Davidi dëgjon se Sauli ka vdekur

“Pas vdekjes së Saulit, Davidi u kthye nga masakra e Amalekitëve dhe u ndal dy ditë në Tsiklag. Ditën e tretë arriti në kampin e Saulit një burrë me rroba të grisura dhe me kokën me dhe. Sa arriti pranë Davidit, ai ra për tokë dhe u përkul. Davidi e pyeti: “Nga vjen?”. Ai iu përgjigj: “Kam ikur nga kampi i Izraelit”. Davidi i tha: “Si u bë? Të lutem, më trego”. Ai iu përgjigj: “Populli iku nga fusha e betejës dhe shumë njerëz ranë dhe vdiqën; edhe Sauli dhe biri i tij Jonatan kanë vdekur”. Atëherë Davidi e pyeti të riun që i tregonte ngjarjen: “Si e di ti që Sauli dhe biri i tij Jonatani kanë vdekur?”. I riu që i tregonte ngjarjen tha: “Ndodhesha rastësisht në malin Gilboa, kur pashë Saulin të mbështetur në shtizën e tij, ndërsa qerret dhe kalorësit e ndiqnin nga afër. Ai u kthye, më pa dhe më thirri. Unë iu përgjigja: “Ja ku jam”. Ai më pyeti: “Kush je ti?”. Unë iu përgjigja: “Jam një Amalekit”. Atëherë ai më tha: “Afrohu tek unë dhe më vrit, sepse një ankth i madh më ka pushtuar, por jeta është e tëra akoma tek unë”. Kështu iu afrova atij dhe e vrava, sepse e kuptoja që ai nuk do të mund të jetonte mbas rënies së tij. Pastaj mora diademën që kishte mbi kokë dhe byzylykun që mbante në krah, dhe i solla këtu te zotëria im”. Atëherë Davidi kapi rrobat e veta dhe i grisi; po kështu vepruan tërë njerëzit që ishin me të. Kështu mbajtën zi, qanë dhe agjeruan deri në mbrëmje për Saulin, për Jonatanin, birin e tij, për popullin e Zotit dhe për shtëpinë e Izraelit, sepse kishin rënë nga shpata. Pastaj Davidi e pyeti të riun që i kishte treguar ngjarjen: “Nga ç’vend je?”. Ai u përgjigj: “Jam biri i një të huaji, i një Amalekiti”. Atëherë Davidi i tha: “Si nuk pate frikë të shtrish dorën për të vrarë të vajosurin e Zotit. Pastaj thirri një nga njerëzit e tij dhe i tha: “Afrohu dhe hidhu mbi të!”. Ai e goditi dhe Amalekiti vdiq. Pas kësaj Davidi tha: “Gjaku yt rëntë mbi kokën tënde, sepse me gojën tënde ke dëshmuar kundër vetes sate, duke thënë: “Unë kam vrarë të vajosurin e Zotit”” (2 Samuelit 1:1-16).

Parathënie

Davidi e mori përsëri të gjithë plaçkën, që ia kishin vjedhur Amalekitët, por gëzimi i tij s’e pati jetën e gjatë. Shumë shpejt, ai mori vesh rreth betejës së zhvilluar mes filistenjve dhe Izraelit dhe kjo e mërziti shumë. Davidi nuk e dinte se Sauli e kishte ditur me kohë rezultatin e betejës, qëkur vizitoi në fakt mediumin (shtrigën) e Endorit (shiko 1 Samuelit 28). Ky konflikt një-ditor përfundoi me vdekjen e Saulit dhe të Jonatanit. Vdekja e Saulit, në veçanti, do t’ia shndërronte përgjithmonë jetën Davidit.

Tregimi

Amalekiti i ri i tha Davidit se e kishte vrarë vetë Saulin. Ky ishte vërtet një tregim interesant, por në të njëjtën kohë edhe i sajuar (fallco). Fakti ishte se Sauli ishte plagosur rëndë prej një shigjete. “Beteja u ashpërsua kundër Saulit; harkëtarët e arritën dhe ai u plagos rëndë prej tyre” (1 Samuelit 31:3, 1 Kronikasve 10:3). Sauli i kërkoi shqyrtarit të tij që ta vriste, por atë “e kishte zënë një frikë e madhe”, ndaj edhe Sauli e vrau veten, duke u hedhur mbi shpatën e vet (1 Samuelit 31:4, 1 Kronikasve 10:4). Prandaj, pra, tregimmi i Amalekitit ishte përrallë. Por, pse gënjeu ai vallë? Gënjeu, ngaqë shpresonte t’ia bënte qejfin Davidit e të merrte ndonjë shpërblim prej tij. “…Kam kapur dhe kam bërë që të vritet në Tsiklag atë që solli lajmin: “Ja, Sauli vdiq,” megjithëse ai pandehte se më kishte sjellë një lajm të mirë dhe priste të merrte një shpërblim” (2 Samuelit 4:10).

