Biri i Perëndisë dhe Furtuna e Fuqishme

Parathënie

Të qetësurit e furtunës ishte një mësim më një pikësynim të veçantë për dishepujt e Jezusit, sepse ky mësim iu vuri atyre në dukje mungesën e besimit në zemrat e tyre. Këta peshkatarë duhej të kishin përjetuar më parë me dhjetëra stuhi në liqenin Galile, por kjo mrekulli vërtetoi se Jezusi ishte me të vërtetë Biri i Perëndisë, Mesia, sepse, s’ka dyshim, se vetëm Krijuesi mund të kishte një fuqi të tillë mbi natyrën: “Dhe ata i zuri një frikë e madhe dhe i thoshnin njëritjetrit: “Vallë, kush është ky, që po i binden edhe era edhe deti?” (Marku 4:41).

Deti i stuhishëm

Tani po atë ditë, si u ngrys, u tha atyre: “Kalojmë te bregu matanë! Dhe dishepujt, si e nisën popullin, e morrën me vete Jezusin, ashtu si ishte, në barkë. Me të ishin edhe disa barka të tjera të vogla. Ndërkaq shpërtheu një furtunë e madhe dhe valët përplaseshin mbi barkë aq shumë sa ajo po mbushej” (Marku 4:35-37).

Këtu e shohim se si dishepujt iu bindën Zotit dhe e ndoqën, por kjo nuk i përjashtoi ata nga furtuna, që po afrohej atë mbrëmje. Shumë shpejt do të gjendeshin në rrezik, të hedhur sa andej, këtej prej stuhisë dhe gati sa nuk po fundoseshin. Por Jezusi iu kishte thënë se do të shkonin matanë bregut.

Edhe udhëtimi ynë në këtë jetë nuk do të jetë gjithmonë i lehtë. Do të përjetojmë vështirësi, sëmundje, hidhërim dhe zhgënjim, por do të duhet që t’iu rezistojmë këtyre gjërave, ashtu siç iu rezistojnë edhe të tjerët. Zoti na premtoi faljen e mëkateve dhe hirin e Tij gjatë kohës që udhëtojmë për në Qiell. Por Ai kurrë, madje qoftë edhe një herë të vetme, nuk sugjeroi se do të ishim pa probleme. Ai e dinte se vuajtjet na mësojnë gjëra, që nuk do t’i mësonim kurrë, po qe se do të shkonim rehatshëm në Qiell. Është pikërisht gjatë këtyre kohërave të tilla të vështira, kur dobësitë tona vihen re më mirë. Këto dobësi e kanë për qëllim që të na afrojnë më pranë Perëndisë, për të marrë fuqi. Vuajtje të tilla na bëjnë që t’i dëshirojmë edhe më shumë lavditë e Mbretërisë së Perëndisë, në vend që të dëshirojmë kënaqësitë e kësaj bote. Do vijë dita, kur do të themi: “Ka qenë një e mirë për mua të jem pikëlluar, që kështu të mësoja statutet e tua” (Psalmi 119:71). Do ta falenderojmë përgjithmonë Perëndinë për furtunat, që kemi kaluar, sepse ato na kanë rritur besimin tek Ai.

Shpëtimtari në gjumë

Ai ndërkaq po flinte në kiç mbi një jastëk. Ata e zgjuan dhe i thanë: “Mësues, a nuk merakosesh që ne po marrim fund?” (Marku 4:38).

Jezusi, edhe pse ishte me të vërtetë Perëndi, ishte, po ashtu, edhe njeri, me një trup prej mishi, si ai i yni. Atë e merrte uria, lodhej, ndjente dhimbje dhe hidhërim. Iu shërbente turmave të njerëzve dhe lodhej fizikisht. Ai jetoi si njeri në tokë, ndaj edhe i di shqetësimet dhe dobësitë, me të cilat ballafaqohemi çdo ditë: “Sepse ne nuk kemi kryeprift që nuk mund t’i vijë keq për dobësitë tona, po një që u tundua në të gjitha ashtu si ne, por pa mëkatuar” (Hebrenjve 4:15). Kjo është arsyeja që ne e dimë se Ai nuk do të na braktisë, kur t’i thërrasim në rast nevoje: “Sepse, duke qenë se ai vetë hoqi kur u tundua, mund t’u vijë në ndihmë atyre që tundohen” (Hebrenjve 2:18).

Heshtja spektakolare

Dhe ai si u zgjua, e qortoi erën dhe i foli detit: “Pusho dhe fashitu!”. Dhe era pushoi dhe u bë qetësi e madhe” (Marku 4:39).

