Besëlidhja

“Jonathani i tha Davidit: “Çfarëdo gjë që të më kërkosh, unë do ta bëj për ty”. Davidi iu përgjegj Jonathanit: “Ja, nesër fillon hëna e re dhe unë duhet të ulem në tryezë me mbretin, por të më lër të shkoj dhe unë do të fshihem në fshatrat deri në mbrëmjen e ditë së tretë. Në qoftë se atit tënd i bie në sy mungesa ime, ti do t’i thuash: “Davidi më është lutur me insistim të hidhet për pak kohë deri në Betlem, në qytetin e tij, sepse aty kremtohet flijimi për tërë familjen e tij”. Në qoftë se thotë: “Mirë,” shërbëtori yt ka për të shpëtuar. Por në rast se zemërohet, dije se ka vendosur të ma bëjë të keqen. Tregohu, pra, i mëshirshëm me shërbëtorin tënd, sepse e ke bërë të lidhet në një besëlidhje të Zotit me ty; por në rast se kam ndonjë faj, vritmë ti. Pse duhet të më çosh tek ati yt?”. Jonathani tha “Larg qoftë ky mendim! Po ta dija që im atë ka vendosur të ta bëjë të keqen, nuk do të ta tregoja ty?”. Davidi i tha Jonathanit: “Kush do të më njoftojë në se yt atë të përgjigjet rëndë?”. Jonathani i tha Davidit: “Eja, të dalim ndër fusha!”. Kështu që të dy dolën jashtë, në fushë. Atëherë Jonathani i tha Davidit: “Paça dëshmitar Zotin, Perëndinë e Izraelit! Nesër ose pasnesër, në këtë orë, do të hetoj qëllimet e atit tim, për të parë në se ai e shikon me sy të mirë Davidin, dhe po të mos dërgoj njeri të të njoftojë, Zoti le t’i bëjë këtë gjë Jonathanit, madje edhe më keq. Në qoftë se përkundrazi im atë ka ndërmend të të bëjë një të keqe, unë do të të njoftoj dhe do të lë të shkosh me qëllim që ti të shkosh në paqe; dhe Zoti qoftë me ty, ashtu siç ka qenë me atin tim! Deri sa të jem gjallë, a nuk do të përdorësh ndaj meje mirësinë e Zotit, me qëllim që mos vritem?”. Por nuk do të heqësh dorë kurrë të përdorësh mirësinë ndaj shtëpisë sime, as atëherë kur Zoti të ketë shfarosur nga faqja e dheut tërë armiqtë e Davidit”. Kështu Jonathani lidhi një besëlidhje me shtëpinë e Davidit, duke thënë: “Zoti t’u kërkojë llogari armiqve të Davidit për gjakun!”. Për hir të dashurisë që kishte për të, Jonathani e vuri përsëri Davidin të betohet, sepse ai e donte si shpirtin e vet” (1 Samuelit 20:4-17).

Parathënie

Davidi ia hap zemrën Jonathanit. I tregon atij gjithçka, që e shqetëson. I tregon se ka frikë prej planeve, që mund të thurë mbreti Saul kundra tij. Jonathani, edhe pse e ka të vështirë ta besojë se i ati ka arritur deri aty sa ta kryejë një ligësi të tillë, prapëseprapë, ai është gati ta pranojë idenë e Davidit dhe i premton atij se do të bëjë gjithçka për ta ndihmuar.

Kërkesa e Davidit

Davidi e dinte se mund t’i zinte besë Jonathanit. Në fakt, përveç profetit Samuel, ai s’kishte kujt t’i besonte tjetër. E zë ngushtë shokun e tij, duke i kërkuar që t’i premtojë se do ta shikojë, nëse ka të drejtë apo jo të frikësohet prej Saulit. Jonathani e dinte se Davidi ishte disi në rrezik, por, duke qenë se s’ishte shok dosido, ai u tregua i gatshëm për ta paguar çmimin e miqësisë së tyre. Ky fakt na tregon se miqësia e vërtetë kushton shumë.

