Dashuria që tepron gjithnjë e më shumë

“Dhe është e drejtë që unë të ndjej këto për ju të gjithë, sepse ju kam në zemër, sepse ju si në vargonjtë e mi ashtu edhe në mbrojtjen dhe në vërtetimin e ungjillit jeni të gjithë pjestarë me mua të hirit. Sepse Perëndia, është dëshmitari im, si ju dua të gjithë me dashuri të zjarrtë në Jezu Krisht. Dhe për këtë lutem që dashuria juaj të teprojë gjithnjë e më shumë në njohuri dhe në çdo dallim, që të dalloni gjërat më të mira dhe të mund të jeni të pastër dhe panjollë për ditën e Krishtit, të mbushur me fryte drejtësie që arrihen me anë të Jezu Krishtit, për lavdi e për lëvdim të Perëndisë”(Filipianëve 1:7-11).

Parathënie

Pali lutet që Zoti t’i bekojë nga të gjitha anët besimtarët filipianë. Ja, ku shohim, pra, një njeri të thyer në moshë, i cili edhe pse është duke vuajtur në qelinë e burgut, në vend që ta përqëndrojë vëmendjen tek problemet e tij, lutet për të tjerët. Kjo na tregon se Pali kishte një shpirt vetëmohues, një shpirt bariu, që kujdeset për delet e tij.

Dashuria

Filipianët e kishin ndihmuar apostullin Pal, ndërkohë që ai ishte në burg dhe do të vazhdonin ta ndihmonin edhe kur të lirohej dhe të kishte mundësi të predikonte përsëri. Barra e tij ishte edhe barra e tyre. “Mbani barrët e njëri-tjetrit dhe kështu do të përmbushni ligjin e Krishtit” (Galatasve 6:2)… “Kujtoni të burgosurit si të ishit të lidhur bashkë me ta, dhe ata që keqtrajtohen, sepse edhe ju vetë jeni në trup” (Hebrenjve 13:3). E shohim se ai kishte dashuri për ta, kur shkruan se i kishte në zemër. Në një përkthim tjetër të Biblës, kjo fjali përkthehet kështu: “Ju më keni mua në zemër”. Kjo na tregon se dashuria e tyre ishte reciproke. Pali e kishte zemrën plot dashuri të krishterë për filipianët, një dashuri kjo, që nuk mund të shuhej dot as nga vuajtja e të qënit në burg. “Që zemrat e tyre të ngushëllohen, duke u bashkuar në dashuri” (Kolosianëve 2:2). Filipianët e kishin ndarë me Palin si dashurinë, ashtu edhe vuajtjet. Fjalët “vargonj”, “mbrojtje”, dhe “vërtetim” janë shprehje që përdoren në gjyq, duke na treguar kështu se në sytë e Palit, kisha e filipianëve ishte aty, së bashku me të, kur ai t’i dilte përpara gjykatësve në Romë. Shprehja “ju kam në zemër” na tregon gjithashtu se Pali i vlerësonte shumë filipianët dhe i ruante në zemër, tamam si një letër dashurie. “Ju jeni letra jonë, e shkruar në zemrat tona, e njohur dhe e lexuar nga të gjithë njerëzit” (2 Korintasve 3:2).    

Mbrojtja

Fjala “mbrojtje” rrjedh nga fjala greke “apologia” – një fjalë që përdoret në sallën e gjyqit. Kjo nuk ka kuptimin e të kërkuarit falje për diçka që kemi bërë gabim, d.m.th. t’i dalim në mbrojtje vetes. Përkundrazi, kjo fjalë shpreh domosdoshmërinë për të patur një doktrinë të shëndoshë biblike – një ligjëratë mbrojtëse. Fjala e Perëndisë vërtetohet vetëm prej atyre, që i qëndrojnë besnikë asaj. Doktrinat e rreme janë gënjeshtra të djallit, që e shkatërrojnë kishën. Ne duhet të jemi të fortë në besim dhe duhet t’i kundërshtojmë të gjitha këto doktrina. Pak rëndësi ka se me ç’vështirësi, vuajtje apo probleme ballafaqohemi. Si Pali, ashtu edhe ne duhet ta konsiderojmë besnikërinë ndaj fjalës së Perëndisë si detyrën më të rëndësishme të një ushtari të mirë të Krishtit. “Ti, pra, duro pjesën tënde të vuajtjeve, si një ushtar i mirë i Jezu Krishtit” (2 Timoteut 2:3). Ungjilli, që iu jep forcë miqve të tij, i mund gjithashtu edhe armiqtë e vet.

