Dashuria e Krishtit dhe Të Qënit si Krishti

Gjatë studimit tonë të Ungjillit të Markut, kemi vënë re shumë raste, kur dishepujt e patën të vështirë të hiqnin dorë prej ambicjeve egoiste dhe prej lartësimit të vetvetes. Fatkeqësisht, gabimet nuk iu bënë mësim, por, përkundrazi, ata vazhdimisht haheshin me njëri-tjetrin për ngritje në pozitë.

Lartësimi i vetvetes

Atëherë Jakobi dhe Gjoni, bij të Zebedeut, iu afruan dhe i thanë: “Mësues, ne dëshirojmë që ti të bësh për ne atë që do të të kërkojmë”. Dhe ai u tha atyre: “Çfarë doni të bëj për ju?” Ata i thanë: “Na lejo që të ulemi njëri në të djathtën tënde dhe tjetri në të majtën tënde në lavdinë tënde”. Dhe Jezusi u tha atyre: “Ju nuk dini çfarë kërkoni. A mund të pini ju kupën që unë do të pi dhe të pagëzoheni me atë pagëzim me të cilin unë jam pagëzuar?”. Ata i thanë: “Po, mundemi”. Dhe Jezusi u tha atyre: “Vërtetë ju do të pini kupën që unë po pij dhe do të pagëzoheni me atë pagëzim me të cilin jam pagëzuar, por nuk më takon mua të vë dikë të ulet në të djathtën time ose në të majtën time, por është për ata për të cilët është përgatitur”. Kur i dëgjuan këto, të dhjetë të tjerët filluan të indinjohen kundër Jakobit dhe Gjonit” (Marku 10:35-41).

Këtu shohim paditurinë shpirtërore të Jakobit dhe Gjonit, tek i kërkonin Jezusit vendin më të mirë në Mbretërinë e Tij. Ata ose u nxitën prej nënës së tyre, ose i kërkuan asaj që të fliste për ta: “Atëherë nëna e bijve të Zebedeut iu afrua bashkë me bijtë e vet, ra përmbys para tij dhe i kërkoi diçka. Dhe ai i tha: “Çfarë do?”. Ajo u përgjigj: “Urdhëro që këta dy bijtë e mi të ulen njeri në të djathtën dhe tjetri në të majtën në mbretërinë tënde” (Mateu 20:20-21). Zoti i kishte paralajmëruar ashpër disa herë me rradhë. Prapëseprapë, dishepujt këmbëngulnin me kokëfortësi se Mbretëria Mesianike ishte gati për t’u themeluar.  Edhe kur Zoti iu foli rreth çmimit që duhej të paguanin po ta ndiqnin Atë me të vërtetë, ata përsëri nuk hoqën dorë nga dëshira për ta ngritur veten lart. Ndoshta kujtuan se sakrifica që duhej të bënin, do të zgjaste vetëm disa ditë vuajtjesh! Kishin guximin të thoshin se mund të duronin gjithçka që t’iu dilte përpara, vetëm e vetëm që t’iu jepej e drejta për të mbretëruar me Krishtin. Gjëja më e trishtuar ishte kjo: ata nuk e kishin kuptuar siç duhej as zemrën e tyre, as rrugën, në të cilën do të kalonin. Ëndrra e shpërblimeve dhe kurorave tokësore iua kishte verbuar shikimin, aq sa nuk e shihnin dot gjendjen e tyre të vërtetë.

Kisha është e mbushur me njerëz, që kujtojnë se është kollaj të jetosh një jetë të krishterë. Presin që të përjetojnë lluks, rehati dhe ditë me diell gjatë gjithë rrugës për në Qiell. Janë gati ta harrojnë se ka një kryq, që duhet mbajtur mbi supe, para se t’iu vihet kurora mbi kokë. Kujtojnë se mund të hyjnë në Mbretërinë e Krishtit, me forcat dhe me vullnetin e tyre. “Fryma është gati, por mishi është i dobët” (Mateu 26:41). Nuk e marrin parasysh dobësinë e mishit, kur ballafaqohen me vështirësi e përndjekje. Por shpejt, nëpërmjet përvojave të hidhura, e kuptojnë se lartësimi i vetvetes iua mund çdo lloj besimi që mund të kenë. “Prandaj ai që mendon se qëndron më këmbë, le të shohë se mos bjerë” (1 Korintasve 10:12).

Duhet t’i hedhim një vështrim serioz qëndrimit tonë në Krishtin: “Analizoni veten tuaj a jeni në besim; provoni veten tuaj! A thua nuk e njihni vetveten se Jezu Krishti është në ju? Veç në qofshi të përjashtuar” (2 Korintasve 13:5). Ashtu si Jakobi dhe Gjoni, edhe ne duhet të besojmë se Jezusi është “MBRETI I MBRETËRVE dhe ZOTI I ZOTËRVE” (Zbulesa 19:16) dhe se një ditë besimtarët “do të mbretërojnë me të një mijë vjet” (Zbulesa 20:6). Por, ndryshe nga ata, ne nuk duhet të harrojmë se kemi një kryq për të mbajtur mbi supe: “Me shumë pikëllime duhet të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë” (Veprat e Apostujve 14:22). Le të mos i varim shpresat tek forcat tona, sepse përndryshe, do të dështojmë e do të rrëzohemi të turpëruar.

