Armiqtë e kryqit

“Bëhuni imituesit e mi, vëllezër, dhe vëreni ata që ecin kështu, sipas shëmbullin që keni në ne. Sepse shumë nga ata, për të cilët ju kam folur shpesh, edhe tani po jua them duke qarë, ecin si armiq të kryqit të Krishtit, dhe fundi i tyre është humbje, perëndia i tyre është barku dhe lavdia e tyre është në turp të tyre; ata mendojnë vetëm për gjërat tokësorë” (Filipianëve 3:17-19).

Parathënie

A jemi shembull për botën, për familjen dhe për miqtë e shokët që na rrethojnë? Mënyra jonë e jetesës lë mbresa dhe ka ndikim tek të tjerët, duke i bërë ata të mendojnë ose më shumë, ose më pak rreth Krishtit. Bota na shikon se si sillemi, ndaj edhe duhet të sigurohemi mirë, që jeta jonë të jetë shembull për të tjerët.

Shembuj

Pali kishte si dëshirë që ta kënaqte Zotin nga të gjitha anët. Me këto vargje ai na sugjeron se duhet të ndjekim të njëjtin parim, që ndoqi edhe ai, d.m.th. të synojmë lart e më lart, kur vjen puna për t’i shërbyer Perëndisë. Ai e ofron veten si shembull për të tjerët, ashtu si një baba me fëmijën e tij. “Bëhuni pra imitues të Perëndisë, si bij shumë të dashur” (Efesianëve 5:1). Fakti që Pali ishte një njeri i apasionuar pas Krishtit, na bën ta kuptojmë edhe më mirë arsyen pse Zoti e përdori atë kaq fuqishëm. “Zelli im të tret, sepse armiqtë e mi kanë harruar fjalët e tua” (Psalmi 119:139). Folja “vëreni” ka kuptimin “mbajini shënim”, ashtu siç mund të mbajmë shenjë, kur gjuajmë me shigjetë. Në fushën e kriminologjisë, fjala “vërej” i referohet hajdutit, që ka kohë që e ka marrë shenjë atë njeri, të cilit do t’i vjedhë diçka. Bibla është e mbushur plot e përplot me shembuj të mirë të atyre, që gjatë historisë njerëzore kanë jetuar një jetë të perëndishme, ndaj edhe nuk kemi pse të justifikohemi se nuk kemi “shenja”. “Më imitoni mua, ashtu si unë jam imitues i Krishtit” (1 Korintasve 11:1). Ata që janë drejtues kishash, duhet të jenë gjithmonë “shembull për tufën” (1 Pjetrit 5:3). Është për të të ardhur keq, pra, kur pastorë të ndryshëm e çojnë kishën e tyre në rrugë të gabuar. Ata kanë për të marrë “një gjykim më të ashpër” (Jakobi 3:1).

Nuk është gabim ta imitosh atë, që jeton vërtet një jetë të perëndishme. Zoti nuk e ka problem, nëse kemi dalë të gjithë prej të njëjtit kallëp! Fjala “shembull” (në greqisht “tupon”) i referohet vulës, që lë boja mbi një sipërfaqe të caktuar, apo plagës që lë grushti i boksjerit mbi faqen e kundërshtarit. Kështu, pra, ata që janë pasues të Jezusit, duhet t’iu lënë të tjerëve mbresa të veçanta. A jemi shembuj të mirë të krishtërimit? “Askush të mos e shpërfillë moshën tënde të re, por bëhu shembull për besimtarët në fjalë, në sjellje, në dashuri, në Frymë, në besim dhe në dëlirësi” (1 Timoteut 4:12)… “Duke e nxjerrë në çdo gjë veten tënde si shembull veprash të mira, duke treguar në mësim pastërti, dinjitet, paprishshmëri, një e folur e shëndoshë e të paqortueshme, që kundërshtari të turpërohet e të mos ketë të flasë asgjë të keqe për ju” (Titit 2:7-8).