Teprimi

Të krishterët duhet të kenë një dashuri të madhe për njëri-tjetrin. “Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin” (Gjoni 13:35). Dashuria e kishës filipiane rritej gjithnjë e më shumë, d.m.th. derdhej e tepronte nga të gjitha anët. Një dashuri e tillë nuk bazohet tek emocionet, ndjenjat, apo rrethanat. Përkundrazi, ajo rrjedh prej një jete, që është e bazuar tek e vërteta e Biblës. Prandaj edhe kjo dashuri duhet të jetë “në njohuri dhe në çdo dallim”. Fjala “njohuri” (në greqisht “epignosis”) do të thotë “njohuri shpirtërore në zemër”, jo thjesht njohuri mendore, të marrë prej shkollimit. Një njohuri e tillë është sa doktrinale, aq edhe praktike. Ka të bëjë me kuptimin praktik të së vërtetës së shfaqur, ose shkurtimisht, e vërteta që vihet në praktikë. “Që t’ju japë, sipas pasurisë së lavdisë së vet, të forcoheni me fuqi nëpërmjet Frymës të tij në njeriun e përbrendshëm, që Krishti të banojë në zemrat tuaja me anë të besimit, që, të rrënjosur dhe të themeluar në dashuri, të mund të kuptoni me të gjithë shenjtorët cila është gjërësia, gjatësia, thellësia dhe lartësia, dhe ta njihni dashurinë e Krishtit që tejkalon çdo njohuri, që të mbusheni me tërë plotësinë e Perëndisë” (Efesianëve 3:16-19). Kjo njohuri duhet të përputhet me fjalën e Perëndisë dhe me llogjikën shpirtërore. Këtë njohuri mund quajmë gjithashtu edhe “gjykim shpirtëror” (ose “dallim”). Çdo besimtar që ka një njohuri apo gjykim të tillë, është në gjendje ta dallojë të mirën nga e keqja dhe të sillet ashtu siç duhet. Dashuria për të cilën na flet Pali, e sakrifikon veten për të tjerët, por në të njëjtën kohë, është më shumë sesa humanizëm, sepse është e mundur që të kesh dashuri pa patur njohuri, ashtu siç është e mundur që të kesh njohuri, pa patur dashuri (1 Korintasve 13:2). Një dashuri e tillë duhet mbjellë e duhet rritur në kishat tona – një dashuri që i inkurajon e i ndërton të tjerët, në vend që t’i shkatërrojë të dobëtit (Romakëve 14), sepse kjo dashuri na jepet prej Frymës së Perëndisë. “Por fryti i Frymës është: dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirëdashja, mirësia, besimi” (Galatasve 5:22).     

Dallimi

“T’i dallosh gjërat më të mira” do të thotë “të bësh dallim mes gjërave”, “të shohësh se ç’ndryshim kanë gjërat nga njëra-tjetra”. Këtu përfshihet edhe predikimi i ungjillit dhe dashuria për besimtarët e tjerë. Pali na thotë se besimtarët duhet t’i dallojnë gjërat, për të parë nëse ato përputhen apo jo me fjalën e Perëndisë. Prandaj edhe duhet ta pranojmë si gjë të mirë vetëm atë, që është e perëndishme. “Hiqni dorë nga çdo dukje e ligë” (1 Thesalonikasve 5:22). Kjo do të thotë se nganjëherë na duhet që t’i qortojmë personalisht madje edhe mësuesit e rremë. “Prandaj qortoji me ashpërsi, që të shëndoshen në besim” (Titit 1:13). Mbi të gjitha, duhet të kemi gjykimin, që na e jep vetëm Perëndia. “Kurse ushqimi i fortë është për të rriturit, të cilët, nga përvoja, i kanë të zhvilluara vetitë për të dalluar të mirën dhe të keqen” (Hebrenjve 5:14). Si pasues të Krishtit që jemi, duhet të kemi si pikësynim atë që është më e mira, jo thjesht atë që është e zakonshme. Nuk duhet të jemi thjesht njerëz të mirë, por të krishterë të shkëlqyer, sepse shpeshherë e mira është armikja e më së mirës. Duhet të jemi nxënës të Shkollës së Ekselencës së Avancuar!

