Bir i kujt është ky?

Atëherë njerëzit e Izraelit dhe të Judës u ngritën, duke lëshuar britma lufte, dhe i ndoqën Filistejtë deri në hyrjen e luginës dhe në portat e Ekronit. Filistejtë e plagosur për vdekje ranë në rrugën e Shaarimit, deri në Gath dhe në Ekron. Kur bijtë e Izraelit u kthyen nga ndjekja e Filistejve, plaçkitën kampin e tyre. Pas kësaj Davidi mori kokën e Filisteut dhe e çoi në Jeruzalem, por armët e tij i vendosi në çadrën e tij. Kur Sauli kishte parë Davidin që po dilte kundër Filisteut, kishte pyetur komandantin e ushtrisë së tij, Abnerin: “Abner, bir i kujt është ky i ri?”. Abneri iu përgjegj: “Ashtu siç është e vërtetë që ti rron, o mbret, nuk e di”. Atëherë mbreti tha: “Merr informata mbi prindërit e këtij djaloshi”. Kur Davidi u kthye nga vrasja e Filisteut, Abneri e mori dhe e çoi përparea Saulit, ndërsa ai mbante akoma në dorë kokën e Filisteut. Sauli i tha: “O i ri, bir i kujt je?”. Davidi u përgjegj: Jam bir i shërbëtorit tënd, Betlemitit Isai”” (1 Samuelit 17:52-58).

Parathënie

Në këtë pasazh biblik, Davidin e shohim tek hedh një hap të mëtejshëm në planin, që kishte Perëndia për të, për t’u bërë mbreti i ardhshëm i Izraelit.

Premtimi, që s’u mbajt

Filistenjtë nuk qëndruan në vend numëro, por ia mbathën me të katra. E shohim se nuk e kishin si qëllim ta mbanin premtimin, që, po qe se do të vritej Goliathi, ata do të bëheshin skllevër të Izraelit. Përkundrazi, filistenjtë nuk e besonin fare se kishte njeri, që ta vriste dot gjigandin. Nuk duhet të presim, që armiqtë e Perëndisë t’i mbajnë premtimet. Nëse filistenjtë do t’iu ishin dorëzuar izraelitëve, ashtu siç kishin premtuar edhe më parë, atëherë s’do të vriteshin. Vini re gjithashtu se si veprimi i guximshëm i Davidit ishte shkëndija, që i bëri ushtarët të ngriheshin me zjarr kundër armikut. Kurrë nuk e kishin menduar se një djalë bari do të bënte kaq shumë për Izraelin. Davidi i futi armët e Goliathit në çadrën e vet, kurse shpatën e morën priftërinjtë në mbrojtje, si shenjë kujtimi për fitoren e madhe të Zotit. Koka e gjigandit u ekspozua në paradë përpara të gjithëve në Jeruzalem, për t’iu thënë të gjithë armiqve të Izraelit se Perëndia ishte me popullin e Tij. Ky veprim mund të duket i tmerrshëm, por na kujton faktin se edhe mëkati është i tmerrshëm. Zoti Jezus Krishti shkoi në kryq, për të na çliruar prej mëkatit dhe Satanait. Edhe Ai e ekspozoi triumfin e Tij në paradë përpara të gjithëve. “Dhe mbasi i zhveshi pushtetet dhe principatat, ua tregoi sheshit njerëzve, duke ngadhnjyer mbi ata në të” (Kolosianëve 2:15).

Kush është ai?

Pse nuk e dinte Sauli se kush ishte Davidi? E kishte takuar edhe më parë, kur Davidi ishte punësuar si muzikanti (harpisti) i Saulit. E dinte gjithashtu se ai ishte bir i Isait. “Sauli, pra, i dërgoi lajmëtarë Isait për t’i thënë: “Më dërgo birin tënd Davidin, që është me kopenë” (1 Samuelit 16:19). Me sa duket, “fryma e keqe“, e dërguar prej Perëndisë, e kishte bërë mbretin harraq (1 Samuelit 16:14). E dimë se kjo frymë e kishte “terrorizuar” edhe më parë Saulin (1 Samuelit 16:15), gjë që vërteton se ai vuante si nga ana emocionale, ashtu edhe ajo psikologjike, si rezultat i mosbindjes ndaj Perëndisë, ose siç e thotë edhe Pali, mendja e tij ishte “e çoroditur”. “Dhe meqenëse nuk e quajtën me vend të njihnin Perëndinë, Perëndia i dorëzoi në një mendje të çoroditur” (Romakëve 1:28). Gjon Uesli ka thënë se “ishte mendja e tij e çrregullt, që e bënte harraq Saulin”. Abneri kishte arsye të tjera, për të mos e njohur Davidin. Ndoshta ai thjesht sa i kishte hedhur një sy kalimthi Davidit, përsa kohë që kishte qenë në pallatin mbretëror, ose siç shton edhe Uesli: “Abneri as që nuk pyeste fare për një njeri, që ishte inferior përpara tij”.

Mëkati është ai, që i bën njerëzit të kenë shumë pak njohuri rreth Biblës. Pa shikoni sesa mirë i dinë anëtarët e kishave, p.sh. titujt e filmave të ndyshëm, apo emrat e sportistave apo aktorëve të famshëm, por, kur vjen puna tek Bibla, njerëz të tillë mbajnë mend vetëm disa prej burrave e grave besimtare të përmendur në Bibël. “Populli im vdes për mungesë njohurish” (Osea 4:6).

Mbretit Saul i bëri përshtypje besimi dhe kurajoja e djalit bari. Atë ditë, në fushën e betejës, ai kishte me qindra ushtarë, por në jetën e Davidit, ai pa dorën e Perëndisë. Davidi dikur ia kishte qetësuar mendjen Saulit, kurse tani ai e kishte çliruar atë prej tiranisë së filistenjve. Prandaj, pra, edhe mbreti u habit aq shumë.         

Përfundim

Davidi mori trofetë nga fusha e betejës, por, mbi të gjitha, atë ditë ai kishte korrur fitore në emër të të gjithë Izraelit. Së shpejti, i gjithë kombi do ta donte me gjithë zemër. Nuk duhet të kujtojmë se Perëndia nuk ka për të na përdorur kurrë. Ndoshta ka njerëz më të kualifikuar e më të aftë sesa ne, që mund ta bëjnë më mirë punën e Perëndisë. Por, kur dora e Perëndisë është mbi jetën tonë, atëherë Ai na vajos me një qëllim të caktuar. “Shikoni në fakt thirrjen tuaj, vëllezër, sepse ndër ju ka jo shumë të ditur sipas mishit, jo shumë të fuqishëm, jo shumë fisnikë, por Perëndia ka zgjedhur gjërat e marra të botës për të turpëruar të urtët; dhe Perëndia ka zgjedhur gjërat e dobëta të botës për të turpëruar të fortët; dhe Perëndia ka zgjedhur gjërat jo fisnike të botës dhe gjërat e përçmuara, edhe gjërat që nuk janë, për të asgjësuar ato që janë, që asnjë mish të mos mburret përpara tij. Por prej tij ju jeni në Krishtin Jezus, i cili nga Perëndia u bë për ne dituri, drejtësi, shenjtërim dhe shpengim, që, sikurse është shkruar: “Ai që mburret, le të mburret në Zotin” (1 Korintasve 1:26-31).

Mbrapa

Advertisements