Davidi mban zi për Abnerin

“Pastaj Davidi i tha Joabit dhe tërë popullit që ishte me të: “Grisni rrobat e trupit, mbështilluni me thasë dhe mbani zi për vdekjen e Abnerit!”. Edhe mbreti David shkoi pas arkivolit. Kështu e varrosën Abnerin në Hebron, dhe mbreti ngriti zërin dhe qau përpara varrit të Abnerit; edhe tërë populli qau. Mbreti ia mori një vajtimi për Abnerin dhe tha: “A duhet të vdiste Abneri si vdes një budalla? Duart e tua nuk ishin të lidhura, as këmbët e tua nuk ishin të shtrënguara me zinxhirë prej bronzi! Ti re para keqbërësve”. Pastaj tërë populli erdhi për të ftuar Davidin që të hante, sa ishte akoma ditë; por Davidi u betua duke thënë: “Kështu ma bëftë Perëndia madje më keq, po futa në gojë bukë apo ndonjë gjë tjetër para se të perëndojë dielli”. Tërë populli e kuptoi dhe e miratoi këtë gjë; çdo gjë që bënte mbreti miratohej nga tërë populli. Kështu tërë populli dhe tërë Izraeli e kuptuan që qëllimi i mbretit nuk ishte aspak ta vriste atë ditë Abnerin, birin e Nerit. Pastaj mbreti u tha shërbëtorëve të tij: “Nuk e dini që një princ dhe një njeri i madh humbi sot jetën në Izrael? Megjithëse jam vajosur mbret, unë jam ende i dobët, ndërsa këta njerëz, bijtë e Tserajahut, janë shumë më të fortë se unë. E shpagoftë Zoti keqbërësin simbas të këqijave që ka bërë” (2 Samuelit 3:31-39).

Parathënie   

Vajtimi i Davidit për vdekjen e Abnerit i përngjan po atij vajtimi, që bëri ai për mbretin Saul. Ky fakt na sugjeron se ndoshta në ato kohë, vajtimi për të vdekurin bëhej sipas një mënyre të caktuar.

Vajtimi i Davidit

Davidi i dha urdhër popullit, që të mbante zi për vdekjen e Abnerit. E shohim se Joabi përmendet i pari. Gëzimi që ndjeu ai, kur e pa se i vdiq armiku, nuk e pati, pra, jetën e gjatë. Duke e përmendur Joabin të parin, Davidi, pa dyshim, donte që ta përulte atë në sytë e të tjerëve. Joabi s’kishte pse të ankohej, sepse, po ta kishte zbatuar mirë ligjin Davidi, vrasësi do të ishte egzekutuar me kohë. Davidin e shohim tek ecën pas arkivolit, gjatë rrugës për në varreza. Të gjithë ata që ecnin bashkë me të, po qanin për Abnerin.

Tek varri, Davidi iu tregoi të tjerëve se si ishte vrarë Abneri dhe kjo do ta kishte vënë Joabin në pozitë të vështirë. Davidi, edhe pse nuk e përmend emrin e vrasësit, flet rreth aktit tradhtar e frikacak të atij, që e vrau Abnerin, duke thënë kështu se vrasësi ishte një njeri i ligë. Davidi përmend “keqbërësit”, sepse Joabi ia kishte mbushur mendjen të vëllait, Abishait, që ta ndihmonte për të kryer krimin. Tek vargu 39-ë, Davidi i kërkon Zotit, që t’i ndëshkojë keqbërësit për pabesinë e tyre.

Më pas, Davidi e përshkruan Abnerin si një “princ” e si një “njeri të madh”. Në asnjë vend tjetër në Bibël, nuk ka flitet kaq mirë për Abnerin, prandaj edhe ndoshta ky vajtim është mënyra personale e vetë Davidit, për ta nderuar të vdekurin. “Abneri u varros në Hebron. Sipas një tradite mesjetare të judenjve, varri i tij thuhet se ndodhet në një ndërtesë, jo shumë larg prej Shpellës së Patriarkëve” (marrë nga Enciklopedia e Internetit). Davidi e nderoi Abnerin, duke ia ngritur lart të birin, Jasaelin, si një udhëheqës të një prej fiseve të Izraelit. “I pari i Beniaminit, Jaasieli, bir i Abnerit” (1 Kronikasve 27:21). “Abneri kishte qenë armiku i Davidit dhe nuk kishte dashur që ai të bëhej mbret. E megjithatë, Davidi e ngriti lart të birin e Abnerit, ndoshta duke e vënë vetë atë në këtë pozitë të nderuar, gjë që na tregon se duhet t’ia kthejmë të keqes me të mirën” (Mateo Henri).