Armiqtë

Vini re se si Pali përdor fjalën “ecin”, kur iu referohet armiqve të kryqit, për të na treguar se ka nga ata, që thonë se janë të krishterë, por në të vërtetë janë armiq të Krishtit. Fatkeqësisht, armiqtë më të mëdhenj të kishës ndodhen brenda saj. Këta janë ata që hiqen si të krishterë, por që e korruptojnë ungjillin, duke jetuar jetë imorale dhe duke predikuar mësime fallco. “Armiq” të tillë kanë hyrë në gjirin e kishës dhe kanë përhapur doktrina të liga. “Por ka pasur edhe profetë të rremë midis popullit, ashtu si do të ketë midis jush mësues të rremë, të cilët do të fusin fshehurazi herezi shkatërruese dhe, duke mohuar Zotërinë që i bleu ata, do të tërheqin mbi vete një shkatërrim të shpejtë. Dhe shumë vetë do të ndjekin doktrina shkatërruese të tyre dhe për shkak të tyre udha e së vërtetës do të shahet. Dhe në lakminë e tyre do t’ju shfrytëzojnë me fjalë të shpifura, por ndëshkimi i tyre që moti nuk vonon dhe shkatërrimi i tyre nuk po dremit” (2 Pjetrit 2:1-3). Në doktrinat e tyre shkatërruese futen të gjitha aktivitetet mishore, që vihen re edhe sot në kishat tona. Njerëz të tillë janë kompromentues nga natyra dhe e kanë holluar dhe shtrembëruar ungjillin, me qëllim që të tjerët t’iu shkojnë pas. “I cili nuk është tjetër; por ka disa njerëz që ju turbullojnë dhe që duan ta shtrëmbërojnë ungjillin e Krishtit” (Galatasve 1:7). Pali derdhi shumë lot për këtë çështje, ngaqë nuk kishte qejf t’i paralajmëronte vazhdimisht kishat e ndryshme rreth mësuesve të rremë dhe doktrinave të tyre të liga. “Rrëke lotësh zbresin nga sytë e mi, sepse nuk respektohet ligji yt” (Psalmi 119:136). Vërtet që është shumë e rëndësishme që ta ndjekim shembullin e mirë, por, në të njëjtën kohë, duhet t’iu mënjanohemi atyre, që nuk jetojnë sipas standarteve të Biblës.

Edhe Pali, ashtu si Pjetri, na thotë se njerëz të tillë po shkojnë drejt shkatërrimit, d.m.th. ata nuk janë të shpëtuar. Vini re se si ai përdor fjalën “humbje”, d.m.th. një gjykim i tillë do të jepet prej vetë Gjykatësit të Madh. Ata janë “armiq të kryqit”, ngaqë predikojnë një versjon tjetër jo-biblik lidhur me shpëtimin. Në përgjithësi, ka tre doktrina të gabuara rreth shpëtimit: 1. Perëndia e detyron me forcë njeriun që të shpëtohet, pavarësisht nëse do apo jo ai që të shpëtohet. 2. Veprat e mira të bamirësisë të sjellin shpëtim. 3. Perëndia nuk çon asnjë në Ferr – të gjithë kanë për t’u shpëtuar. Zoti kurrë nuk i lavdëron doktrinat fallco, sidomos kur ato kanë ndikim negativ në shpirtin e njeriut dhe i bëhen pengesë atij për shpëtim. Secila prej ideve të lartpërmendura e mohon punën e vlefshme të Krishtit mbi kryq. “Humbja”, pra, është me të drejtë fundi i atyre, që e mohojnë kështu Krishtin. “Dhe ata do të shkojnë në mundim të përjetshëm, dhe të drejtët në jetën e përjetshme” (Mateu 25:46)… “Ndërsa atyre që kundërshtojnë e nuk i binden së vërtetës, por i binden padrejtësisë, indinjatë dhe zemërim. Mundim dhe ankth mbi çdo shpirt njeriu që bën të ligën, Judeut më parë e pastaj Grekut” (Romakëve 2:8-9)… “Kurse juve, të munduarve, të preheni bashkë me ne, kur Zoti Jezu Krisht të shfaqet nga qielli me engjëjt e pushtetit të vet, në një zjarr flakërues, për t’u hakmarrë kundër atyre që nuk njohin Perëndi, dhe të atyre që nuk i binden ungjillit të Zotit tonë Jezu Krisht. Ata do të ndëshkohen me shkatërrim të përjetshëm, larg nga fytyra e Zotit dhe nga lavdia e fuqisë së tij” (2 Thesalonikasve 1:7-9). Njerëz të tillë kanë për t’u konsideruar të pavlerë dhe të padenjë për të hyrë në Mbretërinë e Perëndisë.

