Arroganca e Abnerit

“Ndërkohë Abneri, bir i Nerit, komandant i ushtrisë së Saulit, mori Ish-Boshethin, birin e Saulit, dhe e çoi në Mahanaim; dhe e bëri mbret të Galaadit, të Ashuritëve, të Jezreelit, të Efraimit, të Beniaminit dhe të tërë Izraelit. Ish-Boshethi, bir i Saulit, ishte dyzet vjeç kur filloi të mbretërojë mbi Izrael dhe mbretërimi i tij vazhdoi dy vjet. Por shtëpia e Judës shkonte pas Davidit. Koha që Davidi mbretëroi në Hebron mbi shtëpinë e Judës ishte shtatë vjet e gjashtë muaj” (2 Samuelit 2:8-11).

Parathënie   

S’kish kaluar shumë kohë që Davidi kishte filluar të mbretëronte mbi Judën, kur armikut të tij, Saul, ia zuri vendin një armik tjetër. Abneri, i cili ishte komandanti i ushtrisë së Saulit, mori hak, duke e vendosur Ish-boshethin në fronin e Izraelit, me shpresën se kjo do ta zemëronte Davidin dhe do t’i pengonte izraelitët, që t’i shkonin pas atij.

Provokimi

Fjala “ndërkohë” na tregon se mbretërimi i Davidit nuk kishte për të qenë pa probleme dhe se ai do t’i kishte gjithnjë pranë armiqtë e vet. Sapo fillon puna e Perëndisë, djalli afrohet dhe përpiqet për ta shkatërruar këtë punë. Abneri ishte thjesht vegla e Satanait, për t’i shkaktuar Davidit aq shumë shqetësime e probleme, sa të kishte mundësi.

Abneri e dinte mirë se ç’po bënte. E dinte se Davidi ishte ai, që duhej të mbretëronte si mbi Izraelin, ashtu edhe mbi Judën. “Ta kaloj mbretërinë nga shtëpia e Saulit dhe të vendosë fronin e Davidit mbi Izrael dhe mbi Judën, nga Dani deri në Beer-Sheba” (2 Samuelit 3:10). E dinte se Davidi ishte mbreti i vajosur i Perëndisë, sepse e kishte dëgjuar vetë këtë gjë prej gojës së Saulit. “Tani e di me siguri që ti do të mbretërosh dhe që mbretëria e Izraelit do të jetë e qëndrueshme në duart e tua” (1 Samuelit 24:20)… ““Qofsh i bekuar, biri im David. Ti do të bësh vepra të mëdha dhe ke për të dalë me siguri fitimtar”” (1 Samuelit 26:25). E dinte se pleqtë e Izraelit ishin gati ta pranonin Davidin si mbret. “Pastaj Abneri u drejtoi fjalën pleqve të Izraelit, duke thënë: “Prej shumë kohe kërkoni Davidin si mbretin tuaj” (2 Samuelit 3:17). E shohim, pra, se Abneri, nuk po kërkonte ta nderonte Saulin, duke ia bërë djalin mbret, por po përpiqej ta provokonte qëllimisht Davidin.

Kukulla

Ish-boshethi ishte thjesht një kukull një duart e Abnerit. Ai e kontrollonte si t’i donte qejfi. “Nga ambicja dhe dëshira për të sunduar vetë, Abneri e bëri Ish-boshethin mbret, ngaqë e dinte se Ish-boshethi vetëm emrin do ta kishte mbret, kurse fuqinë e autoritetin do ta kishte Abneri” (Gjon Uesli). Po t’i jepej mundësia, Abneri do ta merrte vetë nën zotërim fronin e mbretit, sepse në fakt, ai ishte sunduesi i vërtetë i Izraelit. Me pak fjalë, pra, Abneri nuk donte ta kishte Davidin si mbret.

