Bethi – Fjala që pastron

Si mundet një i ri të bëjë rrugën e tij të pastër? Duke e ruajtur me fjalën tënde. Të kam kërkuar me gjithë zemër; mos më lër të devijoj nga urdhërimet e tua. E kam ruajtur fjalën tënde në zemrën time, që të mos mëkatoj kundër teje. Ti je i bekuar, o Zot, më mëso statutet e tua. Me buzët e mia kam numëruar të gjitha dekretet e gojës sate. Gëzohem duke ndjekur porositë e tua, ashtu sikur të zotëroja tërë pasuritë. Do të mendoj thellë mbi urdhërimet e tua dhe do të marrë në konsideratë shtigjet e tua. Do të kënaqem me statutet e tua dhe nuk do ta harroj fjalën tënde” (Psalmi 119:9-16).

Parathënie                           

Grupi i dytë i 8 vargjeve të tjera të Psalmit 119-ë, që njihen me emrin “Bethi”, ka të bëjë kryesisht me pastrimin prej mëkatit. Autori i psalmit na thotë se pastërtia ruhet nëpërmjet bindjes së vazhdueshme ndaj fjalës së Perëndisë.

Pastrimi

Pyetja në hyrje të këtij studimi duhet të jetë gjithmonë në mendjen e çdo besimtari, i cili dëshiron të qëndrojë në praninë e Perëndisë së shenjtë. Kjo pyetje ka të bëjë me faktin se secili prej nesh ishte dikur i humbur në mëkat, para se të merrte dhuratën e mrekullueshme të shpëtimit nëpërmjet Krishtit. “Sepse të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë, por janë shfajësuar falas me anë të hirit të tij, nëpërmjet shpengimit që është në Krishtin Jezus” (Romakëve 3:23-24). Pastrimi i vërtetë arrihet atëherë, kur Biblën e vëmë në zbatim në çdo aspekt të jetës. Perëndia përmes Biblës na jep udhëzimet e nevojshme, për të jetuar të pastër në një botë mëkatare. Tek Gjoni 15:3, Zoti Jezus Krisht na flet rreth fuqisë pastruese të fjalës: “Ju tashmë jeni të pastër, për shkak të fjalës që ju kumtova”. Po ta lejojmë Jezusin të na tregojë rrugën, do ta shohim se Fryma e Shenjtë gjithmonë ka për të na udhëhequr në rrugën e drejtësisë dhe të shenjtërisë. “Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd; pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua” (Fjalët e Urta 3:5-6). Kjo mund të quhet edhe bindje praktike.

Rrëfimi

Tek vargjet 10 dhe 11, autori i psalmit rrëfen (ose deklaron) besimin e tij të plotë tek fuqia pastruese e fjalës së Perëndisë. Ai i afrohet me gjithë zemër Zotit, por e di mirë sesa shpejt mund t’i neglizhojë njeriu urdhërimet e Perëndisë. “Zemra gënjehet më tepër se çdo gjë tjetër dhe sëmuret në mënyrë të pashërueshme; kush mund ta njohë atë?” (Jeremia 17:9). Zoti vërtet që na e shfaq vullnetin e Vet, por jemi ne ata, të cilët kemi përgjegjësinë për të qëndruar në qendër të vullnetit të Tij. Disa sugjerojnë se Perëndia i mban automatikisht besimtarët në vullnetin e Tij, por jeta e përditshme e shumicës së të krishterëve na vërteton ndryshe. “Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë forcën tënde dhe me gjithë mendjen tënde, edhe të afërmin tënd porsi vetveten’’ (Luka 10:27). Vargje të tilla nuk do të kishin fare kuptim, po qe se Perëndia na detyron që të qëndrojmë me forcë në vullnetin e Tij. Në fakt, nuk është Zoti Ai, që na e jeton jetën e krishterë – jemi ne, ata që e jetojmë vetë atë jetë. Por Ai na jep Frymën e Shenjtë dhe fjalën e Tij, me qëllim që, nëse ecim me bindje sipas tyre, atëherë mund të qëndrojmë në vullnetin e Tij. Prandaj edhe autori i psalmit thotë: “E kam ruajtur fjalën tënde në zemrën time, që të mos mëkatoj kundër teje”. Po ta lexojmë dhe ta studjojmë Biblën, apo t’i mësojmë përmendësh vargjet e saj, do ta shohim se kemi për të qenë të pajisur mirë për ta mposhtur mëkatin dhe tundimet e ndryshme. A nuk e mundi Zoti Jezus Krisht Satananë, nëpërmjet fuqisë së Fjalës (shiko Mateu 4:1-11)? Prandaj, pra, ashtu siç na thotë edhe Zoti tek Gjoni 8:31-32, duhet të qëndrojmë në fjalën e Tij, nëse duam që të ecim me të vërtetë në liri. “Nëse do të qëndroni në fjalën time, jeni me të vërtetë dishepujt e mi; do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë’’. Jeta e pasuesve të Krishtit varet nga bindja e tyre ndaj fjalës së Tij. Bibla është libri më i mirë në botë. Vendi më i mirë për ta futur Biblën është zemra! Arsyeja më e mirë për këtë veprim është kjo: Bibla na ruan prej së mëkatuarit kundra Perëndisë.

