kishte për t’i sjellë kombit ky akt i marrë! “Kur të drejtët shumohen, populli gëzohet, por, kur sundon i pabesi, populli rënkon” (Fjalët e Urta 29:2). Sa shpejt iu kthye Amonitëve e qeshura në lotë! Të gjithë tani e dinin se sa shumë i urrente Davidi. Kjo tregon se tani ata e kishin kuptuar plotësisht se sa të neveritshme kishin qenë veprimet e tyre. Nuk e kishin fajin të tjerët, por vetë populli i Amonit kishte marrë pjesë në përuljen dhe përqeshjen e miqve të tyre.

Ndoshta Hanuni e kuptoi budallallëkun e vet. S’kishte si të pajtohej tani me Davidin. Madje as që nuk u përpoq të pajtohej, por duke e ditur se kombi i tij nuk ishte në gjendje t’ia dilte ballë sulmit të armiqve, filloi të grumbullonte 33.000 ushtarë mercenarë prej Mesopotamisë, Sirisë dhe vendeve të tjera. E shohim qartë, pra, se ky i marrë, që ia vuri veshin këshillës së gabuar, tani po i acaronte edhe më shumë gjërat.

Përfundim   

Do ta shohim fundin e kësaj ngjarjeje në studimin tonë të ardhshëm. Por e kuptojmë qartë se në ç’situatë të ngatërruar e kishte futur Hanuni veten dhe kombin. Nuk kishte patur asnjë arsye pse ta refuzonte kërkesën e Davidit për vazhdimësinë e paqes. Nuk kishte patur, për më tepër, as edhe një arsye pse t’i keqtrajtonte në atë mënyrë ambasadorët e Davidit.

Mbrapa

Advertisements