Davidi manekin

“Filloi përsëri lufta; kështu Davidi doli të luftojë kundër Filistejve dhe i mundi keq; ata ia mbathën para tij. Por një frym i keq nga ana e Zotit e pushtoi Saulin, ndërsa rrinte në shtëpinë e tij me shtizë në dorë dhe Davidi i binte harpës. Sauli u orvat të gozhdonte Davidin në mur me shtizën e tij, por Davidi iu shmang Saulit, dhe ky e nguli shtizën e tij në mur. Davidi iku po atë natë dhe shpëtoi nga rreziku. Atëherë Sauli dërgoi lajmëtarë në shtëpi të Davidit për ta përgjuar dhe për ta vrarë të nesërmen në mëngjes; por Mikal, bashkëshortja e Davidit, e njoftoi për këtë gjë, duke thënë: “Në rast se sonte nuk gjen një vend strehimi, nesër ke për të vdekur”. Kështu Mikal e zbriti Davidin nga dritarja dhe ai iku; ia mbathi me vrap dhe shpëtoi. Pastaj Mikal mori idhullin e shtëpisë dhe e vuri në shtrat, në vend të kokës vuri një mbulesë prej leshi të dhisë dhe e mbuloi me një pëlhurë. Kur Sauli dërgoi lajmëtarët e tij për të marrë Davidin, ajo tha: “Është i sëmurë”. Atëherë Sauli dërgoi përsëri lajmëtarë për të parë Davidin dhe u tha atyre: “Ma sillni me shtratin e tij që unë të shkaktoj vdekjen e tij”. Kur arritën lajmëtarët, në shtrat ishte idhulli i shtëpisë, me një mbulesë prej leshi të dhisë në vend të kokës. Atëherë Sauli i tha Mikalit: “Pse më mashtrove në këtë mënyrë dhe bëre të ikë armiku im, duke e lejuar të shpëtojë?”. Mikal iu përgjegj Saulit: “Ai më tha: “Lermë të iki, përndryshe të vrava””. Davidi iku, pra, dhe shpëtoi kokën; shkoi te Samueli në Ramah dhe i tregoi të gjitha ato që i kishte bërë Sauli. Pas kësaj ai dhe Samueli vajtën të banojnë në Najoth.” (1 Samuelit 19:8-18).

Parathënie

Siç e pamë edhe në studimin e kaluar, Sauli kishte ndërmend ta përdorte Mikalin si kurth, me të cilin ta kapte Davidin. Ai e dinte se e bija ishte në gjendje ta ndihmonte për ta hequr atë njëherë e mirë qafe. Por problemi qëndronte këtu: Mikali e donte Davidin dhe, si rezultat, ajo e gënjeu të atin lidhur me ikjen e tij të fshehtë. Është për t’u theksuar se Mikali është e vetmja grua në Bibël, për të cilën thuhet se deshi një burrë.

Mëdyshja

Ndoshta mbreti Saul u bë xheloz lidhur me fitoren që korri Davidi kundër filistenjve. Ndoshta iu shtua akoma më shumë urrejtja atëherë, kur nuk iu realizuan ëndrrat që kishte, për ta parë atë të vdekur në fushën e betejës. Davidi u thirr përsëri për t’i rënë harpës, ngaqë Sauli kishte rënë po prapë në depresion. Këto sulme djallëzore, të drejtuara kundër mendjes së Saulit, po e bënin atë si të marrë. Sa shpejt e harroi ai premtimin, që kishte bërë në sy të Jonathanit! “Sauli u betua: “Siç është e vërtetë që Zoti rron, ai nuk ka për të vdekur!” (1 Samuelit 19:6). Edhe pse ishte bërë si i çmendur nga ana mendore, prapëseprapë Sauli e dinte mirë se si të vepronte. Ishte ulur me shtizën në dorë. Por Davidi ishte gjithmonë vigjilent ndaj veprimeve të mbretit dhe, falë hirit të Perëndisë, ai arriti t’i shmangej Saulit në kohën e duhur, para se ta zinte shtiza.

Sauli dërgoi spiunë për ta përgjuar shtëpinë e Davidit, ngaqë kujtonte se ai po përpiqej për t’ia marrë me forcë fronin mbretëror e për t’u bërë vetë mbret. Spiunëve iu dha urdhër për ta vrarë Davidin të nesërmen herët në mëngjes, por Mikali i tregoi atij rreth këtij plani të lig të të atit. Për Davidin, s’kishte rrugëdalje tjetër, veçse të largohej prej Jeruzalemit. Ndaj ai shpëtoi, duke zbritur natën nga dritarja. Kjo ngjarje përshkruhet tek Psalmi 59:1-4: “Më çliro nga armiqtë e mi, o Perëndia im; më vër në një vend të sigurt aty lart, larg atyre që ngrihen kundër meje. Më çliro nga ata që bëjnë paudhësi dhe më shpëto nga njerëzit gjakatarë. Sepse, ja, ata më ngrejnë prita; njerëz të fuqishëm mblidhen kundër meje pa ekzistuar, o Zot, ndonjë faj apo mëkat nga ana ime. Megjithëse nuk ekziston ndonjë gabim nga ana ime, ata nxitojnë dhe përgatiten; zgjohu që të më vish në ndihmë dhe shiko“.

