Çliruesi dhe I pushtuari nga demoni (Pjesa 2)

Parathënie

Marku na jep fakte të mëtejshme, lidhur me njeriun e çliruar prej legjionit të (njëmijë) demonëve. Ai e bën këtë, jo vetëm për ta rrëfyer të tërë historinë, por gjithashtu edhe për të ilustruar të vërtetat e rëndësishme rreth të shkuarit pas Krishtit.

Lutja

Kur ai po hynte në barkë, ai që kishte qenë i demonizuar, i lutej që të mund të rrinte me të” (Marku 5:18).

Sapo e pa se Jezusi po largohej nga ajo krahinë, njeriu, që kishte qenë i demonizuar, iu lut Atij që ta lejonte që të shkonte me Jezusin. Ky njeri i ishte aq mirënjohës Zotit për gjithçka që kishte bërë për të, saqë donte që t’ia tregonte gjithë botës atë që kishte ndodhur. Nuk mund të ketë lutje e përgjërim më të madh, sesa të duash të shërbesh për Zotin e me Zotin. Si fillim, mund të duket i habitshëm fakti, që Zoti refuzoi që ta merrte këtë njeri me vete. Por Ai e kishte një plan për të në vendin e tij të lindjes. Njeriut, që më parë kishte qenë i demonizuar, iu dha mandati që të ishte misionar kundrejt familjes, miqve dhe komshinjve të tij. Nuk është vështirë për ta kuptuar këtë gjë, kur e shohim se si ata nuk donin që Jezusi të qëndronte në atë krahinë: “Atëhere ata filluan t’i luten Jezusit që të largohej nga krahina e tyre” (Marku 5:17).

Vendi ku duam të jemi, mund të mos jetë ai vend, që Zoti dëshiron për ne. Shpesh, kujtojmë se e dimë se ç’është më e mira, ndaj edhe i bëjmë gjërat sipas kokës sonë. Por Perëndia ka vullnetin e Tij të përsosur për jetën tonë: “O vëllezër, po ju bëj thirrje, nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, ta paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia, që është shërbesa juaj e mënçur. Dhe mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë” (Romakëve 12:1-2)… “Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd; pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua” (Fjalët e Urta 3:5-6).

Besimtarët e rinj zakonisht janë shumë të etur, që të bëjnë gjëra të mëdha për Zotin. Por ata janë gjykatës të dobët të vullnetit të Perëndisë. Shpesh, kur entuziazmohen njerëzit, ata verbohen dhe nuk i shohin dobësitë dhe të metat e tyre. Jeta shpirtërore përfshin një rritje drejt pjekurisë në Krishtin.

Duhet të lutemi që Perëndia të na japë mençuri, me qëllim që të marrim vendime të duhura në jetë, me qëllim që të mund të jetojmë në përulje, me qëllim që të mund të ecim me anë të besimit dhe jo me anë të ndjenjave dhe emocioneve (2 Korintasve 5:7). Duhet të jemi të kënaqur me atë pozicion, në të cilin na ka vendosur Krishti dhe të lumtur që drejtohemi nga Fryma e Perëndisë: “Sepse të gjithë ata që udhëhiqen nga Fryma e Perëndisë janë bij të Perëndisë” (Romakëve 8:14). 

Përgjigja

Por Jezusi nuk e lejoi, madje i tha: “Shko në shtëpinë tënde, te të tut dhe u trego atyre çfarë gjërash të mëdha bëri Zoti dhe si pati mëshirë për ty”. Dhe ai shkoi dhe nisi të predikojë nëpër Dekapolis për të gjitha ato që i kishte bërë Jezusi; të gjithë u mrrekulluan” (Marku 5:19-20).

Njeriu iu bind Jezusit dhe bëri atë që Ai i urdhëroi të bënte. Kjo ndoshta ishte një detyrë më e vështirë, sesa të udhëtuarit me Jezusin dhe dishepujt e Tij. Asnjëri prej atyre që e dinin gjendjen e tij të mëparshme, nuk mund ta mohonte faktin se tek ky njeri kishte ndodhur një transformim i mrekullueshëm, që prej momentit kur ai takoi Zotin. Dëshmia e tij u bë lajmi kryesor në të dhjetë qytetet rreth e rrotull.

T’iu dëshmosh familjes dhe miqve duhet të jetë gjëja më e natyrshme për t’u kryer prej një besimtari. Po qe se ne nuk iu tregojmë atyre rreth fuqisë shpëtuese të Krishtit, atëherë si do ta njohin ata Atë? Po qe se jemi me të vërtetë të rilindur, atëherë ata do të shohin ndryshimin e mrekullueshëm, që Shpëtimtari ka kryer tek ne: “Prandaj nëse dikush është në Krishtin, ai është një krijesë e re; gjërat e vjetra kanë shkuar; ja, të gjitha gjërat u bënë të reja” (2 Korintasve 5:17).

Përfundim

Si mund të mbajmë gojën mbyllur e të mos flasim rreth fuqisë së Perëndisë sonë? Duhet ta përdorim çdo rast, për t’iu treguar të tjerëve për Të: “Ky gjeti më të parin vëllanë e vet, Simonin, dhe i tha: “E gjetëm Mesian që përkthyer do të thotë: “Krishti”” (Gjoni 1:41)… “Filipi gjeti Natanaelin dhe i tha: “E gjetëm atë, për të cilin shkroi Moisiu në ligj dhe profetët: Jezusin nga Nazareti” (Gjoni 1:45)… “Ejani të shikoni një njeri që më ka thënë gjithçka kam bërë; vallë mos është ky Krishti?” (Gjoni 4:29). Le të mos na vijë kurrë turp për t’i shërbyer Krishtit: “Në fakt unë nuk kam turp për ungjillin e Krishtit, sepse ai është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e cilitdo që beson” (Romakëve 1:16)… “Ejani dhe dëgjoni, ju të gjithë që i trëmbeni Perëndisë, dhe unë do t’ju tregoj atë që ai bëri për shpirtin tim” (Psalmi 66:16). Nuk do ta ndjekim me të vërtetë Krishtin, nëse, në fillim, nuk iu tregojmë pjesëtarëve të familjes sonë rreth Tij. Ungjillizimi fillon brenda në shtëpi.

Mrapa

Advertisements