Ç’mendoni?

Sepse, ashtu si mendon në zemër të tij, ashtu është ai” (Fjalët e Urta 23:7).

Parathënie

Nuk mund t’i matim dot gjithmonë njerëzit nga fjalët, që nxjerrin nga goja, sepse ka njerëz, që ndryshe flasin e ndryshe mendojnë. Perëndia kërkon prej nesh, që të flasim atë, që kemi në mendje. “O vëllezër, po ju bëj thirrje, nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, ta paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia, që është shërbesa juaj e mënçur. Dhe mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë. Sepse, për hirin që më është dhënë, unë i them secilit prej jush të mos e vlerësojë veten më shumë se sa duhet ta çmojë, por të ketë një vlerësim të përkorë, sipas masës së besimit që Perëndia i ndau secilit” (Romakëve 12:1-3).

Mendja e Krishtit

Bibla na thotë se ata, që nuk janë besimtarë, nuk mund të mendojnë dot mendime shpirtërore. “Në fakt mendja e kontrolluar nga mishi është armiqësi kundër Perëndisë, sepse nuk i nënshtrohet ligjit të Perëndisë dhe as nuk mundet” (Romakëve 8:7). Njerëz të tillë as që nuk mund të fillojnë të mendojnë dot nga ana shpirtërore, po nuk iu dha “mendja e Krishtit” (1 Korintasve 2:16). Edhe ne kështu ishim, para se të vinim tek Krishti. “Dhe ju vetë, që dikur ishit të huaj dhe armiq në mendje me veprat tuaja të këqija, tani ju paqtoi” (Kolosianëve 1:21-22). Mendimet tona u ndryshuan vetëm nëpërmjet mëshirës së Perëndisë. “Ndërmjet të cilëve edhe ne dikur jetuam në lakmitë e mishit tonë duke i plotësuar dëshirat e mishit dhe të mendjes, dhe ishim prej natyre bij të zemërimit, ashtu si edhe të tjerët. Por Perëndia, që është i pasur në mëshirë, për shkak të dashurisë së tij të madhe me të cilën na deshi, edhe atëherë kur ishim të vdekur në faje, na dha jetë me Krishtin (ju jeni të shpëtuar me anë të hirit), edhe na ringjalli me të, dhe me të na vuri të rrimë në vendet qiellore në Krishtin Jezus” (Efesianëve 2:3-6). Perëndia filloi të na e pastrojë mendjen nëpërmjet fjalës së Tij e me anë të Frymës së Shenjtë. “Ai na shpëtoi jo me anë të veprave të drejta që ne bëmë, por sipas mëshirës së tij, me anë të larjes së rilindjes dhe të ripërtëritjes së Frymës së Shenjtë” (Titit 3:5). Ndaj edhe ne, ashtu si burri gadarenas i pushtuar nga djajtë, e kemi tani mendjen “në rregull” (Marku 5:15).

Një mendje e re

Besimtarët e rilindur vërtet kanë një mendje të re, e cila është në gjendje ta kuptojë zërin e Frymës së Shenjtë e ta sjellë atë zë vazhdimisht në mendje. Si besimtarë të tillë, ne nuk udhëhiqemi më prej pikëpamjeve të vdekura të kësaj bote, por jemi të lirë për t’i shkuar pas fuqisë jetë-ndryshuese të Perëndisë. “Sepse ata që rrojnë sipas mishit e çojnë mendjen në gjërat e mishit, por ata që rrojnë sipas Frymës në gjërat e Frymës. Në fakt mendja e kontrolluar nga mishi prodhon vdekje, por mendja e kontro-lluar nga Fryma prodhon jetë dhe paqe…Sepse të gjithë ata që udhëhiqen nga Fryma e Perëndisë janë bij të Perëndisë” (Romakëve 8:5-6, 14). Më përpara, Bibla për ne ishte thjesht një libër, të cilin s’kishim dëshirë ta lexonim. Por tani, gjejmë “kënaqësi në ligjin e Perëndisë sipas njeriut të brendshëm” (Romakëve 7:22). Më përpara, nuk i afroheshim dot Perëndisë. Kurse tani mund ta adhurojmë Atë “në frymë dhe në të vërtetë” (Gjoni 4:24).