Fakti se Jezusi ishte duke fjetur në barkë, tregon anën humane të Tij, por të qetësuarit e fortunës bën fjalë për fuqinë e gjithëpushtetshme të Jezusit si Perëndi. Asnjë njeri nuk mund t’i flasë fortunës dhe ta bëjë erën të pushojë me një “qetësi të madhe”. Jo më kot edhe dishepujt thanë: “Vallë, kush është ky, që po i binden edhe era edhe deti?” (Marku 4:41). Jezusi mund ta kontrollonte natyrën, sepse ishte pikërisht zëri i Tij, të cilin natyra e dëgjoi për herë të parë, kur Ai krijoi universin. Të gjitha gjërat e krijuara e njohin tingullin e zërit të Tij: “Zoti në vëndet shumë të larta është më i fuqishëm së zërat e ujërave të mëdha, më i fuqishëm se baticat e detit” (Psalmi 93:4).

Për Zotin, asgjë nuk është e pamundur (Luka 1:37). Asnjëra prej furtunave, që na afrohen në jetë, nuk është aq e fortë, sa nuk arrin dot ta qetësojë Zoti. Nuk kemi pse të dëshpërohemi apo t’i humbim shpresat. Përkundrazi, duhet të besojmë se Perëndia do të na nxjerrë nga çdo vështirësi. Madje, edhe kur përjetojmë ndonjë periudhë furtune me miqtë dhe farefisin, Zoti mundet që ta qetësojë situatën. Përsa kohë që Krishti është në të njëjtën barkë me ne, nuk do të fundosemi, por do të kalojmë matanë bregut. Ai, që është me ne, është më i fuqishëm se sa ai, që është kundër nesh: “Çfarë të themi, pra, për këto gjëra? Në qoftë se Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh?” (Romakëve 8:31).

Fjala serioze 

Atëherë u tha atyre: “Pse jeni ju aq frikacakë? Vallë, si nuk keni besim?” (Marku 4:40).

Përse patën frikë nga furtuna këta peshkatarë me përvojë? Fakti qëndronte këtu: ata e kishin humbur besimin tek ajo, që iu kishte premtuar qartë Jezusi. Ai iu kishte thënë: “Kalojmë te bregu matanë!” (Marku 4:35). Kjo do të thoshte se asnjëri prej tyre nuk do të fundosej. Gjithashtu, sapo filloi furtuna, ata nuk ia ngulën më sytë Jezusit, por kujtuan se furtuna ishte më e fuqishme sesa Zoti. Ishin “aq frikacakë”, ngaqë nuk kishin besim. I kishin harruar të gjitha ato gjëra të mrekullueshme, që kishte bërë Jezusi në ditët e mëparshme. Kujtuan se gjendja në të cilën ndodheshin, e vërtetonte se Zoti nuk po kujdesej më për ta.

Jezusi i qortoi ashpër dishepujt, jo me qëllim, që t’iu vinte keq për veten dhe të mos e ndiqnin më Atë, por, përkundrazi, që t’i nxiste që t’i besonin Atij edhe më shumë. Zoti i do të Tijët, më shumë sesa ç’mund ta imagjinojmë ne ndonjëherë: “Ashtu si një baba është i mëshirshëm me bijtë e tij, kështu është i mëshirshëm Zoti me ata që kanë frikë prej tij” (Psalmi 103:13). Edhe pse, nganjëherë, Atij i duhet që të na ndëshkojë, kur nuk i bindemi, prapëseprapë, Ai kurrë nuk na ndëshkon aq shumë, sa ç’e meritojmë: “Ai nuk na trajton siç e meritojnë mëkatet tona dhe nuk na dënon në bazë të fajeve tona” (Psalmi 103:10). Dashuria e Tij është e përjetshme: “Duke i dashur të vetët që ishin në botë, i deshi deri në fund” (Gjoni 13:1).    

Përfundim

Ai, që e qetësoi furtunën, është i njëjtë dhe kurrë nuk ka ndryshuar. Ai është ende i plotfuqishëm, është ende i duruar dhe dëshiron, po prapë, që ne t’i afrohemi më pranë. Nuk kemi as pse t’i humbim shpresat, ngaqë na afrohen furtuna në jetë, as nuk duhet të heqim dorë, sepse nuk jemi aq të përsosur, saç do të jemi në Qiell. Detyra jonë është që të jetojmë  një jetë, e cila është e sinqertë dhe besnike ndaj Atij, që erdhi për të na shpëtuar shpirtin dhe për të na çuar matanë bregut.

Mrapa

Advertisements