Bindja

“O vëllezër, po ju bëj thirrje, nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, ta paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia, që është shërbesa juaj e mënçur. Dhe mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë”  (Romakëve 12:1-2).

Parathënie
Besimi efikas (që jep fryte) duhet të përfshijë bindjen se urdhërimet e Perëndisë janë të arsyeshme (të mënçura). Me fjalën ‘bindje’ ne nënkuptojmë jo vetëm të rënit dakort me faktin se jemi të privuar nga lavdia e Perëndisë, por gjithashtu edhe me domosdoshmërinë për dedikim (përkushtim). Një pjesë e rëndësishme e shenjtërimit është t’i japësh gjithçka Zotit.

Përkushtim me gjithë zemër
Perëndia kërkon nga ne një përkushtim me gjithë zemër ndaj Tij, një dashuri të vërtetë dhe besnike për Të. A e besojmë se kjo që kërkon Ai prej nesh është e drejtë, e arsyeshme, dhe gjëja më e mirë për ne? Këtë pikërisht thotë Pali tek Romakëve 12.

Të bësh vullnetin e Perëndisë duhet të jetë gjëja më e ëmbël dhe më e sigurtë mbi këtë tokë. Gjithçka tjetër përveç kësaj është rezultat i mëkatit, mosbesimit dhe mosbindjes.
Zoti Jezus Krisht tha: “Sepse kushdo që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej, më është vëlla, motër dhe nënë” (Mateu 12:50). A e dëgjojmë se ç’po na thotë Ai? Të bindurit ndaj vullnetit të Perëndisë është një shenjë e sigurtë se besimtari ka një marrëdhënie të gjallë me Krishtin. Prandaj, të kryerit e vullnetit të Perëndisë duhet të jetë me të vërtetë një gjë e mirë, e përsosur dhe e kënaqshme.

Shenjtërimi e bën të mundur përkushtimin
Nuk duhet të ngatërrohemi në këtë pikë. Përkushtimi (dedikimi) nuk është kusht i të marrit të Frymës së Shenjtë, sepse, po të ishte kështu, atëherë Fryma e Shenjtë do merrej përmes veprave dhe jo përmes besimit. Përkushtimi është produkt i marrjes së bekimit dhe jo shkaku i kësaj marrjeje.

Askush nga ne nuk mund t’ia dorëzojë gjithçka Perëndisë pa praninë ngushëlluese të Frymës së Perëndisë. Kur Ai vjen në jetën tonë, atëherë dhe vetëm atëherë, jemi në gjendje t’ia ofrojmë Perëndisë trupat tanë si flijim i gjallë. Nëse marrja e bekimit nuk na drejton për të bërë këtë gjë, atëherë nuk po ndjekim udhëheqjen e Frymës së Shenjtë. S’ka dyshim që një nga rolet e shërbesës së Frymës është të na bëjë ne të shenjtë!

Bindja për mëkatin
Zoti duhet të na bindë për mëkatin, për faktin se kemi një zemër të vakët ndaj Tij, për hipokrizinë. Para se ne të përpiqemi t’ia përkushtojmë gjithçka Atij, Ai duhet të na zbulojë mungesën e arsyes së të jetuarit për veten tonë në çfarëdolloj pjese të jetës sonë. 

Kjo bindje sjell si rezultat një uri dhe etje për drejtësi. Kjo bindje është të kuptuarit plot dhimbje se brenda nesh ka shumë gjëra, që nuk i japin lavdi emrit të Tij.

Përfundim
A biem dakort se Perëndia është një Perëndi i shenjtë? A nuk është, pra, e arsyeshme për Të, që të na urdhërojë të jetojmë një jetë plotësisht të dedikuar ndaj Tij? Në vend, pra, që të shfaqësohemi për mëkatin tonë, le të pushojmë së dëgjuari pëshpëritjet e mosbesimit dhe ta hedhim fatin tonë me Perëndinë. Le ta shikojmë këtë çështje me hollësi, dhe njëherë e përgjithmonë të ecim “denjësisht sipas thirrjes” për të cilën u thirrëm (Efesianëve 4:1). Apostulli Pjetër shkruan: “Por ashtu si është i shenjtë ai që ju thirri, të jini edhe ju të shenjtë në gjithë sjelljen tuaj, sepse është shkruar: “Jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë“” (1Pjetrit 1:15-16; shiko gjithashtu Levitiku 20:7 dhe Levitiku 11:44).

Mbrapa

Advertisements