Çliruesi dhe Ilaçi i Tij

Parathënie

Marku na tregon se si Jezusi dëboi demonë dhe shëroi vjerrën e Pjetrit, duke vërtetuar në këtë mënyrë se Biri i Perëndisë ka autoritet mbi problemet shpirtërore dhe fizike. Jezusi kishte triumfuar kundër gënjeshtrave dhe mashtrimeve të djallit gjatë dyzet ditëve dhe netëve në shkretëtirë. Prandaj për Të tani asnjë lloj force demoni apo asnjë lloj sëmundjeje fizike nuk ishte e vështirë për t’u mundur.

Gjërat që i di edhe djalli

Pastaj hynë në Kapernaum dhe menjëherë, ditën e shtunë, ai hyri në sinagogë dhe i mësonte njerëzit. Dhe njerëzit habiteshin nga doktrina e tij, sepse ai i mësonte si një që ka pushtet dhe jo si skribët. Atëherë në sinagogën e tyre ishte një njeri i pushtuar nga një frymë e ndyrë, i cili filloi të bërtasë, duke thënë: “Ç’ka midis nesh dhe teje, o Jezus Nazareas? A erdhe të na shkatërrosh? Unë e di kush je: I Shenjti i Perëndisë”. Por Jezusi e qortoi duke thënë: “Hesht dhe dil prej tij!”. Dhe fryma e ndyrë, mbasi e sfiliti, dhe duke lëshuar një britmë të madhe doli prej tij. Dhe të gjithë u mahnitën aq shumë sa pyesnin njeri-tjetrin duke thënë: “Vallë ç’është kjo? Cfarë doktrinë e re qënka kjo? Ky i urdhëroka me autoritet edhe frymërat e ndyra, dhe ata i binden”. Dhe fama e tij u përhap menjëherë në mbarë krahinën përreth Galilesë” (Marku 1:21-28).

Si këtu, ashtu edhe në vargun 34, Marku na thotë se demonët e dinë me saktësi se kush është Jezusi. Drejtuesit fetarë, as nuk e kuptuan se kush ishte Krishti, as nuk kishin autoritet për të dëbuar demonët. Ata ishin kaq të vdekur nga ana shpirtërore, saqë ndoshta as që nuk e dinin nëse dikush ishte i pushtuar nga demonët apo jo.

Demonët e dinë se ç’do t’u ndodhë atyre, sapo Jezusi ta themelojë mbretërinë e Tij në tokë. Ata janë të destinuar për në Liqenin e Zjarrtë “të përgatitur për djallin dhe engjëjt e tij” (Mateu 25:41). Por ka njerëz, madje edhe nga ata që janë besimtarë, që nuk janë të sigurtë për egzistencën e Ferrit, apo për mundësinë e vuajtjes së përjetshme. Këta njerëz e kanë mendjen aq shumë tek gjërat e kësaj bote, saqë nuk pyesin fare për shpirtin e tyre.

Por, nuk do të thotë se je i shpëtuar, edhe pse mund ta dish se kush është Jezusi. Po qe se mjafton vetëm njohuria për të patur shpëtimin, atëherë s’ka dyshim se edhe shpirtrat e pushtuar nga demonët janë të shpëtuar. Edhe demonët kanë njohuri intelektuale: “Ti beson se ka vetëm një Perëndi. Mirë bën; edhe demonët besojnë dhe dridhen” (Jakobi 2:19). Demonët, të paktën, kanë aq mend sa të dridhen në praninë e Jezusit! Neve na është dhënë Fryma e Shenjtë, me qëllim që fuqia shenjtëruese e Tij të depërtojë thellë në zemrat dhe në ndjenjat tona. Nuk mjafton vetëm që ta kemi kokën të mbushur plot me njohuri rreth Biblës, por kjo njohuri duhet të ndikojë edhe në mënyrën sesi jetojmë. E si mund ta quajmë Jezusin ‘Zot’, kur nuk bëjmë ato gjëra që na thotë Ai? “Përse më thirrni, “Zot, Zot” dhe nuk bëni atë që ju them?” (Luka 6:46) Besimtari i vërtetë rrëfen se Jezusi është si Shpëtimtar, ashtu edhe Zot.

