Bariu i Goditur dhe Delet e Shpërndara

Në këtë studim, do të vërejmë se si, në momente vështirësish apo persekucioni, ata që thonë se janë besimtarë, e mohojnë shpejt Zotin e tyre. Sasia e besimit tonë nuk matet atëherë, kur gjithçka shkon mirë e bukur, por matet atëherë, kur hasemi me probleme: “Prandaj ai që mendon se qëndron më këmbë, le të shohë se mos bjerë” (1 Korintasve 10:12).

Parashikimi

Dhe, mbasi kënduan një himn, dolën dhe u drejtuan nga mali i Ullinjve. Dhe Jezusi u tha atyre: Ju të gjithë do të skandalizoheni me mua sonte, sepse është shkruar: “Do ta godas Bariun dhe delet do të shpërndahen” (Marku 14:26-27).

Atë natë, para se të këndonte gjeli, të gjithë dishepujt do të kryenin të njëjtin mëkat. Jezusi i njihte mirë këta dishepuj, madje edhe para se t’i zgjidhte. Ai iua dinte dobësitë e tyre njerëzore dhe i zgjodhi, pavarësisht nga këto dobësi. Jezusi e dinte fare mirë se të gjithë ata do ta braktisnin në momentin e arrestimit të Tij. Pak rëndësi, pra, kishte nëse këta dishepuj po protestonin kundër fjalëve të Krishtit. Fakti qëndronte këtu se ata ishin të destinuar për të përmbushur profecinë: “Godite bariun dhe delet le të shpërndahen” (Zakaria 13:7).

Duhet të inkurajohemi tek shohim se Zoti nuk i hedh poshtë ata, që i ka zgjedhur Vetë, thjesht ngaqë nuk janë të përsosur. Ai e di se, në momente të caktuara, edhe ne do ta lëmë Atë në baltë, qoftë duke mëkatuar, qoftë duke na ardhur turp që jemi të krishterë. Por, ata që kthehen tek Krishti, gjejnë falje. Perëndia na i di gabimet, por, prapëseprapë, Ai vazhdon të punojë me ne dhe në ne, për të na bërë të përsosur: “Sepse Perëndia është Ai që vepron në ju vullnetin dhe veprimtarinë, sipas pëlqimit të Tij” (Filipianëve 2:13)… “Duke qënë i bindur për këtë, se Ai që nisi një punë të mirë në ju, do ta përfundojë deri në ditën e Jezu Krishtit” (Filipianëve 1:6).

Premtimi

Por, mbasi të ringjallem, Unë do t’ju pararend në Galile” (Marku 14:28).

Ka të ngjarë që dishepujt të mos e kishin dëgjuar këtë premtim të Jezusit. Zemrat i kishin kaq të verbuara, duke kujtuar se ishin në gjendje të qëndronin krah për krah me Zotin, saqë nuk e kuptuan premtimin e ringjalljes. Në momentin kur Jezusi u tradhtua, të gjithë dishepujt e braktisën. Në momentin kur Ai u sakrifikua në kryq, ata ishin të dëshpëruar. Kur u ngrit prej së vdekuri të tretën ditë, ata nuk e besuan. Shpeshherë, e kishin dëgjuar Jezusin tek iu fliste rreth ringjalljes së Vet, por fjalët e Tij s’iu kishin lënë përshtypje të madhe në zemër. Në Ungjillin e Gjonit, është interesante të vërejmë se si Jezusi,  pasi iu tregoi dishepujve se do ta mohonin, iu tha: “Zemra juaj mos u trondittë; besoni në Perëndi dhe besoni edhe në Mua! Në shtëpinë e Atit Tim ka shumë banesa; përndryshe do t’ju thoja. Unë po shkoj t’ju përgatis një vend. Dhe kur të shkoj e t’ju përgatis vendin, do të kthehem dhe do t’ju marr pranë Meje, që aty ku jam Unë, të jeni edhe ju” (Gjoni 14:1-3).

Sa herë e kemi lexuar një pasazh nga Bibla, apo sa herë e kemi dëgjuar një predikim në kishë, dhe ah, s’kalojnë as pak orë dhe e harrojmë shumë shpejt atë që e kemi lexuar, apo që e kemi dëgjuar! Ta lexosh të vërtetën e të mos e mbash mend, është njëlloj sikur të mos e kesh lexuar kurrë atë! Do ta shohim se sa të paarmatosur e se sa të papërgatitur jemi, atëherë kur të ballafaqohemi me ditë të vështira e plot dëshpërim. Ka shumë të krishterë, që janë si Hagari: ajo po vdiste nga etja në shkretëtirë, por nuk e vuri re pusin, që i ndodhej pranë: “Atëherë Perëndia ia hapi sytë dhe ajo pa një pus uji” (Zanafilla 21:19). Duhet t’i lutemi Perëndisë që të na e zgjojë mendjen nga gjumi dhe të na përgatisë për të marrë fjalën e Tij freskuese tani, në mënyrë që të jemi të përgatitur për kohë vështirësie e hidhërimi në të ardhmen.

