Çfarë është Pagëzimi me Frymën e Shenjtë?

Jezusi iu dha urdhër dishepujve të Tij të pagëzoheshin në ujë (Mateu 28:19). Pagëzimi në ujë shpreh nga ana e jashtme transformimin, që ndodh brenda shpirtit tonë, kur i besojmë fillimisht Jezusit. Njeriu i vjetër i mëkatit vdiq në Krishtin, atëherë kur lindëm për së dyti me anë të Frymës së Tij. Tani jemi një krijesë e re në Krishtin (Romakëve 6:3-11). E megjithatë, Jezusi i urdhëroi dishepujt e Tij tanimë të shpëtuar, që të pagëzoheshin gjithashtu edhe në Frymën e Shenjtë (Luka 24:49; Veprat e Apostujve 1:5, 8). E shohim, pra, se pagëzimi në ujë ka lidhje me shpëtimin, kurse pagëzimi në Frymë ka lidhje me diçka tjetër krahas shpëtimit. Këtu na lind pyetja: nëse e morëm Frymën e Shenjtë në momentin e shpëtimit, atëherë pse na duhet të pagëzohemi me Frymën e Shenjtë pas shpëtimit?

Dhiata e Re përdor fjalët “Fryma e Shenjtë”, për t’iu referuar Personit të tretë të Trinitetit dhe është pikërisht ky pagëzim që përshkruhet si një pagëzim prej Tij (prej Frymës) dhe me Të (me Frymën). Kështu mund të themi pa pikë dyshimi se, meqënëse Fryma e Perëndisë është e shenjtë, i shenjtë është gjithashtu edhe pagëzimi i Tij. Fatkeqësisht kjo vepër e mrekullueshme e Frymës së Shenjtë është abuzuar për dekada me rradhë prej disave, të cilët e kanë shtrembëruar këtë pagëzim. Por Bibla na e bën mëse të qartë se çfarë është pagëzimi me Frymën e Shenjtë, kush mund ta marrë një pagëzim të tillë, ç’arrihet me anë të tij, si në jetën tonë personale, ashtu edhe në kishë.

Përshkrimet

Për dyzet ditë me rradhë pas ringjalljes së Tij, Jezusi iu mësoi pasuesve të Tij gjëra rreth Mbretërisë së Perëndisë (Veprat e Apostujve 1:3). E megjithatë, ata kishin nevojë për diçka më shumë prej Tij, para se të bëheshin gati për misjonin që iu kishte caktuar. Bibla na ofron një listë shprehjesh, të cilat përshkruajnë pagëzimin me Frymën e Shenjtë. “Sepse Gjoni pagëzoi me ujë, por ju do të pagëzoheni me Frymën e Shenjtë, mbas jo shumë ditësh” (Veprat e Apostujve 1:5). Ky premtim i Zotit Jezus Krisht u përmbush në Ditën e Pentikostit, kur pasuesit e Tij “ gjithë u mbushën me Frymën e Shenjtë” (Veprat e Apostujve 2:4). Ky bekim quhet “premtimi i Atit” (Veprat e Apostujve 1:4) dhe “premtimi i Atit tim” (Luka 24:49). Për më tepër, ata që pagëzohen me Frymën e Shenjtë do të vishen “me pushtet nga lart” (Luka 24:49). Një fuqie e tillë hyjnore u derdh mbi kishën pikërisht ashtu siç e kishte premtuar Zoti. “Fryma e Shenjtë zbriti mbi të gjithë ata” (Veprat e Apostujve 10:44-47) dhe Pjetri e përshkruan këtë pagëzim si “dhurata e Frymës së Shenjtë” (Veprat e Apostujve 11:16-17). Të njëjtin pagëzim e parashikoi edhe Gjon Pagëzori. “Unë po ju pagëzoj me ujë, për pendim; por ai që vjen pas meje është më i fortë se unë, dhe unë nuk jam i denjë as të mbaj sandalet e tij; ai do t’ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë dhe me zjarrin” (Mateu 3:11; Marku 1:8; Luka 3:16; Gjoni 1:33).

Përvoja e caktuar

Zoti Jezus bëri një premtim të caktuar, që do të përmbushej patjetër, ndaj edhe duhet ta pranojmë faktin se pagëzimi me Frymën e Shenjtë është një përvojë e caktuar sot për të gjithë pasuesit e vërtetë të Krishtit. “Dhe ja, unë po dërgoj mbi ju premtimin e Atit tim, por ju qëndroni në qytetin e Jeruzalemit deri sa të visheni me pushtet nga lart” (Luka 24:49). Këtu na lind pyetja: nga e kuptuan dishepujt se e kishin marrë pagëzimin? Kishin qëndruar sa duhej në Jeruzalem? A u larguan thjesht kur e “ndjenë” se kishin marrë diçka? Pali i pyeti disa besimtarë: “A e keni marrë Frymën e Shenjtë, kur besuat?” (Veprat e Apostujve 19:2). Ai priste që ata t’i përgjigjeshin me një “po” ose “jo”. Të krishterët efesianë nuk mund të thonin: “Nuk e dimë”, ose “Ndoshta”. Në fakt, siç e shohim edhe prej kësaj historie, këta besimtarë nuk e kishin marrë pagëzimin me Frymën e Shenjtë, por e morën pasi Pali u lut për ta. “Dhe, kur Pali vuri duart mbi ta, Fryma e Shenjtë zbriti mbi ta dhe ata folën në gjuhë të tjera dhe profetizuan” (Veprat e Apostujve 19:6).

E shohim, pra, se është e  mundur të jesh i krishterë dhe të mos ta kesh marrë pagëzimin me Frymën e Shenjtë. Askund në Bibël nuk na sugjerohet se dikush e ka marrë këtë pagëzim, pa e ditur se e ka marrë një dhuratë të tillë. Shumica e të krishterëve janë gati ta pranojnë se shpëtimi është një përvojë e caktuar dhe të paktë janë ata që e vënë në dyshim një shpëtim të tillë. Por pse vihet re një hezitim lidhur me pagëzimin me Frymën e Shenjtë? Është e mundur ta kesh marrë një pagëzim të tillë, por të mos e kesh kuptuar siç duhet rëndësinë e tij. Një gabim i tillë korrigjohet duke e lexuar dhe duke e studjuar Fjalën e Perëndisë.

Përfundim                     

Në studimet tona të ardhshme rreth Pagëzimit me Frymën e Shenjtë, kemi për t’u bekuar, kur ta shohim sesi Zoti Jezus Krisht e ka gati këtë dhuratë të mrekullueshme për secilin prej nesh. Një bekim i tillë na e pasuron jetën. “Sepse Zoti Perëndi është diell dhe mburojë; Zoti do të japë hir dhe lavdi; ai nuk u refuzon asnjë të mirë atyre që ecin drejt” (Psalmi 84:11).

Mbrapa