Barzilaj dashamirës

“Edhe Galaaditi Barzilaj zbriti nga Rogelimi dhe kaloi Jordanin bashkë me mbretin, për ta shoqëruar matanë Jordanit. Barzilaj ishte shumë i vjetër, tetëdhjetë vjeç; ai e kishte furnizuar me ushqime mbretin kur ky ndodhej në Mahanaim, sepse ishte shumë i pasur. Mbreti i tha Barzialit: “Eja me mua matanë lumit dhe unë do të kujdesem për ushqimin tënd pranë meje në Jeruzalem”. Por Barzilaj iu përgjigj mbretit: “Sa vjet jetë më kanë mbetur akoma që unë të shkoj me mbretin në Jeruzalem? Tani unë jam tetëdhjetë vjeç; a mund të dalloj akoma atë që është e mirë nga ajo që është e keqe? A mund ta shijojë akoma shërbëtori yt atë që ha o atë që pi? A mund të dëgjojë unë akoma zërin e këngëtarëve dhe të këngëtareve. Pse shërbëtori yt duhet t’i bëhet barrë mbretit, zotërisë tim? Shërbëtori yt do të shkojë me mbretin matanë Jordanit për një copë rrugë; po pse mbreti duhet të ma lajë me një shpërblim të tillë? Por lëre shërbëtorin tënd të kthehet prapa dhe që unë të mund të vdes në qytetin tim pranë varrit të atit tim dhe të nënës sime! Por ja shërbëtori yt Kimham; le të vijë ai me mbretin, zotërinë tim, dhe bëj për të atë që do të të pëlqej”. Mbreti u përgjigj: “Kimhami do të vijë me mua dhe unë do të bëj për të atë që do të të pëlqejë ty; po, unë do të bëj për ty të gjitha ato që më kërkon”. Kështu tërë populli kaloi Jordanin dhe e kaloi edhe mbreti. Pastaj mbreti e puthi Barzilain dhe e bekoi, dhe ai u kthye në shtëpinë e vet” (2 Samuelit 19:31-39).

Parathënie

Barzilaj ishte 80-vjeç e megjithatë, ai shfaqi një përkushtim të veçantë ndaj dinastisë së Davidit. Ashtu si pleqtë e tjerë, edhe ai mund të kishte ndenjur në shtëpi të vet, i rrethuar prej shërbëtorëve. Por vendosi që ta mbështeste mbretin si me pasurinë, ashtu edhe me praninë e tij. Nuk ka asnjë shenjtor aq të vjetër, sa nuk mund t’i shërbejë dot Mbretit!

Pasuria e Barzilajt

Barzilaj e mbështeti Davidin, në periudhën kur ai ndodhej i mërguar në Mahanaim. Vendlindja e tij, Rogelimi, nuk ishte shumë larg prej Mahanaimit. Barzilajt iu desh një kurajo goxha e madhe për ta kryer një detyrë të tillë, ngaqë ishte i thyer në moshë. Për më tepër, Barzilaj mund të kishte humbur gjithçka, po qe se Absalomi do ta merrte vesh se ai po i çonte rezerva ushqimore të atit. Duhet ta vëmë re gjithashtu se Davidi urrehej prej shumë vetave në këtë kohë, por Barzilaj ishte gati për ta vënë gjithçka në rrezik, vetëm e vetëm që ta mbështeste plotësisht mbretin. Tek 2 Samuelit 17:28-29 lexojmë se Barzilaj, së bashku me të tjerët i pruri Davidit “shtretër, legena, enë prej dheu, grurë, elb, miell, grurë të pjekur, bathë, thjerrëza, perime të pjekura, miell, gjalpë, dele dhe djathë lope për Davidin dhe për njerëzit që ishin me të, me qëllim që të hanin, sepse thonin: “Këta njerëz kanë vuajtur nga uria, nga lodhja dhe nga etja në shkretëtirë“.

Është e vërtetë se Barzilajt ia dilte që ta mbështeste Davidin, ngaqë ishte i pasur. Por nuk e kishte për detyrim. Përkundrazi, ai mund t’i mbante këto rezerva për vete, apo mund t’iua linte fëmijëve të vet. E bekoi besnikërisht Davidin me bekimet e shumta, që i kishte dhënë Zoti, sepse e kuptoi se duhej t’iua plotësonte nevojat atyre, që ishin të thirrur prej Perëndisë. Barzilaj ishte me të vërtetë një njeri i pasur, por gjithashtu edhe një njeri vetë-mohues – një kombinacjon ky tepër i jashtëzakonshëm për një pasanik.

