Besimi që rritet gjithnjë e më shumë

“Ne e kemi për detyrë ta falenderojmë gjithnjë Perëndinë për ju, o vëllezër, sikurse është fort e drejtë, sepse besimi juaj po rritet shumë dhe dashuria e secilit prej jush për njëri-tjetrin po tepron, aq sa ne vetë po krenohemi me ju në kishat e Perëndisë, për qëndresën tuaj dhe për besimin në të gjitha përndjekjet dhe vështirësitë që po hiqni” (2 Thesalonikasve 1:3-4).

Parathënie

Besimi i të krishterëve thesalonikas ishte vazhdimisht në rritje, pavarësisht nga persekucioni dhe problemet e ndryshme, me të cilat po ballafaqoheshin. E shohim, pra, prej këtij fakti, se kjo kishë përbëhej prej atyre besimtarëve, që nuk pranonin ta kompromentonin besimin e tyre. Shpeshherë, besimi i vërtetë konsiderohet si “i patundur”. Por, në fakt, një besim i tillë shkon gjithmonë në një drejtim, d.m.th. drejt Perëndisë. E, në këtë mënyrë, një besim i tillë bëhet edhe më i fuqishëm.

Lavdëroni Perëndinë

Grupi i misionarëve, i përbërë prej Palit, Timoteut dhe Silës, u kënaq shumë, kur mori vesh se një numër i mirë besimtarësh po qëndronin të fortë e të patundur në besim. Pali përdor shprehjen “e kemi për detyrë“, për të na thënë se atij nuk i mbetej gjë tjetër, veçse ta falenderonte e ta lavdëronte Perëndinë për këta besimtarë të tillë. E sa herë që Pali lutej për kishën e Thesalonikut, ai përdorte të njëjtën shprehje: “Ne përherë e falënderojmë Perëndinë për ju të gjithë, duke ju kujtuar në lutjet tona” (1 Thesalonikasve 1:2)… “Prandaj edhe unë, qëkur dëgjova për besimin tuaj në Jezu Krishtin dhe për dashurinë që keni ndaj gjithë shenjtorëve, nuk pushoj së falenderuari për ju dhe duke ju kujtuar në lutjet e mia” (Efesianëve 1:15-16). Pali nuk po iua bënte qejfin këtyre besimtarëve me fjalë boshe. Përkundrazi, ai po vinte në dukje punën e mirë, që Perëndia po kryente mes tyre. Gëzimi i tij ishte “fort i drejtë“, e me vend, plotësisht i merituar.

Besimi që rritet gjithnjë e më shumë

Besimi i tyre nuk ishte i plogët, por ishte një besim, që rritej e fuqizohej vazhdimisht. Besimi i krishterë nuk është i ngulitur në rregullat e kësaj apo asaj kishe. Përkundrazi, ai është një besim, që rritet, sa herë që drita e fjalës së Perëndisë na e ndriçon mendjen. Një besim i tillë jep fryte të përjetshme: “Duke kujtuar vazhdimisht veprën tuaj të besimit” (1 Thesalonikasve 1:3).

Dashuria që tepron

Tek 1 Thesalonikasve 1:3, Pali e quajti këtë lloj dashurie: “mundimin e dashurisë“. Një vepër e tillë dashurie, e kryer për hir të Krishtit, do të bekohet dhe do të shtohet akoma edhe më shumë. Në komentimin që i bën kësaj shprehjeje, Gjon Uesli thotë: “Dashuria që tepron, është ashtu si lumi që vërshon e del nga shtrati i tij e vazhdon akoma të rrjedhë”. Besimtarët thesalonikas kishin gjetur mënyra nga më të ndryshmet, për ta shprehur dashurinë e tyre, si brenda në kishë, ashtu edhe jashtë saj, në shoqërinë që i rrethonte.

Rezultati

Ishte pikërisht një besim e një dashurie e tillë, që i dha shkak Palit të mburrej për këtë kishë, sa herë që predikonte, sidomos në Akaia dhe në Maqedoni. Ai iu tregonte të tjerëve se sa mirë po ecnin këta besimtarë, pavarësisht nga persekucioni që po kalonin. Në këtë mënyrë, ai po i inkurajonte besimtarët e tjerë, që të merrnin shembull prej thesalonikasve. Durimi i tyre vërtetonte faktin se Perëndia ishte i vërtetë dhe se Ai nuk e kishte harruar popullin e Tij. Një durim i tillë iu dha shpresë atyre, që e dëgjonin Palin tek predikonte, apo atyre që lexonin letrat e tij.

Të krishterët e Thesalonikut vuajtën shumë për shkak të besimit të tyre: “Të gjithë ata që duan të rrojnë me perëndishmëri në Krishtin Jezus do të përndiqen” (2 Timoteut 3:12). Por, prapëseprapë, ata ishin të sigurtë se asnjë njeri nuk mund t’i ndante dot ata prej Perëndisë, që i donte. “Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit? Pikëllimi, a ngushtica, a përndjekja, a uria, a të zhveshurit, a rreziku, a shpata? Siç është shkruar: “Për ty po vritemi gjithë ditën; u numëruam si dele për therje”. Por në të gjitha këto gjëra ne jemi më shumë se fitimtarë për hir të atij që na deshi” (Romakëve 8:35-37). Ata ishin vërtet në kulmin e betejës, por, prapëseprapë, po qëndronin të patundur e fitimtarë. “Ne jemi të shtrënguar në çdo mënyrë, por nuk jemi të ngushtuarderi në fund; jemi ndërdyshas por jo të dëshpëruar; jemi të përndjekur por jo të braktisur; të rrëzuar, por jo të shkatëruar” (2 Korintasve 4:8-9).  

Përfundim

Në këtë studim, kemi parë, pra, karakteristikat e një kishe, që është në rritje, e gjallë dhe e bekuar. Pa reklamë nga ana e jashtme, por thjesht e mbushur me besim, dashuri dhe shpresë në Krishtin. Këto janë ato karakteristika, që ta transformojnë jetën dhe ndikojnë për mirë në botën, që na rrethon.

Mbrapa

Advertisements