Perëndia i di mendimet tona

Më heto, o Perëndi, dhe njihe zemrën time; më provo dhe njihi mendimet e mia” (Psalmi 139:23). Ai dëshiron, që të na i largojë fare nga mendja ato mendime, që na e ndotin shpirtin. “Sepse nga brenda, domethënë nga zemra e njeriut, dalin mendimet e mbrapshta, shkeljet e kurorës, kurvërimi, vrasjet, vjedhjet, lakmitë, ligësitë, mashtrimet, pafytyrësia, smira, blasfemia, kryelartësia, budallallëku. Të gjitha këto të mbrapshta dalin nga brenda dhe e ndotin njeriut” (Marku 7:21-23). Nuk mund t’ia fshehim dot mendimet Zotit. Ashtu siç na vjen turp për të thënë apo për të bërë ca gjëra apo veprime të caktuara, ashtu duhet të na vijë turp, edhe kur mendojmë mendime të gabuara, apo të pista e mëkatare. “Sepse ç’ka zemra qet goja” (Mateu 12:34). Duhet të lutemi së bashku me Davidin: “U miratofshin para teje fjalët e gojës sime dhe përsiatjet e zemrës sime, o Zot, kështjella ime dhe shpëtimtari im” (Psalmi 19:14).

Farat e veprave

Mendimet janë farat e veprave. Mendimet, në fillim, mendohen në mendje, pastaj bëhen realitet në formën e veprave. Trupi bën atë që i thotë mendja. Nuk është për t’u habitur, pra, që ata, të cilët admirojnë një aktor, apo këngëtar të famshëm, shumë shpejt fillojnë dhe vishen, flasin apo ecin, si ky aktor apo këngëtar, d.m.th. e kopjojnë atë në çdo drejtim. Fjala e Perëndisë na thotë: “Kini në ju po atë ndjenjë që ishte në Jezu Krishtin” (Filipianëve 2:5)… “Së fundi, vëllezër, të gjitha gjërat që janë të vërteta, të gjitha gjërat që janë të ndershme, të gjitha gjërat që janë të drejta, të gjitha gjërat që janë të pastra, të gjitha gjërat që janë të dashura, të gjitha gjërat që janë me famë të mirë, nëse ka ndonjë virtyt dhe nëse ka ndonjë lëvdim, këto mendoni” (Filipianëve 4:8). Një mendje e tillë do të fillojë të japë frytet e drejtësisë, të shenjtërisë dhe të perëndishmërisë. Në këtë mënyrë, arrijmë të shfaqim “frytin e Frymës” në jetën tonë të përditshme (shiko Galatasve 5:22 dhe Efesianëve 5:9). Kur e kemi mendjen tek gjërat qiellore, edhe karakteri ynë fillon e transformohet. “Kini në mend gjërat që janë atje lart, jo ato që janë mbi tokë” (Kolosianëve 3:2).     

Përfundim

Ruaje zemrën tënde me shumë kujdes, sepse nga ajo dalin burimet jetës” (Fjalët e Urta 4:23). Kishat tona sot kanë nevojë për njerëz me një mendje të pastër, të cilët i kanë hedhur poshtë mendimet e botës dhe kanë marrë vendim për ta përqëndruar vëmendjen e tyre tek Krishti. “Që të zhvisheni, për sa i takon sjelljes së mëparshme, nga njeriu i vjetër që korruptohet me anë të lakmive të gënjeshtrës, dhe të përtëriteni në frymën e mendjes suaj dhe të visheni me njeriun e ri, të krijuar sipas Perëndisë në drejtësinë dhe shenjtërinë e së vërtetës” (Efesianëve 4:22-24). Njerëzve të tillë me një mendje të ndryshuar do t’iu jepet vajosja (ose misioni) për ta ndryshuar edhe vetë shoqërinë.

Mbrapa