Amalekiti

Fakti se ky i ri ishte Amalekit, linte për të dyshuar se dëshmia e tij nuk ishte e besueshme dhe se, për më tepër, ai e kishte hallin diku tjetër. “Raca e tij e hidhte poshtë çdo lloj rregulli e qetësie. Amalekitët jetonin, duke vjedhur pasuritë e të tjerëve. Ky Amalekit ishte, pra, armik i të gjithëve, i urryer universalisht prej çdo njeriu” (R.P. Smith). Tek Ligji i Përtërirë 25:17-19, Amalekitët na përshkruhen si një racë e mallkuar. E megjithatë, është ironik fakti që një Amalekit i raportoi Davidit vdekjen e Saulit, gjë që nuk do të kishte ndodhur fare, po qe se Sauli do t’i kishte shkatërruar Amalekitët, ashtu siç e kishte urdhëruar dikur Zoti (shiko 1 Samuelit 15).

I riu donte të dukej si hero në sytë e Davidit, ndaj edhe shpiku një histori të fortë, pa patur pikë turpi, duke pretenduar madje se po i vinte keq për vdekjen e Saulit. U mundua t’i bënte lajka Davidit, duke iu gjunjëzuar e duke i dhënë atij kurorën (diademën) dhe byzylykun e mbretit. Por le të mos e harrojmë faktin se edhe vetë Amalekiti donte ta shihte Saulin të vdekur. Ai ndoshta s’kishte qenë fare ushtar në ushtrinë e Saulit, por përkundrazi, mund të kishte qenë një nga hajdutët, që ksihin ardhur për të vjedhur plaçkat e ushtarëve të vrarë në fushën e betejës. “Çdo ushtrije i shkojnë pas një numër i madh vagabondësh, qëllimi i të cilëve është vetëm për të përfituar, duke vjedhur gjithçka që kanë mundësi e duke kryer një tregti të bollshme, por të paligjshme” (R.P. Smith). Kur Amalekiti e gjeti trupin e vdekur të Saulit, ai ndoshta kujtoi se kishte fituar llotarinë! Ai kishte besim se Davidi do ta shpërblente mirë, po t’ia sillte në dorë kurorën. 

Veprimi

Pasi e mori vesh se i riu ishte Amalekitas, Davidi i urdhëroi njerëzit e tij që ta vrisnin. Mos, vallë, e vranë, ngaqë kishte gënjyer? Në atë moment, Davidi nuk e dinte se ngjarja që i kishte treguar Amalekiti, ishte e tëra fallco, por e vrau ngaqë kishte thënë se e kishte vrarë “të vajosurin e Zotit”. Davidi ndoshta e besoi faktin se Amalekiti mund ta kishte ndihmuar Saulin ta vriste veten, por, prapëseprapë, në sytë e Perëndisë, ky veprim ishte njëlloj si vrasje.

Davidi nuk veproi, duke u nxituar, sepse në fillim mbajti zi për Saulin deri në mbrëmje, para se ta pyeste Amalekitin. Vini re këtu, pra, se ç’zemër kishte Davidi. Atij nuk iu bë qejfi për vdekjen e Saulit. I riu, po të donte, kishte mjaft kohë për t’i treguar Davidit të vërtetën, në vend që ta gënjente. Amalekiti mund të ishte treguar më i dhembshur dhe mund ta kishte ndryshuar historinë e tij, kur e pa Davidin të hidhëruar për vdekjen e Saulit e të Jonatanit.             

Përfundim

Ndoshta mund të kemi kujtuar se vdekja e Saulit do ta gëzonte pa masë Davidin, por një mendim i tillë e nënvlerëson shumë karakterin e tij. Davidi e vuri në praktikë atë që Zoti Jezus Krisht iu tha dishepujve të Tij: “Duani armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë, u bëni të mirë atyre që ju urrejnë, dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë dhe ju përndjekin, për të qenë bij të Atit tuaj, që është në qiej” (Mateu 5:44-45). Amalekiti e ndëshkoi vetë veten, “ashtu siç i tha edhe Davidi se ishte bërë vetë akuzues i vetvetes” (citat i marrë nga një historian izraelit). Davidi këtu na shfaq mënyrën se si ka për të mbretëruar në vitet në vazhdim, ngaqë veproi me maturi e me drejtësi ndaj Amalekitit, “duke iu treguar të gjithë atyre, që i shkonin nga pas, që të mos merrnin hak” (Mateo Henri).

Mbrapa

Advertisements