Të rregullt

Fjala “e pastër” do të thotë “pa përzierje”, “plotësisht e dlirë”. Në greqisht, kjo fjalë ka kuptimin: “ta kontrollosh diçka, duke e vënë në dritë, për ta parë nëse është e pastër, apo jo”. Pastërtia shpirtërore, pra, nuk është njëlloj si sinqeriteti, që shfaq bota, sepse ka nga ata që mund ta besojnë sinqerisht se diçka është e drejtë, por në fakt, e kanë komplet gabim. Nuk duhet të jemi si ata që e kanë sinqerisht gabim, por duhet të jemi gjithmonë sinqerisht korrektë në çdo aspekt të jetës sonë. Fjala “i sinqertë” do të thotë gjithashtu edhe “pa dyll”. Në kohët e lashta, ata që shisnin skulptura, i mbyllnin të çarat apo difektet e objektit me dyll, me qëllim që të mos i shihte blerësi. “Që ta nxjerrë atë përpara vetes të lavdishme, pa njolla a rrudha a ndonjë gjë të ti-llë, por që të jetë e shenjtë dhe e paqortueshme” (Efesianëve 5:27). Le të jemi, pra, gjithmonë korrektë e të rregullt dhe t’i vëmë synim vetes, që të jetojmë një jetë të shenjtë përpara Perëndisë dhe përpara njerëzve. Le të jemi “pa ofezë” (ose “të panjollë”) në çdo aspekt të jetës, duke mos i dhënë kurrë shkak askujt, që të na e bëjë me gisht dhe të na quajë hipokrit. “Mos u bëni shkak skandali as për Judenj, as për Grekë, as për kishën e Perëndisë” (1 Korintasve 10:32).

Veprimtaria

Jeta jonë duhet të jetë e mbushur plot e përplot me drejtësinë e Perëndisë. Atëherë do t’i sjellim Atij lavdi, nder dhe adhurim. Ata që janë të shpëtuar nëpërmjet hirit, duhet të japin fryte të drejtësisë në jetën e tyre. “Por fryti i Frymës është: dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia, vetëkontrolli. Kundër këtyre gjërave nuk ka ligj” (Galatasve 5:22-23). Fryte të tilla janë produkte të drejtësisë së vërtetë dhe vërtetojnë se ai person është duke qëndruar në Krishtin. “Qëndroni në mua dhe unë do të qëndroj në ju; sikurse shermendi nuk mund të japë fryt nga vetja, po qe se nuk qëndron në hardhi, ashtu as ju, nëse nuk qëndroni në mua” (Gjoni 15:4). Të krishterët liberalë e kanë shumë të lehtë t’i fallsifikojnë frytet e Frymës, por veprimtaria e tyre fetare do të duket e shterpë në Ditën e Gjyqit, përpara Fronit të Krishtit. Mund të këndojnë e të hedhin valle tani, duke u mburrur se janë “të krishterë”, por le të mos e harrojmë faktin se pema jep fryta pa bërë zhurmë! Veprimtaria jonë është t’i bindemi vullnetit të Perëndisë, ashtu siç na paraqitet në Bibël. “Ne në fakt jemi vepra e tij, e krijuar në Krishtin Jezus për veprat e mira që Perëndia përgatiti që më parë, që ne të ecim në to” (Efesianëve 2:10).

Përfundim   

Më e rëndësishmja është ajo që thotë Perëndia rreth llojit të krishterit që duhet të jemi, jo ç’thotë bota, apo kisha. Fryma e Shenjtë na e bën plotësisht të qartë se si duhet të jetojmë në këtë botë mëkatare, d.m.th. se si duhet të sillemi si ndaj besimtarëve të tjerë, ashtu edhe ndaj jobesimtarëve. Fatkeqësisht, pavarësisht nga qartësia e Biblës, shumica e njerëzve kujtojnë se mund ta quajnë veten të shenjtë dhe në të njëjtën kohë të jetojnë si t’iua dojë qejfi! Duhet ta mbrojmë ungjillin e shpëtimit, duke e vërtetuar atë me fjalën e Perëndisë dhe me vënien e asaj fjale në praktikë.

Mbrapa

Advertisements