Dalethi – Fjala ringjallëse

Unë bie përmbys në pluhur; më ringjall sipas fjalës sate. Të kam treguar rrugët e mia, dhe ti më je përgjigjur; më mëso statutet e tua. Më bëj që të kuptoj rrugën e urdhërimeve të tua, dhe unë do të mendohem thellë mbi mrekullitë e tua. Jeta ime tretet në dhimbje; më jep forcë sipas fjalës sate. Mbamë larg nga gënjeshtra dhe, në hirin tënd, bëmë të njohur ligjin tënd. Kam zgjedhur rrugën e besnikërisë; i kam vënë dekretet e tua para vetes. Jam i lidhur me porositë e tua; o Zot, mos lejo që unë të hutohem. Do të veproj në rrugën e urdhërimeve të tua, sepse ti do të më zgjerosh zemrën” (Psalmi 119:25-32).

Parathënie

Këto vargje na shprehin domosdoshmërinë për një ringjallje personale, duke na theksuar kushtet që duhen plotësuar, para se një ringjallje dhe një rifreskim i tillë të bëhet realitet. Ashtu si autori i psalmit edhe ne shpesh i jemi lutur Zotit të na prekë sërish me Frymën e Tij të Shenjtë. Vetëm vetja na pengon për të marrë bekimin e Tij.

Ringjallja

Ku fillon ringjallja personale? Ringjallja i ka rrënjët të ngulura thellë tek pendimi, sepse prej tij vjen jeta e re. “Në qoftë se populli im, i cili thirret me emrin tim, përulet, lutet, kërkon fytyrën time dhe kthehet prapa nga rrugët e këqija, unë do ta dëgjoj nga qielli, do t ‘i fal mëkatin e tij dhe do ta shëroj vendin e tij” (2 Kronikasve 7:14). Kjo do të thotë se ringjallja vjen atëherë kur vetes sonë i ka ardhur fundi, kur kemi hequr dorë plotësisht prej ambicjoneve dhe dëshirave tona mishore. Ringjallja fillon atëherë, kur pendohemi vërtet me një zemër të thyer dhe të përulur. Vini re sesi autori i psalmit thotë se ai “bie përmbys në pluhur”, d.m.th. shpirti i tij është i etur dhe i uritur për “kohët e flladit nga prania e Zotit” (Veprat e Apostujve 3:19). Fjala e Perëndisë, pra, është burimi i bekimit, sepse Ai na i flet zemrës, ndërkohë që e lexojmë Biblën. Ringjallja e vërtetë gjithmonë përputhet me fjalën e Zotit. Nuk ka patur kurrë një ringjallje, që ka filluar pa e patur bazën e saj tek Bibla. Në të njëjtën mënyrë, çdo lloj ringjalljeje e së ardhmes, qoftë ajo personale apo kombëtare, ka për të ardhur si rezultat i pasjonit të rinovuar të  krishterëve për fjalën e Perëndisë.

Rezultati

Kur besimtari i penduar i afrohet Zotit në mënyrë të përulur, Zoti atëherë ka për t’iu përgjigjur lutjes së tij. Pikërisht në këtë moment, zemra është gati për të marrë bekimin që Zoti ka përgatitur. Kështu merret, pra, dhurata e çmuar e ringjalljes, por ç’ndodh më pas? A duhet të bëjmë pushim, apo të vazhdojmë të ngulmojmë edhe më shumë? Kurrë nuk duhet të heqim dorë prej së lexuari, së studjuari dhe së mediatuari rreth fjalës së Perëndisë. Ai duhet të jetë gjithmonë Udhëheqësi i udhëtimit tonë të jetës. Ai është Mjeshtri, kurse ne jemi studentët. “Zot, te kush të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përjetshme” (Gjoni 6:68). Një nga rezultatet kryesore, pra, të ringjalljes është një dëshirë akoma më e zjarrtë për ta njohur të vërtetën.

Kërkesa

Autori i psalmit e ndjen sikur zemra i dëshiron aq shumë që Zoti ta prekë. Disa komentatorë thonë se ai ishte në depresjon dhe në ankth, por në të njëjtën kohë e shohim sesi ai e di mirë se ç’i nevojitet për të qenë edhe më i fortë. Pa dyshim që ai ishte i merakosur për ata që nuk kishin dëshirë fare për t’i shërbyer Perëndisë (vargu 21). Ai donte t’i qëndronte larg gënjeshtrës dhe vetëm fuqia dhe inkurajimi që merrte prej Fjalës, e bënte që të qëndronte i fortë. Ringjallja që kërkonte, jo vetëm që do ta forconte, por do t’i jepte guxim për t’i rezistuar të ligës. Nuk donte të vepronte si të tjerët, por kishte “zgjedhur rrugën e drejtësisë”, duke i besuar gjithmonë fjalës së Perëndisë. Mund të kishte rënë vërtet përmbys në pluhur, por zemrën e kishte të ngulitur fort tek e vërteta. Fjala “i lidhur” i referohet të ngjiturit fort me vinovil, d.m.th. ai ishte i lidhur (i ngjitur) fort tek urdhërimet e Zotit, duke i zbatuar ato me besnikëri. Një përkushtim të tillë kërkon edhe Krishti prej nesh. Kemi një tendencë për t’u larguar prej Zotit, ndaj edhe stabiliteti i Biblës na jep fuqi për të jetuar pa patur frikë se do ta braktisim Krishtin. Autori i psalmit lutet gjithashtu që të mos turpërohet apo të hutohet. Kjo do të thotë se ai e kupton se i duhet besim për ta ndjekur Zotin, ndaj edhe është gati për ta vënë gjithçka në rrezik për ta marrë një bekim të tillë. Kështu veproi edhe Pjetri, në momentin kur doli nga barka dhe eci mbi ujë drejt Jezusit (Mateu 14:25-33).

Përfundim

Autori i psalmit është i përkushtuar për t’iu bindur me besnikëri fjalës së Perëndisë, pavarësisht nga frika apo rezervimi që mund të ketë. Ta ndjekësh Jezusin është çështje dashurie, jo intelekti! Ata që veprojnë në këtë mënyrë, kanë për ta parë se Ai ka për t’iua “zgjeruar zemrën” dhe gjithçka tjetër në jetë, d.m.th. Ai ka për t’iu dhënë atyre fuqi, përsa kohë që e ndjekin. Askush nuk bëhet automatikisht i shenjtë. Përkundrazi, shenjtëria është një vendim personal dhe një vendim me qëllim për ta zbatuar fjalën e Zotit. Perëndia gjithmonë ndërton godina të sigurta mbi një themel të tillë të patundur. “Prandaj, ai që i dëgjon këto fjalë të mia dhe i vë në praktikë, mund të krahasohet prej meje me një njeri të zgjuar, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi shkëmb” (Mateu 7:24). E dimë se jemi të dobët, por lavdi Zotit që Ai është i fortë dhe në gjendje për të na forcuar edhe neve. “Hiri im të mjafton, sepse fuqia ime përsoset në dobësi” (2 Korintasve 12:9). Ringjallja fillon thjesht me një lutje të vetme! 

Mbrapa

Advertisements