Mençuria e Barzilajt

Davidi donte ta shpërblente mikun e tij besnik, duke e ftuar atë që t’i kalonte ditët e jetës që i kishin mbetur, në pallatin e tij mbretëror. Barzilaj e kishte mbështetur Davidin, kurse tani ishte Davidi ai që donte ta mbështeste atë. Por ftesa u refuzua në mënyrë të sjellshme dhe të mençur. Barzilaj ishte i mendimit se tanimë ai ishte tepër i plakur për t’u kënaqur me bekimet, që e prisnin në Jeruzalem, ndaj edhe kishte marrë vendim që ta kalonte pleqërinë në shtëpinë e vet. Nuk donte ta ndrronte rehatin që ndjente në shtëpinë e vet me jetën e qejfit në pallatin mbretëror. Barzilaj mendonte gjithashtu se mund t’i bëhej barrë familjes së Davidit, ngaqë mund të kishte nevojë për shërbim të vazhdueshëm, sidomos po të sëmurej. “Shqisat po më plaken dhe nuk jam më në gjendje t’i shijoj kënaqësitë e pallatit mbretëror. Jam i vjetër për shijet e këndshme, apo për muzikën e ëmbël, apo për kënaqësi të tjera të këtij lloji. Mosha më ka bërë të pavlefshëm dhe barrë për të tjerët, ndaj edhe nuk jam i përshtatshëm për jetën mbretërore” (Gjon Uesli). Përgjigja e Barzilajt është në vetvete një përmbledhje e mençur dhe plot hir.

Barzilaj, edhe pse ia refuzoi ftesën mbretit, e dinte se Davidi do t’ia respektonte dëshirën që kishte, për të vdekur dhe për t’u varrosur në tokën e familjes së vet. Ashtu si edhe shumë moshatarë të tij, edhe Barzilaj ndoshta e kishte bërë gati vendin se ku do të vdiste. “Ky është një shembull i respektit, që njerëzit e Lindjes kishin për varret e pjesëtarëve të familjes së tyre” (Nga komentimi që i bëjnë Biblës autorët Xhejmisën, Foset dhe Braun).

I biri

Barzilaj ishte gati që ta linte të birin, që t’i zinte vendin e të shpërblehej në vend të tij. Kjo na vërteton edhe një herë vetëmohimin e këtij njeriu, sepse ai e konsideronte veten të bekuar, kur i shihte të tjerët të bekuar. Davidi ishte në gjendje ta bekonte familjen e Barzilajt, edhe pse ai (Barzilaj) vetë nuk e pranoi bekimin. Një propozim i tillë i pëlqeu shumë Davidit dhe ai ra dakort që ta merrte Kimhamin me vete në Jeruzalem. I biri i Barzilajt do të merrte gjithçka, që i takonte të atit.

Davidi kurrë nuk do ta harronte premtimin, që i bëri atë ditë Barzilajt, sepse tek 1 Mbretërve 2:7 lexojmë se si ai e udhëzoi Salomonin, në lidhje me Kimhamin: “Por trego mirësi me bijtë e Galaaditit Barzilai dhe ata të jenë ndër ata që hanë në tryezën tënde, sepse me një mirësi të njëllojtë ata erdhën tek unë kur po ikja me vrap para Absalomit, vëllait tënd”. Mund të mos e dimë kurrë me saktësi se ç’lloj bekimesh mori Kimhami, por tek Jeremia 41:17 na thuhet se Kimhamit iu dha tokë afër Bethlehemit dhe, pa dyshim, kjo tokë do të bëhej pjesë e trashëgimisë së familjes së tij. Mateo Henri na sugjeron se Davidi nuk e bekoi Kimhamin prej pasurisë së Jeruzalemit (d.m.th. prej pasurisë së pallatit mbretëror), por përkundrazi, ia plotësoi atij nevojat nga xhepi i vet. Sa herë që e shikonte Kimhamin, mbretit do t’i kujtohej mirësia që Barzilaj i kishte treguar në momentin, kur ai kishte patur më shumë nevojë për të.

Përfundim

Kjo histori na tregon se besnikëria dhe shërbesa e njerëzve si Barzilaj nuk harrohet prej Zotit. “Atëherë Mbreti do t’u thotë atyre që do të jenë në të djathtën e tij: “Ejani, të bekuar të Atit tim; merrni në trashëgim mbretërinë që u bë gati për ju që nga krijimi i botës. Sepse pata uri dhe më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe më dhatë për të pirë; isha i huaj dhe më pritët, isha i zhveshur dhe më veshët, isha i sëmurë dhe ju më vizitonit, isha në burg dhe erdhët tek unë”. Atëherë të drejtët do t’i përgjigjen duke thënë: “Zot, kur të pamë të uritur dhe të dhamë për të ngrënë; ose të etur dhe të dhamë për të pirë? Dhe kur të pamë të huaj dhe të pritëm ose të zhveshur dhe të veshëm? Dhe kur të pamë të lënguar ose në burg dhe erdhëm te ti?”. Dhe Mbreti duke iu përgjigjur do t’u thotë: “Në të vërt etë po ju them: sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua” (Mateu 25:34-40).

Mbrapa

Advertisements