Dashuria e Shpëtimtarit dhe Shtatë Bukët

Tek Marku 8:1-13, shohim një mrekulli tjetër të të ushqyerit të një numri të madh njerëzish vetëm me ca bukë dhe peshq. Ndoshta mosbesuesit (skeptikët) mund ta kishin hedhur poshtë historinë e të ushqyerit të 5000 vetave, duke e konsideruar atë si pjellë të imagjinatës së autorit të Ungjillit. Por të ushqyerit e 4000 vetave e përforcon edhe më shumë, si fuqinë dhe perëndishmërinë e Krishtit, ashtu edhe saktësinë e Markut dhe të Mateut (shiko Mateu 15:32-39).

Dhembshuria e Krishtit

Në ato ditë, duke qenë se u mblodh një turmë shumë e madhe dhe s’kishin ç’të hanin, Jezusi i thirri dishepujt e vet dhe u tha atyre: “Kam mëshirë për këtë turmë, sepse u bënë tri ditë që po rri me mua, dhe nuk ka ç’të hajë. Dhe po t’i nis të pa ngrënë në shtëpitë e tyre, do të mbeten udhës; disa prej tyre kanë ardhur që nga larg” (Marku 8:1-3).

Në këtë turmë njerëzish ndodheshin shumë veta, që kishin bërë goxha rrugë për të parë e për të dëgjuar Jezusin. Ka të ngjarë që ata të ishin prej Dekapolit dhe prej krahinave të tjera rreth e përqark. Ishin habitur aq shumë prej shërbesës së Jezusit, saqë nuk kishin ngrënë asgjë për tre ditë me rradhë. Sot, ka nga ata anëtarë kishe, që nuk rrinë dot as edhe një orë, pa iu shkuar mendja tek dreka! Është e qartë se këta 4000 veta, që i kishin shkuar pas Jezusit, nuk ishin thjesht kureshtarë për Të, por ia dëgjonin me vëmendje çdo fjalë që fliste. E megjithatë, edhe në kulmin e momenteve shpirtërore, është e rëndësishme që të mos i neglizhojmë nevojat e trupit. Jezusi pati dhembshuri për këta njerëz dhe i ushqeu.

Zoti Jezus Krisht iua plotësoi nevojat të gjithëve atë ditë, pavarësisht nga qëllimi që kishte turma, që e ndiqte. Ai erdhi për të vdekur për ata që ishin pa zemër, pa besim dhe pa hir në këtë botë, edhe pse shumica refuzuan ta pranonin se ishin të tillë. Nganjëherë, ne jemi fajtorë, kur e masim dashurinë e Perëndisë sipas botëkuptimit njerëzor. Dhembshuria e Tij nuk matet. Ajo është e pakufizueshme. “Kjo fjalë është e sigurt e denjë për t’u pranuar plotësisht, që Krishti Jezus erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët” (1 Timoteut 1:15)… “Zoti nuk vonon plotësimin e premtimit të tij, siç disa besojnë që ai bën; por është i durueshëm ndaj nesh, sepse nuk do që ndokush të humbasë, por që të gjithë të vijnë në pendim” (2 Pjetrit 3:9)… “Dhe ta njihni dashurinë e Krishtit që tejkalon çdo njohuri” (Efesianëve 3:19).

Si besimtarë që jemi, duhet të tregohemi të dhembshur dhe të mëshirshëm ndaj të gjithëve, madje edhe ndaj atyre që na abuzojnë dhe na persekutojnë. Të paktë janë ata, që e zbatojnë vullnetin e Zotit në këtë drejtim, sepse Ai tha: “Duani armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë, u bëni të mirë atyre që ju urrejnë, dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë dhe ju përndjekin, për të qenë bij të Atit tuaj, që është në qiej, sepse ai bën të lindë diellin e tij mbi të mirët dhe mbi të këqijtë, dhe bën të bjerë shi mbi të drejtët dhe të padrejtët” (Mateu 5:44-45). Po të veprojmë kështu, atëherë mund të bëjmë që zemërimi i armikut tonë të mos na thumbojë më. “Në qoftë se armiku yt, pra, ka uri, jepi të hajë; në pastë etje, jepi të pijë; sepse, duke bërë këtë, do të grumbullosh mbi krye të tij thëngjij të ndezur. Mos u mund nga e keqja, por munde të keqen me të mirën” (Romakëve 12:20-21).

Aftësia e Krishtit

Dhe dishepujt e tij iu përgjigjën: “Si do të mund t’i ngopte me bukë këta dikush, këtu në shkretëtirë?”. Dhe ai i pyeti: “Sa bukë keni?”. Ata i thanë: “Shtatë”. Atëherë ai e urdhëroi turmën të ulet për tokë; dhe mori të shtatë bukët, falënderoi, i theu dhe ua dha dishepujve të vet që t’ia shpërndajnë turmës; dhe ata ia shpërndanë. Kishin edhe disa peshq të vegjël; mbasi i bekoi, urdhëroi që edhe ata t’i shpërndahen turmës. Kështu ata hëngrën dhe u ngopën; dhe dishepujt çuan shtatë kosha me copat që tepruan. Ata që hëngrën ishin rreth katër mijë veta; pastaj i lejoi” (Marku 8:4-9).

