Bindja e Krishtit

“Në fakt, ashtu si nga mosbindja e një njeriu të vetëm të shumtët u bënë mëkatarë,  ashtu edhe nga bindja e një të vetmi të shumtët do të bëhen të drejtë” (Romakëve 5:19).

Parathënie
Zoti Jezus Krisht duhej t’i përmbushte të gjitha kërkesat e ligjit, duke iu bindur vullnetit të Perëndisë në mënyrë të përsosur. Qoftë edhe një mosbindje, sadopak e vogël dhe e parëndësishme, do ta kishte skualifikuar Atë nga të qënit Mesi. 

Duhet ta kuptojmë se puna që kreu Krishti ishte, së pari, ndaj Perëndisë, pastaj së dyti, pasojat e kësaj pune janë të vlefshme për mëkatarin. Ne, me të drejtë, e theksojmë sakrificën e Tij të përsosur mbi kryq dhe fuqinë e saj për shlyerjen e fajit. Por, po nuk e kuptuam gjithashtu edhe vlerën e bindjes së përsosur të Krishtit, atëherë nuk do të kemi një njohuri të plotë për planin hyjnor.

Falja
Po sikur, mëkatari vetëm të ishte falur, por të mos ishte pastruar nëpërmjet sakrificës së Krishtit për shlyerjen e fajit? A do të gjente ai shpëtim? Pa derdhjen e gjakut të Krishtit, mëkatari do ishte prapëseprapë i humbur… “Pa derdhur gjak nuk ka ndjesë” (Hebrenjve 9:22). Çdo njeriut që lind në këtë botë, i jepet mundësia të zgjedhë mes dy gjërave: ose të ecë në rrugën e Perëndisë, ose të ecë në rrugën e vet (në fakt, në rrugën e djallit). Nga ana shpirtërore dhe morale, Adami dhe Eva ishin të përsosur në Kopshtin e Edenit, por, kur atyre iu dha mundësia të zgjidhnin, kë rrugë morën, atë të bindjes apo të mosbindjes? (Zanafilla 3). Madje edhe vetë besnikëria duhet vënë në provë, ose përndryshe nuk ka miqësi me Perëndinë pa kaluar këtë sprovë. Perëndia e fali çiftin e parë, por ajo miqësi e veçantë mes tyre dhe Perëndisë s’egzistonte më (Zanafilla 3:8, 22). Vetëm falja nuk mjafton.

Drejtësia
Ajo që mungonte, pasi Adami dhe Eva u dëbuan nga Kopshti i Edenit, ishte drejtësia. Ata u falën, kur Perëndia therri kafshët, për t’u siguruar atyre një mbulesë me lëkurët e kafshëve (Zanafilla 3:21). Por, në sytë e Perëndisë, ata s’ishin më të drejtë. Kjo drejtësi mund të merrej vetëm atëherë kur njeriu të pajtohej me Perëndinë. 

Kjo drejtësi u fitua për ne, me anë të bindjes së përsosur të Krishtit gjatë jetës së Tij në tokë. Ashtu siç u desh vetëm një njeri, që të sillte mëkatin në botë, po ashtu u desh vetëm një njeri, që t’i bindej Perëndisë në mënyrë të përsosur dhe të sillte drejtësinë (Romakëve 5:19). Drejtësia njerëzore nuk mund të barazohet dot kurrë me standartet e larta të Perëndisë (Filipianëve 3:9). Moraliteti, që shpesh konsiderohet gabimisht si drejtësi, nuk mund të vihet në të njëjtën shkallë me Zotin, sepse mëkati është një problem sa shpirtëror, aq edhe moral. Moraliteti (d.m.th. të qënit i drejtë dhe i ndershëm) nuk e zgjidh problemin e natyrës mëkatare të njeriut. Prandaj, mëkatari ka nevojë për Krishtin, sepse vetëm Ai ka fuqi të çlirojë me të vërtetë. 

Bindja
Zoti Jezus Krisht iu bind Perëndisë dhe ligjit, madje edhe deri në detajin më të vogël. Disa thonë se vdekja e Tij do të ishte e mjaftueshme për të na sjellë shpëtimin, por ky argumentim e neglizhon vlerën e jetës së Tij. A do të shpëtoheshim ne, po qe se mbreti Herod do ta kishte vrarë Jezusin foshnjë pas lindjes? S’ka dyshim, pra, që bindja e Krishtit deri në vdekjen e Tij sakrifikuese ishte më se e rëndësishme. E shohim këtë vlerë sadopak, kur Ai u pagëzua, në mënyrë që të përmbushej “çdo drejtësi” (Mateu 3:15).

Krishti jetoi një jetë të përsosur nga ana shpirtërore dhe morale, për hatrin tonë. Sakrifica e Tij u bë e përsosur përmes jetës së Tij plot bindje. A i duhej Atij që të pajtohej me Perëndinë për veten e Tij apo për hatrin tonë, d.m.th. në vendin tonë? Jezusi e përmbushi ligjin në mënyrë të përsosur, si përfaqësuesi ynë. Pa këtë fakt, sakrifica e Tij nuk do ta kishte shlyer fajin për mëkatin tonë. Mund të duket e çuditshme, por nëse duhej që vetëm gjaku i Tij të përmbushte ligjin, atëherë Jezusi mund të kishte vdekur kur ishte foshnjë, ose kur Izraelitët donin ta hidhnin poshtë nga maja e malit (Mateu 2:13; Luka 4:29). Krishti është Shpëtimtari i përsosur dhe pa mëkat, i cili jetoi një jetë të përsosur dhe pa mëkat, në mënyrë që të ishte shlyerja e përsosur e fajit tonë.

Përfundim
A mund të jemi ndonjëherë aq të mirë, saqë ta meritojmë miratimin e Perëndisë? A ka jetuar ndonjëherë ndonjë njeri një jetë të përsosur, të bindshme dhe pa mëkat ndaj Perëndisë? Shumica e njerëzve mendojnë se drejtësia e tyre i bën përshtypje Perëndisë dhe, kështu, kujtojnë se ata e meritojnë jetën e përjetshme. Por, kush mund të thotë se asnjëherë s’ka mëkatuar me fjalë, me vepra apo me mendje? Të gjithë janë mëkatarë dhe meritojnë vetëm ndëshkim (Romakëve 3:23; 5:12). Është gjë më e mençur t’i besosh Atij, që jetoi një jetë të përsosur bindjeje dhe shenjtërimi. Njerëzit fetarë kërkojnë të marrin ‘meritat’ e të ashtu-quajturve ‘shenjtorëve’, por ata gjithmonë e hedhin poshtë dhuratën e çmuar të jetës së përsosur të Krishtit dhe të vdekjes sakrifikuese të Tij. E ardhmja e mëkatarit në përjetësi varet nga jeta që zgjedh ai.

Mbrapa

Advertisements