Pali iu thotë edhe një fjalë të fundit gjykimi atyre besimtarëve të rremë të kishës – perëndia i tyre është barku, d.m.th. oreksi dhe dëshirat e ndryshme mishore. Njerëz të tillë e përqëndrojnë vëmendjen më shumë tek gjërat mëkatare sesa tek ato shpirtërore. Janë egoistë, të pangopur me botën, por që po vdesin nga uria, kur vjen puna për fjalën e Perëndisë. Ndoshta Palit iu kujtua historia e Ciklopit, e shkruar prej Europidit (autor grek, lindi në vitin 480 – vdiq në vitin 406 para Krishtit). Ciklopi i Europidit tha kështu: “Nuk i ofroj flijime asnjë perëndie, përveç vetes sime – barkut tim, më të madhit perëndi”. Njerëz të tillë, pra, e trajtojnë krishtërimin si lojë, duke menduar gjithmonë se ç’mund të përfitojnë për vete. Ata janë njëlloj si bisha me një sy, të pangopur, që s’kanë turp ta quajnë veten “perëndi”. “Tani unë ju bëj thirrje, o vëllezër, të ruheni nga ata që shkaktojnë përçarje dhe skandale kundër doktrinës që keni mësuar dhe të largoheni nga ata; sepse ata nuk i shërbejnë Zotit tonë Jezu Krisht, por barkut të tyre, dhe me fjalë të ëmbla dhe të bukura gënjejnë zemrat e të thjeshtit?” (Romakëve 16:17-18).

“Lavdia e tyre është në turp të tyre”. Të tillë njerëz nuk i thurin lavde Zotit. Ata jetojnë, duke e interpretuar Biblën si t’iua dojë qejfi. Kënaqen, kur të tjerët gënjehen me pamjen e tyre të jashtme, në një kohë që vetë e ofendojnë drejtësinë dhe shenjtërinë. “Sepse i pabesi mburret me dëshirat e shpirtit të tij, bekon grabitqarin dhe përbuz Zotin.I pabesi, me arrogancën e fytyrës së tij, nuk e kërkon Zotin; tërë mendimet e tij janë: “Perëndia nuk ekziston” (Psalmi 10:3-4). Mendjen e kanë veç tek gjërat e kësaj bote. “Dhe dije këtë: në ditët e fundit do të vijnë kohë të vështira, sepse njerëzit do të jenë egoistë, lakmues parash, mburravecë, krenarë, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të paudhë, të padhembshur, të papajtueshëm, shpifës, të papërmbajtur, mizorë, që s’e duan të mirën, tradhtarë, kokëshkretë, fodullë, dëfrimdashës më fort se perëndidashës, të perëndishëm në dukje, por mohues të fuqisë së saj; edhe nga këta largohu” (2 Timoteut 3:1-5).

Përfundim                     

Pali nuk i konsideronte “armiqtë e kryqit” si vëllezër me gabime, por përkundrazi, si “punëtorë të këqij” (Filipianëve 3:2), të cilët e kishin mallkuar vetë shpirtin dhe ishin përgjithmonë të humbur. Ai as nuk iu dha leje njerëzve të tillë, që të kishin ndikim sado të vogël tek ata, që me të vërtetë e donin Zotin, as nuk e bëri një sy qorr e një vesh shurdh, kur erdhi puna për t’i kritikuar doktrinat e tyre të rreme, apo aktivitetet e tyre mishore e mëkatare. Pali do të habitej, po ta shikonte gjendjen e sotshme të kishës e sidomos, kur ka nga ata të krishterë që thonë se mund ta “hanë mishin pa i gëlltitur kockat”! Njerëz të tillë nuk e duan sa duhet as Zotin, as fjalën e Tij. Pali do t’i qortonte, duke iu thënë se nuk ishin miq të Krishtit. Ai e dinte mirë se natyra jonë mishore gënjehet kollaj prej sharlatanëve, ndaj edhe i inkurajoi besimtarët që të gjejnë njerëz të mirë e t’i marrin ata si shembull në jetë. Pali do të binte dakort me Pjetrin, kur ai tha se shembulli më i mirë për ne është vetë Krishti. “Sepse për këtë ju u thirrët, sepse edhe Krishti e vuajti për ne, duke ju lënë një shembull, që të ecni pas gjurmës së tij” (1 Pjetrit 2:21).

Mbrapa

Advertisements