Po qe se dora e Atij, që e krijoi universin, nuk do të ishte e pranishme aty atë ditë, atëherë të ushqyerit e turmës do të ishte një problem, të cilin dishepujt nuk do të mund ta zgjidhnin dot kurrë. Duart e plotfuqishme të Jezusit përdorën vetëm shtatë bukë dhe ca peshq të vegjël për të ngopur mbi 4000 veta. “Për njerëzit kjo është e pamundur, por për Perëndinë çdo gjë është e mundur” (Mateu 19:26).

Duhet të tregohemi të kujdesshëm dhe të mos dyshojmë në fuqinë e Zotit për të na siguruar, si nevojat tona shpirtërore, ashtu edhe ato fizike. Ai ka bukë të mjaftueshme e me tepricë (Luka 15:17) për të gjithë ata, që vijnë tek Ai me besim. Plotësimi i çfarëdo lloj nevoje që të kemi, gjendet tek Krishti. Ai kurrë nuk do të lejojë që të na mungojë ajo, që është për të mirën tonë. “Dhe Perëndia im do të plotësojë të gjitha nevojat tuaja sipas pasurisë së tij në lavdi, në Jezu Krisht” (Filipianëve 4:19). Por, le të mos harrojmë se Ai do të na plotësojë të gjitha nevojat, e jo të gjitha lakmitë! “Ai do të banojë në vënde të larta, shkëmbenjtë e fortifikuar do të jenë streha e tij, buka e tij do t’i jepet, uji i tij do t’i sigurohet” (Isaia 33:16).

Të Shtangurit e Krishtit

Dhe menjëherë hypi në barkë me dishepujt e vet dhe shkoi në rrethinën e Dalmanutës. Atëherë erdhën farisenjtë dhe nisën të diskutojnë me të, duke i kërkuar një shenjë nga qielli për ta vënë në provë. Por ai, duke psherëtirë në frymë, tha: “Përse ky brez kërkon një shenjë? Në të vërtetë po ju them se këtij brezi nuk do t’i jepet asnjë shenjë”. Atëherë i la, hipi përsëri në barkë dhe kaloi në bregun tjetër” (Marku 8:10-13).

Jezusi dhe dishepujt e Tij udhëtuan drejt pjesës perëndimore të Galilesë, drejt një vendi të quajtur Dalmanutë (ose “Magdala” tek Mateu 15:39), i cili ishte afër “Migdal-Elit” ose Magdalas (shiko Jozueu 19:38). Këtu, Jezusi u takua përsëri me farisenjtë. E po prapë, këta drejtues fetarë kujtuan se mund ta frikësonin dhe ta zinin mat Jezusin. Donin prova se Ai ishte Biri i Perëndisë, por, edhe po t’iu jepeshin këto prova, ata, prapëseprapë, nuk do të besonin. Kishin dëgjuar mjaft rreth shërbesës së Jezusit në tokë dhe madje i kishin parë vetë me sytë e tyre mrekullitë e Tij, prandaj as edhe një vetëtimë në qiell nuk do të mund t’iua ndryshonte zemrat e ngurtësuara. Jezusi psherëtiu thellë, sepse ndjeu pikëllim në zemër, lidhur me shkatërrimin që po i sillnin vetes këta njerëz të ligë. Edhe pse ata ishin armiqtë e Tij, Zoti, prapëseprapë, u pikëllua nga mosbesimi i tyre.

Besimtari i vërtetë do të shtanget prej mëkatit të të tjerëve, por, thellë në zemër, ai do të ndjejë dhembshuri. Njerëz të tillë mendojnë si Ezekieli: “psherëtijnë dhe vajtojnë për të gjitha gjërat që kryhen” mbi tokë (Ezekielit 9:4). Na thuhet se edhe Loti, edhe pse vendosi të jetojë në Sodomë, “helmohej nga sjellja imorale e këtyre të çoroditurve, sepse ky i drejtë banonte në mes tyre dhe e mundonte për ditë shpirtin e tij të drejtë duke shikuar dhe duke dëgjuar veprat e tyre të poshtra” (2 Pjetrit 2:7-8). A e imitojmë edhe ne Krishtin në këtë drejtim? A ndjejmë dhimbje dhe pikëllim, tek shohim shpirtrat e njerëzve, që, me budallallëkun më të madh, rendin drejt Ferrit, për shkak të mëkatit dhe të mosbesimit të tyre? Po qe se nuk e vrasim mendjen fare për të humburit, atëherë duhet ta shqyrtojmë gjendjen shpirtërore, në të cilën ndodhemi. Duhet të tregohemi të kujdesshëm, që të mos bëhemi si farisenjtë, të cilët kujtonin se ishin gjigandë shpirtërorë, por, në fakt, ishin vetëm xhuxhmaxhuxhë. E ndëshkonin mëkatin, por nuk tregonin dhembshuri për mëkatarin.

Përfundim

Zoti mund të bëjë gjëra të mëdha, por, a jemi ne gati për t’iu treguar të tjerëve për Të? “Atëherë goja jonë u mbush me qeshje dhe gjuha jonë me këngë gëzimi, atëherë thuhej midis kombeve: “Zoti ka bërë gjëra të mëdha për ta”. Zoti ka bërë gjëra të mëdha për ne, dhe jemi tërë gëzim” (Psalmi 126:2-3). E kemi për detyrë për t’i drejtuar të humburit për tek Krishti. Dhe jo vetëm ata, me të cilët na shkon mirë muhabeti, por edhe armiqtë tanë. Ai, që ngopi barqet e të 4000 vetave, është akoma në gjendje për të shpëtuar shpirtrat e milliona të tjerëve.

Mbrapa

Advertisements