Zoti Jezus Krisht na premtoi se do të na ishte Miku ynë më i ngushtë. “Unë nuk ju quaj më shërbëtorë, sepse shërbëtori nuk e di ç’bën i zoti; por unë ju kam quajtur miq, sepse ju bëra të njihni të gjitha gjëra që kam dëgjuar nga Ati im” (Gjoni 15:15). Na premtoi se do të na i përgjigjej lutjeve. “Dhe çfarëdo të kërkoni në emrin tim, do ta bëj, që Ati të përlëvdohet në Birin” (Gjoni 14:13). Ai e dha jetën e Tij për ne. “Askush s’ka dashuri më të madhe nga kjo: të japë jetën e vet për miqtë e tij” (Gjoni 15:13).

Me anë të planit të tyre, Davidi dhe Jonathani do ta kuptonin, nëse Sauli kishte vërtet si qëllim, që ta vriste Davidin, ose nëse Davidi po merakosej kot rreth gjendjes mendore dhe shpirtërore të mbretit. Mungesa e pranisë së Davidit në festën vjetore do ta tregonte nëse Sauli ishte vërtet i inatosur me të.

Premtimi i Jonathanit

Jonathani i premtoi Davidit se do t’i tregonte atij çdo gjë, që do të ndodhte gjatë festës. Nëse i ati po thurte plan për ta vrarë Davidin, atëherë Jonathani do ta ndihmonte atë për t’u larguar me të shpejtë. Jonathani “do ta ndihmonte Davidin, duke e shpëtuar atë prej së ligës, po qe se kjo e ligë do të ishte e vërtetë, si edhe prej frikës së të ligës, madje edhe po qe se kjo frikë do të ishte imagjinare” (Mateo Henri). Një premtim i tillë u bë në emër të Zotit dhe Jonathani meritonte si mallkimin, ashtu edhe vdekjen, po qe se nuk do ta mbante këtë premtim. “Një besëlidhje e Zotit, d.m.th. një besëlidhje solemne, që nuk zihet lehtë, por zihet me seriozitetin më të madh, në emër të Perëndisë, në praninë e Tij, duke patur frikë prej Tij, duke e thirrur Atë si dëshmitar të sinqeritetit tonë dhe si hakmarrës të atyre, që e thyejnë këtë besëlidhje” (Gjon Uesli). Ky betim i tillë ishte njëri nga betimet më të forta, që mund të bëjë njeriu, por për Jonathanin, ky betim ishte simbol i miqësisë së tij ndaj Davidit.

Jonathani i kërkoi Davidit, që t’i premtonte se, kur të bëhej në të ardhmen mbret i Izraelit, ai do t’ia mbronte familjen e vet. Në ato kohë, një mbret i ri e kishte si zakon t’i vriste të gjithë anëtarët e familjes mbretërore të mëparshme. “Me t’u bërë mbret, ai shfarosi tërë shtëpinë e Jeroboamit; nga Jeroboami s’la të gjallë asnjë, por e shfarosi krejt shtëpinë e tij, sipas fjalës që kishte thënë Zoti me anë të shërbëtorit të tij Ahijah, Shilonitit” (1 Mbretërve 15:29, shiko gjithashtu 1 Mbretërve 16:11 dhe Gjyqtarëve 9:1-5). Jonathani ndoshta kishte frikë se mos Davidi do hakmerrej kundër familjes së Saulit, për shkak të vuajtjeve, që kishte hequr. “Jonathani, ngaqë kishte një miqësi të vërtetë me Davidin, donte që besëlidhja e tyre të kishte vlerë për të gjitha brezat” (Gjon Uesli).  

Përfundim

Jonathani ishte i bindur se Davidi një ditë do të bëhej mbret. Por ishte gati t’i përulej atij, edhe pse ai vetë ishte trashëgimtari i ligjshëm i frontit mbretëror. Edhe pse e dinte se Perëndia ishte me Davidin, prapëseprapë ai donte të sigurohej për të ardhmen. Si princ që ishte, Jonathani ishte gati ta përulte veten dhe të kërkonte mëshirë për pasardhësit e tij. “Rrallëherë është treguar një shembull besimi kaq triumfator sa ky: që një princ, duke i pasur të gjitha kushtet që i ofronte mbretëria e të atit, prapëseprapë i kërkoi mëshirë një njeriu të nxjerrë jashtë ligjit” (W. G. Bleiki).

Mbrapa

Advertisements