Supozimi

Dhe Pjetri i tha: “Edhe sikur të gjithë të tjerët të skandalizohen me ty, unë nuk do të skandalizohem”. Dhe Jezusi i tha: “Unë po të them në të vërtetë se sot, pikërisht në këtë natë, para se gjeli të këndojë dy herë, ti do të më mohosh tri herë”. Por ai, duke ngulur këmbë më tepër, thoshte: “Edhe sikur të më duhet të vdes me ty, nuk do të të mohoj kurrë”. Të njëjtën gjë thoshnin edhe gjithë të tjerët” (Marku 14:29-31).

Pjetri pranonte më mirë të vdiste, sesa ta braktiste Zotin: “Atëherë Pjetri duke u përgjigjur i tha: “Edhe sikur të gjithë të skandalizohen për shkakun tënd, unë nuk do të skandalizohem kurrë!” (Mateu 26:33). Të tjerët ranë dakort me të. E megjithatë, rrëfimi i tyre ishte supozim, jo besim. S’kaluan as 12 orë dhe ata të gjithë e braktisën Krishtin dhe e harruan rrëfimin e tyre të bujshëm. Do ta vinin veten në rrezik, po të dukeshin se ishin me Krishtin. Një rrezik i tillë iua hoqi nga mendja të gjitha premtimet e mëparshme, që kishin bërë për t’i qëndruar besnik Atij. Jezusi i kishte folur Pjetrit drejtpërsëdrejti, lidhur me atë që do të ndodhte: “Edhe Zoti tha: “Simon, Simon, ja, Satani ka kërkuar t’ju shoshë ashtu siç shoshet gruri. Por unë jam lutur për ty, që besimi yt të mos mpaket; dhe ti, kur të jesh kthyer, forco vëllezërit e tu”. Por ai tha: “Zot, unë jam gati të shkoj bashkë me ty edhe në burg edhe në vdekje” (Luka 22:31-33). Pjetri ishte ofenduar prej këtyre fjalëve, por Zoti e njihte atë më mirë, sesa ç’e njihte ai veten. Ç’supozim bëri Pjetri? Ai besoi se do të mund t’i rezistonte të njëjtës vuajtjeje, që do të vuante edhe Jezusi: “Simon Pjetri i tha: “Zot, ku po shkon?”. Jezusi iu përgjigj: “Atje ku po shkoj unë, ti nuk mund të më ndjekësh tani; por më vonë do të më ndjekësh”. Pjetri i tha: “Zot, pse nuk të ndiqkam dot tani? Unë do të jap jetën time për ty!” (Gjoni 13:36-37).

Duhet ta mbajmë mend se situatat e rrethanat, në të cilat ndodhemi, janë në gjendje të na i ndryshojnë ndjenjat. Salomoni kishte të drejtë, kur shkroi: “Përpara shkatërrimit vjen kryelartësia dhe përpara rrëzimit fryma krenare” (Fjalët e Urta 16:18). Mund të na duket se kurrë nuk do ta braktisim besimin tonë në Krishtin, apo se kurrë nuk do ta hedhim poshtë Atë. Këtë mund t’iua deklarojmë edhe atyre që na rrethojnë. Por, ah, nuk e dimë se sa shumë ligësi kemi në zemër! Nuk mund ta dimë dot se sa shumë do të mëkatojmë, kur të ballafaqohemi me tundimin apo vështirësinë. Edhe i krishteri më i mirë, po qe se nuk forcohet prej hirit të Perëndisë, apo po qe se nuk rri zgjuar e të lutet, mund të arrijë të kryejë një mëkat të madh: “Kush i beson zemrës së tij është budalla” (Fjalët e Urta 28:26).       

Përfundim

Po të ishim me dishepujt atë natë në Malin e Ullinjve, edhe ne do ta deklaronim besnikërinë tonë ndaj Krishtit. Por, si ata, ashtu edhe ne, do të iknim me vrap, kur të vinin ushtarët. Atë natë, dishepujt e hodhën poshtë Zotin, por shpeshherë, edhe ne jemi fajtorë, kur e mohojmë Atë, edhe pse kemi marrë shpëtimin prej Tij.

Mbrapa

Advertisements