Hidhërimi i Davidit nuk përfundoi tek varri, por, përkundrazi, ai mbajti zi gjithë ditën për Abnerin. Nuk pranoi, që të hante asgjë. Kjo iu dëshmoi njerëzve se Davidi nuk kishte qenë pjesëmarrës në vrasjen e Abnerit. Populli e konsideronte atë si një mbret të mirë e të nderuar, komplet ndryshe prej mbretit të ashpër, Saul. Davidi kishte nevojë për dashurinë e popullit. “Ndjenjat e shfaqura prej Davidit dhe sjellja e tij, kur mori vesh vdekjen e Abnerit, së bashku me solemnitetin e varrimit, shërbyen për ta larguar çdo lloj dyshimi ndaj fajit, që mund të kishte ai në këtë vrasje. Përkundrazi, opinioni i popullit ishte në favorin e tij dhe kjo ia hapi rrugën mbretërimit të tij mbi të gjitha fiset. As marrëveshjet tradhtare të Abnerit nuk arritën ta bënin dot realitet një mbretërim të tillë” (marrë nga komentimi që i bëjnë Biblës autorët Xhejmisën, Foset dhe Braun).

Dobësia e Davidit

Davidi bën fjalë rreth dobësisë, që ndjeu si rezultat i vdekjes së Abnerit. Kjo do të thotë se ai tani mendonte se ky akt i ligë i Joabit e kishte dobësuar bashkimin e Izraelit me Judën. Ndoshta Davidi ndihej i dobët, ngaqë nuk e kishte ndëshkuar Joabin ashtu siç duhej, për shkak ndoshta të lidhjeve të ngushta mes familjes së tij dhe asaj së Tserujahut. Me fjalët e tij të fundit në këtë kapitull, edhe pse Davidi i kërkon Perëndisë, që t’i ndëshkojë keqbërësit për krimin e kryer, na duket sikur ai ia lë krejt përgjegjësinë Zotit. Perëndia vërtet që kishte për t’u hakmarrë, por, si mbret që ishte, Davidi duhet t’i kishte besuar Zotit, në vend që të shqetësohej për problemet, që mund t’i shkaktonte familja e Tserujahut.    

Përfundim   

Në këtë pasazh biblik, Davidin e shohim jo vetëm si një sundimtar të ndershëm e të nderuar prej të gjithëve, por edhe si një njeri, që ishte shumë i dobët për t’iu bërë ballë përgjegjësive të tij si mbret. “Po qe se ligji do të ishte zbatuar kundra Joabit, atëherë ka mundësi që vdekja e Ish-Boshethit, e Amonit dhe e të tjerëve nuk do të kishin ndodhur fare” (Gjon Uesli). Dobësia e Davidit ndoshta ishte thjesht stres mendor. E gjithë kjo ngjarje e shqetësoi shumë atë dhe bëri që çdo vendim që mori ai më pas, si rezultat i asaj që ndodhi, do t’i sillte atij edhe më shumë probleme në të ardhmen. “Davidi më kot që e mban shpatën në dorë. Ai ia lë çështjet Perëndisë, që t’i gjykojë” (Mateo Henri). Nuk e shohim Davidin, tek i lutet Perëndisë për këtë punë, ndaj edhe ndoshta kjo ishte arsyeja e dobësisë së tij. “Gjithë merakun tuaj hidheni mbi të, sepse ai merakoset për ju” (1 Pjetrit 5:7)…Hidh mbi Zotin barrën tënde, dha ai do të të mbajë; ai nuk do të lejojë kurrë që i drejti të lëkundet. Por ti, o Perëndi, do t’i zbresësh këta në pusin e humbjes; njerëzit gjakatarë dhe hileqarë nuk do të arrijnë në gjysmën e ditëve të tyre; por unë do të kem besim te ti” (Psalmi 55:22-23).

Mbrapa

Advertisements