Bujku dhe e korrura

Parathënie

Shëmbëlltyra e farës është e shkruar vetëm në ungjillin sipas Markut. Ajo bën fjalë rreth hirit të Perëndisë dhe se si ky hir vepron në zemrën e një besimtari. Shpesh, bëhemi të paduruar, duke menduar se duhet ta arrijmë shenjtërinë dhe maturinë brenda çastit. Por Zoti ka kohën, planet dhe qëllimet e veta.

Mbjellësi

Tha akoma: “Mbretëria e Perëndisë është si një njeri që hedh farën në dhe” (Marku 4:26).

Zakonisht, para se hiri të fillojë të veprojë në zemrën e dikujt, Perëndia ka zgjedhur një njeri për të mbjellë farën e së vërtetës në këtë zemër. Nga vetë natyra, zemra nuk prodhon asgjë, me përjashtim të barishteve dhe ferrave. Prandaj, ashtu si toka shterpë, edhe zemra duhet të lirohet prej Frymës së Shenjtë, para se të mbillet e të rritet fara në të: “Sepse kështu u thotë Zoti atyre të Judës dhe të Jeruzalemit: “Lëroni arën tuaj të djerrë dhe mos mbillni midis ferrave” (Jeremia 4:3)… “Mbillni për vete sipas drejtësisë, korrni sipas dhemshurisë, lëroni arën tuaj të lënë djerrë, sepse është koha për të kërkuar Zotin, derisa ai të vijë dhe përhapë mbi ju drejtësinë” (Osea 10:12).

Të paktë janë ata, që kthehen tek Perëndia, pa patur një njeri, që t’iu tregojë për Të: “Dhe si do të dëgjojnë, kur s’ka kush predikon?” (Romakëve 10:14). Ata që nuk janë të shpëtuar, nuk janë as në gjendje, as nuk kanë dëshirë, që të pendohen dhe t’i binden Perëndisë. Është Fryma e Shenjtë Ajo, që, nëpërmjet predikimit të fjalës, i bind ata për mëkatin: “Dhe kur të ketë ardhur, ai do ta bindë botën për mëkat, për drejtësi dhe për gjykim. Për mëkat, sepse nuk besojnë në mua” (Gjoni 16:8-9).

Predikuesi merr nga depoja e Qiellit një sasi farash. Atij i del për detyrë që t’i shpërndajë këto farëra kudo, në të katër anët: “Dilni në mbarë botën dhe i predikoni ungjillin çdo krijese” (Marku 16:15). Kur besimtari iu predikon njerëzve të vërtetën, ai iu transmeton atyre hirin shpëtues të Perëndisë.

Fara           

“Dhe natën dhe ditën, ndërsa ai fle dhe çohet, fara mbin dhe rritet, pa e ditur ai se si” (Marku 4:27).

Edhe pse mbjellësi nuk mund ta kuptojë, apo të arrijë ta shpjegojë plotësisht faktin se si transformohet fara në një bimë të vogël, ai thjesht e di se ka ndodhur një mrekulli. E si mund ta parashikojë ai se cila farë do të japë fryte e cila do të vdesë? Asnjëri prej nesh nuk e di se kush do t’i përgjigjet mirë predikimit të fjalës së Perëndisë, e kush nuk do t’i përgjigjet. Këto gjëra janë në dorë të Zotit: “Kështu, pra, as ai që mbjell, as ai që ujit, nuk është gjë, por Perëndia që rrit” (1 Korintasve 3:7).

Ndoshta shqetësohemi, kur shohim se pjesëtarët e familjes, apo miqtë tanë vazhdojnë ta refuzojnë Jezus Krishtin si Shpëtimtar, edhe pse ne iu kemi treguar shumë herë atyre për Të. Por, thjesht, duhet t’ia lëmë Zotit në dorë këtë punë: “Era fryn ku të dojë dhe ti ia dëgjon zërin, por ti nuk e di nga vjen as ku po shkon; kështu është edhe çdo njëri që ka lindur nga Fryma” (Gjoni 3:8). Ka sekrete, që vetëm Perëndia i di: “Gjërat e fshehta i përkasin Zotit, Perëndisë tonë” (Ligji i Përtërirë 29:29). Nuk mund t’i bëjmë të humburit të vijnë me forcë tek Zoti, por mund të vazhdojmë ta mbjellim farën në zemrat dhe mendjet e tyre.