Emri “Ish-bosheth” do të thotë “njeri i turpit”. Ky emër u përdor prej Abnerit për ta turpëruar Ish-boshethin. Kur u lind, Ish-boshethit ia vunë emrin Eshbaal, dhe fjala “baal” do të thotë “turp”. Nëpërmjet këtij emri, pra, e shohim rebelimin e Saulit ndaj Perëndisë. “Saulit i lindi Jonathani, Malkishua, Abinadabi dhe Eshbaali” (1 Kronikasve 8:33). Ish-boshethi duhet ta ketë ditur se Davidit i ishte premtuar froni i mbretit, sepse Samuelit e kishte deklaruar hapur fundin e mbretërisë së Saulit. Për më tepër, Ish-boshethi duhet ta ketë dëgjuar vetë të atin të fliste rreth këtij fakti. “Tani përkundrazi mbretëria jote nuk ka për të vazhduar, Zoti ka kërkuar një njeri simbas zemrës së tij, dhe Zoti e ka caktuar princ të populli të tij, sepse ti nuk ke respektuar atë që Zoti të pati urdhëruar… Zoti hoqi sot nga duart e tua mbretërinë e Izraelit dhe ia dha një tjetri, që është më i mirë se ti… Zoti e shkëputi mbretërinë nga duart e tua dhe ia dha një tjetri, Davidit” (1 Samuelit 13:14, 15:28, 28:17). Ish-boshethi mund të mos ketë qenë një udhëheqës i fortë, por, prapëseprapë, ai, me dëshirën e vet, i shkoi nga pas Abnerit, ndoshta ngaqë kishte frikë prej tij. “Ish-Boshethi nuk iu përgjigj dot as edhe me një fjalë të vetme Abnerit, sepse ia kishte frikën” (2 Samuelit 3:11).

Mahanaimi ndodhej në anën lindore të Jordanit dhe u zgjodh si kryeqendra e Ish-boshethit, ngaqë, që prej disfatës së Saulit, filistenjtë ishin tanimë nën kontroll të shumicës së Izraelit. Ish-boshethi mbretëroi mbi Izraelin për dy vjet, “para se të niste lufta” (Mateo Henri). “Dy vjet, d.m.th. para se të niste lufta, e cila zgjati për 5 vjet me rradhë” (Gjon Uesli). Vargu 10-të, pra, na tregon sesa i gjatë ishte intervali i kohës prej kurorëzimit të Ish-boshethit e deri tek lufta civile e jo kohën e saktë të mbretërimit të tij. Kjo ka më shumë kuptim, po t’i marrim në konsideratë numrat, që na jepen tek vargu 11-të, d.m.th. Davidi e filloi mbretërimin e tij mbi Izraelin mbas 7 vjet e gjysëm, pasi kishte filluar të mbretëronte mbi Judën, ndërkohë që lufta civile zgjati 5 vjet.

Dërgimi i Ish-boshethit në Mahanaim kishte si qëllim ta përçante edhe më shumë kombin dhe t’iua largonte izraelitëve dëshirën për të patur një tokë të bashkuar. Abneri e dinte gjithashtu se ai nuk do të ishte më me pozitë të lartë, po qe se Davidi do të mbretëronte si mbi Judën, ashtu edhe mbi Izraelin, sidomos ngaqë u zu duke fjetur në krye të detyrës, kur duhej të kishte qenë duke e ruajtur mbretin Saul. “Davidi i tha kështu Abnerit: “A nuk je një njeri trim? Dhe kush është baraz me ty në Izrael? Pse, pra, nuk e ruajte mirë mbretin, zotërinë tënde? Njëri nga populli erdhi në fakt për të vrarë mbretin, zotërinë tënde. Ajo që ke bërë nuk është aspak e mirë. Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, ju meritoni vdekjen, sepse nuk e keni ruajtur mirë zotërinë tuaj, të vajosurin e Zotit! Dhe tani shiko ku është shtiza e mbretit dhe kana e ujit që ishte pranë kokës së tij!” (1 Samuelit 26:15-16). Mos vallë, Abneri ishte një frikacak i pamëshirshëm? Ai ishte vërtet komandant i ushtrisë së Izraelit, por, pas betejës kundër filistenjve, ai kishte shpëtuar gjallë, ndërkohë që mbreti dhe bijtë e tij kishin vdekur. Kështu, pra, Abneri po vepronte i shtyrë nga interesi vetjak e jo nga dëshira për ta mbrojtur familjen, apo mbretërinë e Saulit, edhe pse ai ishte kushëriri i mbretit. Ish-boshethi ishte thjesht një mjet për t’ia arritur qëllimit, një mjet për t’u përdorur kundër Davidit.

Përfundim   

Armiqtë e punës së Perëndisë janë gjithmonë afër dhe janë gati të bëjnë ç’ka kanë mundësi, për ta penguar e për ta shkatërruar këtë punë. Në studimet e ardhshme, do ta shohim më mirë zemrën e ligë të Abnerit, tek përpiqet për të filluar luftën civile.

Mbrapa

Advertisements