Vetëmohimi

Por Jezusi i thirri pranë vetes dhe tha: “Ju e dini që ata që konsiderohen sundues të kombeve i sundojnë ato dhe të mëdhenjtë e tyre ushtrojnë mbi to pushtetin e tyre; por kjo s’duhet të ndodhë midis jush; madje ai nga ju që do të dojë të bëhet i madh, do të jetë shërbëtori juaj; dhe kushdo nga ju që do të dojë të jetë i pari, do të jetë skllavi i të gjithëve.” (Marku 10:42-44).

Edhe një herë, Zoti po iu sillte dishepujve në mendje faktin se lartësimi i vetvetes është mashtrim. Ai iu theksoi atyre se të qënit i përulur është karakteristikë e të gjithë atyre, që e ndiqnin Atë me të vërtetë. Idenë për të qenë të famshëm e kishin marrë nga bota. Por një ide e tillë duhej të hidhej poshtë, nëse donin të nderoheshin me të vërtetë prej Perëndisë. Në këto vargje, Jezusi flet rreth vetëmohimit dhe të qënit shërbëtor. Nëse dishepujt donin vërtet ta ndiqnin, atëherë duhej që ata ta imitonin natyrën dhe karakterin e Tij, sepse Ai erdhi për t’iu shërbyer atyre, që ishin të humbur në mëkat.

Mendjemadhësia zë rrënjë shpejt në zemrat tona, prandaj vazhdimisht duhet t’ia kujtojmë vetes se vetë-drejtësia, dashuria e vetvetes dhe lartësimi i vetvetes e çnderojnë Perëndinë dhe e shkatërrojnë shpirtin. “Mos bëni asgjë për rivalitet as për mendjemadhësi, por me përulësi, secili ta çmojë tjetrin më shumë se vetveten” (Filipianëve 2:3). E dimë se na mbretëron përulësia në shpirt, atëherë kur na bëhet qejfi kur lavdërohen të tjerët, edhe pse ne vetë mund të ana-shkalohemi e mund të mos vihemi re fare. Fama e vërtetë nuk vjen nga të qënit i famshëm, apo nga të qënit një udhëheqës i respektuar nga të gjithë, por vjen nga të qënit shërbëtor i të tjerëve. Pak rëndësi ka, nëse nuk na del emri në gazetë! Ajo, që ka më shumë rëndësi, është se emri ynë është i shkruar në “Librin e Jetës së Qengjit” (Zbulesa 13:8). Vetëm të qënit si Krishti sjell shpërblimin e përjetshëm.

Vetë-sakrifikimi

Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin e shumë vetave” (Marku 10:45).

Shprehja “sepse edhe” ka peshë të madhe në këtë varg. I tërë vargu vë në dukje arsyen dhe mënyrën e ardhjes së Krishtit në botë. Ai pagoi çmimin për të gjithë, një borxh, që nuk e kishte për borxh ta paguante. Ishte gati të kryqëzohej mbi kryq, për t’i siguruar mëkatarit lirinë! Është e vërtetë se botës nuk i kemi borxh asgjë, por i kemi borxh gjithçka Atij, që e deshi botën. Jezusi nuk kërkoi që të ulej në fronin e Herodit, apo që të vishej me rrobat e priftërinjve. Përkundrazi, Ai erdhi për ta ofruar vullnetarisht Veten për çlirimin e mëkatarëve. Me vullnetin e Tij, Ai u bë kriminel në sytë e Romës, të Herodit dhe të priftërinjve. “I vetmi sundimtar, Mbreti i mbretërve dhe Zot i zotërve” pranoi të zinte pozitën më të ulët që egzistonte (1 Timoteut 6:15). Po ne, a jemi vërtet të vendosur për ta ndjekur? “Sepse për këtë ju u thirrët, sepse edhe Krishti e vuajti për ne, duke ju lënë një shembull, që të ecni pas gjurmës së tij” (1 Pjetrit 2:21).

Përfundim

Jakobi dhe Gjoni thanë se ishin në gjendje të vuanin për hir të Krishtit. Nuk kaloi shumë kohë dhe Jakobi, të paktën, e pa se të shkuarit pas Jezusit mund t’i kushtojë besimtarit edhe vetë jetën: “Dhe në atë kohë mbreti Herod filloi të përndjekë disa nga kisha. Dhe e vrau me shpatë Jakobin, vëllain e Gjonit” (Veprat e Apostujve 12:1-2). Prapëseprapë, nuk është Jakobi, por Jezusi Ai, që është shembulli më i mirë për ne, për ta kuptuar se çdo të thotë ta ndjekësh me të vërtetë Perëndinë.

Mbrapa

Advertisements