Buka e shenjtëruar për një njeri të pashenjtëruar

Dhe tani çfarë ke në dorë? Më jep pesë bukë ose çfarë të kesh”. Prifti iu përgjegj Davidit, duke thënë: “Nuk kam bukë të zakonshme, ka vetëm bukë të shenjtëruar, me kusht që burrat e tu t’u jenë përmbajtur së paku kontakteve me gratë”. Davidi iu përgjegj priftit: “Kemi mbetur pa gra, qysh se jemi nisur, tri ditë më parë; enët e njerëzve të mi janë të pastra; në fakt edhe buka është e zakonshme, megjithëse sot është shenjtëruar në enët”. Kështu prifti i dha bukën e shenjtëruar, sepse aty nuk kishte tjetër bukë veç asaj të paraqitjes, që ishte hequr nga prania e Zotit, për ta zëvendësuar me bukë të ngrohtë në çastin kur hiqet(1 Samuelit 21:3-6).

Parathënie

Davidit iu desh të gënjente dhe të mëkatonte përsëri, para se ta merrte bukën e shenjtëruar prej Ahimelekut. Ai dhe shokët e tij bënë gjoja sikur ishin të shenjtëruar, me qëllim që të hanin bukën e paraqitjes. Por e vërteta ishte ndryshe.

Buka e shenjtëruar

Buka e paraqitjes ishte bukë, që i ishte dedikuar Perëndisë, prandaj edhe quhej e shenjtëruar, që në momentin kur i vihej përpara Tij. Mbi tryezën e paraqitjes ndodheshin 12 kulaçë buke dhe vetëm priftërinjtë mund t’i hanin ato. “Do të marrësh majë mielli dhe me të do të pjekësh dymbëdhjetë kulaç; çdo kulaç do të jetë dy të dhjetat e efës. Do t’i vendosësh në dy radhë, gjashtë në çdo radhë, mbi tryezën prej ari të pastër, përpara Zotit. Dhe në çdo radhë do të vësh temjan të pastër, i cili ka për të qenë një kujtim mbi bukën, si një flijim i bërë me zjarr për Zotin. Çdo të shtunë ai do t’i vendosë bukët përpara Zotit, në vazhdimësi; ato do të merren nga bijtë e Izraelit; kjo është një besëlidhje e përjetshme. Bukët i përkasin Aaronit dhe bijve të tij, dhe këta do t’i hanë në një vend të shenjtë, sepse do të jenë një gjë shumë e shenjtë për atë midis flijimeve të bëra me zjarr para Zotit. Është një ligj i përjetshëm” (Levitikut 24:5-9). Kulaçët, që i kërkoi Davidi Ahimelekut, ishin hequr prej tryezës, ngaqë kishin një ditë që ishin pjekur (d.m.th. s’ishin më të freskët) dhe po ngroheshin në furrë, gati për t’u ngrënë prej priftit.

Ahimeleku tregoi dhembshuri ndaj Davidit dhe ia dha kulaçët. Por sipas Ligjit të Moisiut, kulaçët duhej të qëndronin përpara Zotit dhe duhej të haheshin vetëm prej priftërinjve. Por Ahimeleku e kuptoi qëllimin e këtij ligji. Perëndia nderohet atëherë, kur tregojmë dhembshuri gjatë zbatimit me rigorozitet të ligjit të Tij. “Në atë kohë Jezusi po ecte një të shtunë nëpër arat me grurë; dhe dishepujt e vet, të uritur, filluan të këpusin kallinj dhe t’i hanë. Por farisenjtë, kur panë këtë, i thanë: ”Ja, dishepujt e tu po bëjnë atë që nuk është e lejueshme të bëhet të shtunën”. Dhe ai u tha atyre: ”A nuk keni lexuar vallë se ç’bëri Davidi kur pati uri, ai dhe ata që qenë me të? Si ai hyri në shtëpinë e Perëndisë dhe hëngri bukët e paraqitjes, të cilat nuk lejohej t’i hante as ai e as ata që ishin me të, por vetëm priftërinjtë? Apo nuk keni lexuar në ligj që në tempull, të shtunave, priftërinjtë e shkelin të shtunën dhe megjithatë nuk mëkatojnë? Dhe unë po ju them se këtu është një më i madh se tempulli. Dhe, po të dinit se çfarë do të thotë: “Unë dua mëshirë dhe jo flijime”, nuk do të kishit dënuar të pafajshmit. Sepse Biri i njeriut është zot edhe i së shtunës” (Mateu 12:1-8). Për Perëndinë, më shumë rëndësi ka t’iu kushtojmë vëmendje njerëzve, që na rrethojnë, sesa t’i zbatojmë pikë për pikë rregullat dhe ligjet e Tij, pa treguar pikë mëshire e dhembshurie ndaj atyre, që nuk i zbatojnë këto ligje. Është e pamundur t’i shërbesh Perëndisë dhe t’i zbatosh urdhërimet e Tij, pa patur dashuri. “Dashuria nuk i bën keq të afërmit; dashuria, pra, është përmbushja e ligjit” (Romakëve 13:10). Por kjo nuk do të thotë që të bëjmë, p.sh. ato që bën bota, ditën e shabatit (ditën e Zotit).

Njeriu i pashenjtëruar

Davidi e mashtroi dhe e gënjeu priftin, me qëllim që ta merrte bukën e shenjtëruar. Ishte njeriu i zgjedhur i Perëndisë, por e kishte harruar, për momentin, shenjtërinë e Zotit dhe, si pasojë, nuk e mori në konsideratë rëndësinë e ofertës. Davidi madje deklaroi se ai dhe katër burrat, që ishin me të, kishin jetuar sipas urdhërimeve të Fjalës së Perëndisë. “Pastaj i tha popullit: “Bëhuni gati brenda tri ditëve; mos iu afroni grave” (Eksodi 19:15). Gënjeshtrat e Davidit ishin kaq bindëse, saqë prifti kujtoi se gjithçka ishte në rregull. Por si mund ta hante bukën e shenjtëruar një njeri i pashenjtëruar e të mos ndihej fare fajtor? Edhe pse po mëkatonte, prapëseprapë duhet ta besojmë se Davidi u bë me turp, për atë që kishte bërë. “Dhe kur të ketë ardhur, ai do ta bindë botën për mëkat, për drejtësi dhe për gjykim” (Gjoni 16:8). Ndoshta ndjenjat e Davidit na përshkruhen tek Psalmi 37:25, “Unë kam qenë fëmijë dhe tani jam plakur, por nuk e kam parë kurrë të drejtin të braktisur dhe pasardhësit e tij të lypin bukë”.

Përfundim

Edhe pse e shohim se si Davidi është fajtor për shumë mëkate, prapëseprapë Perëndia nuk ka hequr dorë prej së përmbushurit të qëllimit dhe planit të Tij. Davidit iu desh që t’i vuante pasojat, që rrodhën nga mashtrimi i tij, si edhe nga mungesa e shenjtërisë së tij. Por, për momentin, ai ishte nën kujdesin mbrojtës të Perëndisë. Ndoshta Ahimeleku duhej të ishte konsultuar me Zotin, para se t’iu besonte fjalëve të Davidit. Por rezultati do të kishte qenë po i njëjtë. “Dhe, po të dinit se çfarë do të thotë: “Unë dua mëshirë dhe jo flijime,” nuk do të kishit dënuar të pafajshmit” (Mateu 12:7).

Mbrapa

Advertisements