Manekini

Sipas urdhërit, spiunët hynë në shtëpinë e Davidit të nesërmen në mëngjes për ta vrarë. Por Mikali e kishte thurur mirë planin e saj, para se të vinin ata. Ajo kishte përgatitur një manekin, që të dukej gjoja sikur Davidi po flinte në shtrat. Iu tha spiunëve se Davidi ishte i sëmurë dhe nuk mund të ngrihej dot. Për momentin, ky mashtrim u duk i pranueshëm, por s’kaloi shumë kohë dhe Sauli dha urdhër që t’ia sillnin përpara syve Davidin bashkë me shtratin, me qëllim që ta vriste.

Pa dyshim që mbretit Saul nuk iu bë qejfi, kur e mori vesh se e bija ia kishte hedhur. Ajo, që ai kujtoi se do të bëhej mallkim për Davidin, u kthye, në fakt, në një bekim për të. “Por Zoti, Perëndia yt, e ndërroi për ty mallkimin në bekim” (Ligji i Përtërirë 23:5). Mikali gënjeu, kur tha se Davidi e detyroi atë, që ta ndihmonte të ikte. Por ajo gënjeu, ngaqë kishte frikë prej të atit. E megjithatë, gënjeshtra e saj sikur i hodhi edhe më shumë benzinë zjarrit të urrejtjes, që flakëronte tashmë në zemrën e Saulit. Tani ai kishte edhe më shumë arsye për ta vrarë Davidin, ngaqë ai e kishte kërcënuar të bijën e mbretit, me qëllim për ta vrarë.

Këtu shohim diçka rreth karakterit dhe gjendjes shpirtërore të Mikalit. Nga njëra anë, ka shumë të ngjarë që ajo të mos e donte me të vërtetë Perëndinë. Këtë e tregon fakti se ajo mbante një idhull në shtëpi. Nga ana tjetër, gratë e asaj kohe e kishin si zakon mbajtjen e idhujve të tillë në shtëpi dhe Bibla nuk na thotë se Mikali e adhuronte këtë idhull (këtë perëndi të rreme).

Destinacioni

Davidi iku në Ramah tek Samueli, “për ta qarë hallin me të, për të marrë udhëzime prej tij, si edhe për t’u mbrojtur prej Saulit, duke kujtuar se mbretit do t’i vinte turp t’i kryente veprat e tij të përgjakshme në praninë e një njeriu aq të respektuar sa Samueli” (Gjon Uesli). Por profeti, duke e kuptuar mirë sesa serioze ishte situata, si edhe duke e ditur se shtëpia e tij do të ishte e para, që do të kontrollohej prej Saulit, e mori Davidin dhe të dy bashkë ikën në Najoth.

Përfundim

Mbreti Saul kishte në dispozicionin e tij të gjithë fuqinë ushtarake të mbarë kombit, por as kjo fuqi s’mjaftonte dot për ta kapur Davidin. Sauli kishte armët, por Davidi kishte Perëndinë me vete. Për Davidin, situata, në të cilën ndodhej, mund të dukej si e pashpresë. Por, përsa kohë që besimi i tij ishte tek Perëndia, ai do të përjetonte mbrojtjen e Tij hyjnore. “Zoti të dhënte përgjigje ditën e fatkeqësisë; emri i Perëndisë të Jakobit të mbroftë me siguri lart. Të dërgoftë ndihmë nga shenjtërorja dhe të dhëntë përkrahje nga Sioni; Mos i harroftë të gjitha ofertat e tua dhe pranoftë olokaustin tënd. (Sela). Të dhëntë atë që zemra jote dëshëron dhe plotësoftë të gjitha planet e tua. Ne do të këndojmë tërë gaz në çlirimin tënd dhe do të lartojmë flamuret tona në emër të Perëndisë tonë. Zoti i plotësoftë të gjitha kërkesat e tua. Tani e di që Zoti shpëton të vajosurin e tij; do t’i përgjigjet nga qielli i tij i shenjtë me forcën shpëtimtare të dorës së tij të djathtë. Disa kanë besim te qerret dhe të tjerë te kuajt, por ne do të kujtojmë emrin e Zotit, Perëndisë tonë. Ata u përkulën dhe ranë; por ne u ngritëm përsëri dhe mbahemi në këmbë. Shpëtomë, o Zot; mbreti le të na përgjigjet ditën në të cilën do të këlthasim” (Psalmi 20).

Mbrapa

Advertisements