Përkushtimi

Pjesa tjetër e pasazhit ka të bëjë me përkushtimin e autorit të psalmit, për të vënë në praktikë atë që kishte mësuar prej fjalës së Perëndisë. Ai deklaron se tërë lavdia i takon Zotit, i cili i ka dhënë atij fuqinë për ta mposhtur mëkatin, sepse ai vetë nuk arrin ta mposhtë dot atë me forcat e veta. Perëndia ia mëson të vërtetën popullit të Tij dhe i jep atij çdo lloj mundësie për të jetuar sipas asaj të vërtete. Vini re këtu se autori i psalmit nuk i bindet me detyrim vullnetit të Zotit. Përkundrazi, për të bindja ndaj Zotit është gëzim i madh. “Sepse kjo është dashuria e Perëndisë: që ne të zbatojmë urdhërimet e tij; dhe urdhërimet e tij nuk janë të rënda” (1 Gjonit 5:3). Ndoshta autori i psalmit kishte pasuri të mëdha, por fjala e Perëndisë ishte për të thesari më i çmuar nga të gjithë. Të njëjtën gjë shkroi edhe Salomoni rreth diturisë: “Në rast se e kërkon si argjendin dhe fillon të rrëmosh si për një thesar të fshehur, atëherë do të ndjesh frikën e Zotit dhe ke për të gjetur kuptimin e Perëndisë” (Fjalët e Urta 2:4-5). E si mund ta harrojmë atë që tha Jezusi tek Luka 12:34? “Sepse atje ku është thesari juaj, atje do të jetë edhe zemra juaj”. Nëse zemra jonë nuk dëshiron që të gjejë thesare në fjalën e Perëndisë, atëherë as nuk ka për t’u bekuar e as nuk ka për të marrë thesare prej saj! Kështu pra, mund të themi se fjala e Perëndisë duhet të jetë kënaqësia jonë. Neglizhimi i saj duhet të jetë një gjë e neveritshme për të gjithë pasuesit besnikë të Krishtit. Ndoshta duhet ta nisim ditën, duke bërë të njëjtin rrëfim, që bëri edhe autori i psalmit tek vargu 16-ë: “Nuk do ta harroj fjalën tënde”. Ta harrosh fjalën e Perëndisë do të thotë ta lësh atë mënjanë, ta neglizhosh atë që thotë Perëndia.    

Përfundim

Le t’i bëjmë një përmbledhje, pra, pasazhit prej Psalmit 119-ë me titull “Bethi”. Ç’na thotë Jezusi tek Gjoni 17:17, “Shenjtëroji në të vërtetën tënde; fjala jote është e vërteta”. Fjala e Perëndisë nuk na jepet thjesht që ta lexojmë çdo ditë, apo që ta dëgjojmë tek predikohet prej pastorit në kishë, etj. Perëndia e përdor fjalën e Tij për të na pastuar dhe për të na ruajtur prej mëkatit. Siç e përmendëm edhe më lart, bindja ndaj fjalës së Tij na çliron prej mëkatit. “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Kush bën mëkatin është skllav i mëkatit” (Gjoni 8:34). Është përgjegjësia jonë, që të jetojmë sipas vullnetit të Perëndisë, ashtu siç na shfaqet ai në fjalën e Tij. “Sepse, po të rroni sipas mishit, ju do të vdisni; por, nëse me anë të Frymës i bëni të vdesin veprat e trupit, ju do të rroni” (Romakëve 8:13). Ata që veprojnë kështu, kanë për t’i shërbyer Zotit me gëzim. “Ju do të merrni me gëzim ujin nga burimet e shpëtimit” (Isaia 12:3).

Mbrapa

Advertisements