Shërimi i vjerrës  

Sapo dolën nga sinagoga, erdhën në shtëpinë e Simonit dhe të Andreas, me Jakobin dhe Gjonin. Vjehrra e Simonit ishte në shtrat me ethe dhe ata menjëherë i folën për të. Atëhërë ai u afrua, e kapi për dore dhe e ngriti. Menjëherë ethet e lanë dhe ajo nisi t’u shërbejë” (Marku 1:29-31).

Familja e Pjetrit nuk thërriti mjekun e fshatit, që t’iu jepte një recetë për ta ulur ethen. Përkundrazi, ata i treguan Jezusit se ç’problem kishin. E dinin se Ai mund ta shëronte vjerrën. Shpesh, i drejtohemi ilaçeve, para se të shkojmë tek Zoti me shqetësimet tona. Duhet të mësojmë që t’ia sjellim Atij të gjitha hallet, problemet dhe frikën: “Hidh mbi Zotin barrën tënde, dhe ai do të të mbajë; ai nuk do të lejojë kurrë që i drejti të lëkundet” (Psalmi 55:22)… “Gjithë merakun tuaj hidheni mbi të, sepse ai merakoset për ju” (1 Pjetrit 5:7)… “Mos u shqetësoni për asgjë, por, në çdo gjë, ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falënderim” (Filipianëve 4:6).

Ethet e lanë vjerrën, sapo e preku Jezusi. Kjo mrekulli rezultoi menjëherë në një mrekulli tjetër: vjerra e Pjetrit u ngrit menjëherë të gatuajë për mysafirët e saj. Zoti, jo vetëm që na shëron shpirtin, por na jep edhe hirin për t’i shërbyer Atij në jetën tonë të përditshme. Ai, jo vetëm që na pastron nga mëkati, por na jep edhe një zemër të re. Fuqia e Tij është gjithmonë në dispozicion për ata që e marrin çdo ditë mbi supe kryqin e Tij.

Turmat shërohen dhe çlirohen

Në mbrëmje, pas perëndimit të diellit, i prunë të gjithë të sëmurit dhe të demonizuarit. Dhe gjithë qyteti ishte mbledhur përpara derës. Ai shëroi shumë, që lëngonin nga sëmundje të ndryshme, dhe dëboi shumë demonë; dhe nuk i lejoi demonët të flasin, sepse ata e njihnin” (Marku 1:32-34).

Sapo u përhap lajmi se Jezusi mund të shëronte të sëmurët dhe të dëbonte shpirtrat e papastër, i gjithë Kapernaumi u shfaq në pragun e derës së Pjetrit. Por ata nuk donin të shihnin Pjetrin, por Jezusin. Jezusi asnjëherë nuk i bënte punët përgjysëm. Ai, as nuk i shëroi, as nuk i çliroi njerëzit pjesërisht. Kurrë nuk kërkoi “para” për shërbesën e Tij, sepse kështu veprojnë vetëm sharlatanët dhe mashtruesit në kishat e sotme. Të sëmurët e dëshmuan besimin e tyre, me faktin se erdhën tek Jezusi dhe jo tek ndonjë tjetër.   

Përfundim

Gjithmonë do të dalin probleme, që do të na sprovojnë në besim dhe do të përpiqen të na shkatërrojnë paqen. Por, kemi një Shpëtimtar, tek i cili mund të mbështetemi gjatë gjithë kohës. Në praninë e Tij, të gjitha dilemat tona zhduken menjëherë. Jezusi nuk përdori asnjë ilaç, formulë, apo magji për të shëruar situatat reale në Kapernaum. Ai ishte vetë ilaçi. Gjëra të mrekullueshme mund të ndodhin për ata, që i besojnë vetëm Atij. Vetëm Jezusi ka pushtetin më të lartë mbi çdo gjë: “Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë” (Mateu 28:18). 

Mbrapa

Advertisements