Sekreti

Sepse dheu prodhon vetvetiu më parë kërcellin, pastaj kallirin, dhe më në fund kallirin plot me kokrra” (Marku 4:28).

Fjala e Perëndisë, ashtu si edhe fara, vepron gradualisht në zemër. Fara dhe fidani kalojnë nëpër faza të ndryshme të rritjes, para se të japin fryte. Fidani është, në fillim, i dobët e i pafuqishëm, para se të forcohet. Por, në çdo fazë të zhvillimit të tij, fidani është gjallë dhe i vendosur që të japë fryte. Edhe puna e hirit kryhet shkallë-shkallë. S’ka asnjë besimtar që të lindë i pjekur, apo me besim të përsosur në zemër. “Dita e gjërave të vogla” duhet të japë një të korrur shenjtërie dhe drejtësie (Zakaria 4:10). Ashtu si lisi i madh e fillon jetën nga një lende (farë) e vogël, ashtu edhe ai, që është i dobët e i pafuqishëm, ka një potencial të madh. Duhet të vazhdojmë t’i besojmë dhe t’i bindemi Perëndisë, ndërkohë që presim me durim që të rritemi e të japim fryte për Të. Ndoshta besimi ynë mund të duket si një “kërcell” i dobët, por do vijë koha, kur ai do të bëhet si “kalliri me kokrra”. Mos harroni se edhe Samsoni dikur ishte foshnjë.

Suksesi

Dhe kur fryti piqet, menjëherë korrësi i vë drapërin, sepse erdhi koha e korrjes” (Marku 4:29).

Nuk mund të ketë kohë korrjeje, po qe se fara nuk është mbjellë e nuk është lejuar që të rritet. Drapëri vihet në veprim, vetëm në fushën, që është gati për korrje. Si mund të imagjinojmë se do të përdoremi prej Perëndisë, po qe se nuk jemi gati të vdesim ndaj vetes? “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Nëse kokrra e grurit e rënë në dhe nuk vdes, ajo mbetet e vetme; por, po të vdesë, jep shumë fryt!” (Gjoni 12:24). Si mund të japim fryte për lavdinë e Tij, nëse nuk e lejojmë Atë, që të veprojë në jetën tonë? “Sepse të gjithë ata që udhëhiqen nga Fryma e Perëndisë janë bij të Perëndisë” (Romakëve 8:14).

Asnjë kishë nuk mund të presë që të ketë rilindje në të, po qe se ajo nuk i plotëson kërkesat e Perëndisë: “Në qoftë se populli im, i cili thirret me emrin tim, përulet, lutet, kërkon fytyrën time dhe kthehet prapa nga rrugët e këqija, unë do ta dëgjoj nga qielli, do t’i fal mëkatin e tij dhe do ta shëroj vendin e tij” (2 Kronikave 7:14). Ne, si individë, nuk mund të shpresojmë se do të përdoremi prej Zotit, po qe se vazhdojmë të ecim në mosbindje dhe në mëkat. Ç’të mbjellim, atë edhe do të korrim (Galatasve 6:7).

Përfundim

Perëndia është Bujku, i cili ka mbjellë farën e hirit në secilën prej zemrave tona. Nëse ne e ndjekim me besnikëri fjalën e Tij dhe e lejojmë Frymën e Shenjtë, që të na drejtojë e të na udhëheqë, Ai do të bëjë që kjo farë të japë fryte: “Unë jam hardhia, ju jeni shermendet; kush qëndron në mua dhe unë në të, jep shumë fryt, sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë…Në këtë është përlëvduar Ati im, që të jepni shumë fryt, dhe kështu do të jeni dishepujt e mi” (Gjoni 15:5, 8).

Mbrapa

Advertisements