Davidi jargë-lëshues

Shërbëtorët e Akishit i thanë: “A nuk është ky Davidi, mbret i vendit? A nuk këndonin në kor për të në valle, duke thënë: “Sauli ka vrarë një mijë të tij dhe Davidi dhjetë mijë të tij”?”. Davidi i mbajti në zemër këto fjalë dhe pati frikë të madhe nga Akishi, mbret i Gathit. Kështu ndërroi mënyrën e sjelljes së tij para tye dhe e hiqte veten si të marrë në duart e tyre; bënte shkaravina mbi kanatet e dyerve dhe lëshonte jargë mbi mjekrën e tij. Atëherë Akishi u tha shërbëtorëve të tij: “Ja, e shikoni, ky është i marrë; pse ma keni sjellë? Mos vallë më mungojnë të marrët, dhe ju më sillni këtë për të bërë të marrin në praninë time? Ai nuk ka për të hyrë në shtëpinë time! (1 Samuelit 21:11-15).

Parathënie

Ky pasazh biblik na tregon se si jeta e Davidit u bë akoma edhe më e vështirë. Ai dukej sikur po i largohej një kurthi, por po binte po prapë në një kurth tjetër. Davidi nuk na paraqitet këtu si një njeri plot besim e kurajo. Ai shkroi 8 psalme, për të përkujtuar këtë episod të jetës së tij. Ato janë: Psalmi 34, 52, 54, 56, 57, 59, 63 dhe 142.

Fama e Davidit

Mund ta imagjinojmë se ç’menduan banorët e Gathit, kur e panë Davidin tek i afrohej portës së qytetit të tyre. E kishin parë këtë luftëtar trim, kur kishte mundur gjigandin dhe e kishte bërë ushtrinë e filistenjve t’ia mbathte me të katra. Ndoshta tani kishin frikë prej tij se mos i vriste, ngaqë s’e kishin mbajtur premtimin, për t’u bërë shërbëtorë të Izraelit. “Në rast se do të jetë në gjendje të luftojë me mua dhe të më vrasë, ne do të jemi shërbëtorët tuaj“. (1 Samuelit 17:9). Edhe filistenjtë, pra, ishin në dijeni të veprave të Davidit dhe s’ka dyshim se kishin respekt për këtë luftëtar të famshëm. I kishin dëgjuar këngët e kënduara për të. E dinin se ai do të bëhej një ditë mbret i Izraelit. Por, si kujtoi Davidi, vallë, se do ta prisnin krahëhapur? Gjon Uesli, në shënimet e tij, shkruan kështu rreth filistenjve: “E kemi në dorë tani armikun tonë më të madh dhe nuk kemi për ta lënë të gjallë”. Davidi shkoi në Gath, ngaqë kujtoi se do të gjente strehë prej Saulit. Por e kishte gabim. “Është më mirë të gjesh strehë tek Zoti se sa t’i kesh besim njeriut. Është më mirë të gjesh strehë tek Zoti se sa t’u kesh besim princave” (Psalmi 118:8-9).

Shqetësimi i Davidit

Fjalët admiruese të filistenjve nuk ia rritën aspak besimin Davidit, përkundrazi e frikësuan atë edhe më shumë. Atij i hyri edhe më shumë frika, kur e kuptoi se ishte në mëshirën e Akishit. E dinte se banorët e Gathit do ta vrisnin, si akt hakmarrjeje për Goliathin. Davidi ndodhej, pra, në një situatë të vështirë dhe nga frika mendoi se si e si të gjente një metodë për ta mbrojtur veten. Njerëzit, që e kanë humbur besimin, shpesh bëjnë gjëra të marra. Frika po ia torturonte zemrën Davidit. “Frika ka të bëjë me ndëshkimin” (1 Gjonit 4:18).

Davidi, duke lëshuar jargë nga goja

Davidi, në vend që t’i largohej rrezikut, merr vendim, që të sillet si i marrë. Bibla në greqisht na sugjeron se ai po bënte gjoja sikur i kishte rënë sëmundja e tokës. Por njerëzit tani, në vend që ta respektonin dhe ta admironin, po e përbuznin dhe po e vinin në lojë. Të gjithë kujtuan se ai ishte një i marrë, që s’meritonte asgjë. Asnjëri nuk donte t’i afrohej idjotit të fshatit. Davidi, më parë, e kishte gënjyer priftin, kurse tani po e gënjente edhe Akishin. “Akishi kujtoi se Davidi ishte i marrë, ngaqë po lëshonte jargë mbi mjekër. Në Lindjen e Mesme, një veprim i tillë konsiderohej si një ofezë e patolerueshme” (citat i marrë nga komentimi që i bëjnë Biblës autorët Xhejmisën, Foset dhe Braun).     

Përfundim

Davidi ia mbathi për në Gath, ngaqë kishte frikë prej Saulit. Por tani ai kishte “frikë të madhe” edhe prej filistenjve. Akishi kishte mjaft budallenj në qytetin e tij dhe s’ishte gati të pranonte edhe një tjetër. Davidi kaloi vetëm pak orë në Gath. Filistenjtë u treguan të mençur dhe nuk e mirëpritën.

Tek Psalmi 34:2 lexojmë: “Shpirti im do të krenohet me Zotin; njerëzit e përulur do ta dëgjojnë dhe do të gëzohen”. Në gjuhën hebraishte, fjala “i përulur” (anav) do të thotë “i dëshpëruar, i brengosur”. Kështu pra, e  shohim se si mungesa e besimit i solli Davidit frikë dhe frika i solli brengosje. Më në fund, si frika, ashtu edhe depresioni iu larguan, por vetëm atëherë kur ai vetë u kthye tek Perëndia. “Unë e kërkova Zotin, dhe ai m’u përgjigj dhe më çliroi nga të gjitha tmerret e mia…Ky i pikëlluar klithi dhe Zoti e plotësoi, e shpëtoi nga të gjitha fatkeqësitë e tij” (Psalmi 34:4, 6).

Mbrapa

Advertisements