Deklarimi i Davidit

“Mbreti David, duke u përgjigjur, tha: “Thirrmëni Bath-Shebën”. Ajo hyri te mbreti dhe qëndroi më këmbë para tij. Mbreti u betua dhe tha: “Ashtu siç është e vërtetë që rron Zoti, i cili ka liruar jetën time nga çdo fatkeqësi, unë do të bëj sot pikërisht atë që të jam betuar për Zotin, Perëndinë e Izraelit, duke thënë: “Biri yt Salomon ka për të mbretëruar pas meje dhe do të ulet mbi fronin tim në vendin tim””. Bath-Sheba u përul me fytyrën për tokë, ra përmbys para mbretit dhe tha: “O Zot, bëj që mbreti David të jetojë përjetë!”. Pastaj mbreti David tha: “Thirrmëni priftin Tsadok, profetin Nathan dhe Benajahun, birin e Jehojadit”. Ata erdhën në prani të mbretit. Mbreti u tha atyre: “Merrni me vete shërbëtorët e zotit tuaj, e hipeni birin tim Salomon mbi mushkën time dhe e zbrisni në Gihon. Atje prifti Tsadok dhe profeti Nathan ta vajosin mbret të Izraelit. Pastaj i bini borisë dhe thoni: “Rroftë mbreti Salomon!”. Do të shkoni, pra, pas tij dhe ai do të vijë të ulet mbi fronin tim dhe do të mbretërojë në vendin tim, sepse e kam bërë princ të Izraelit dhe të Judës”. Benajahu, bir i Jehojadit, iu përgjigj mbretit duke thënë: “Amen! Kjo është edhe dëshira e Zotit, Perëndisë së mbretit zotit tim! Ashtu si ka qenë Zoti me mbretin, zotin tim, kështu qoftë me Salomonin dhe e bëftë fronin tim më të madh se froni i mbretit David, i zotit tim!” (1 Mbretërve 1:28-37).

Parathënie

Davidi mori masa për t’ia garantuar fronin mbretëror pasardhësit të vet, Salomonit, duke ia vënë veshin kështu këshillës së Bathshebës dhe Nathanit. Ai vetë abdikoi nga froni dhe dha urdhër që Salomoni të kurorëzohej menjëherë mbret.

Lavdërimi 

Davidi e lavdëroi Perëndinë, që e kishte mbrojtur gjatë gjithë situatave të vështira, që kishte kaluar në jetë. Vuajtjet e tij kishin filluar me mbretin Saul dhe tani po përfundonin me të birin, Adonijahun, i cili e kishte shpallur veten mbret. Perëndia e kishte mbajtur premtimin, që i kishte bërë Davidit, ndaj edhe ai tani do ta nderonte Zotin në ato pak ditë jete, që i kishin mbetur. Davidi e përdori emrin e Perëndisë (d.m.th. u betua në emër të Zotit), për ta vulosur premtimin që po i bënte Salomonit. Kjo ishte, pra, një ngjarje shumë e rëndësishme.

Premtimi

Davidi e përmend premtimin, që i kishte bërë dikur Bathshebës dhe është i vendosur për ta mbajtur fjalën e për ta bërë atë realitet po atë ditë. Ky veprim do t’i parandalonte përpjekjet e cilitdo, që mund të donte ta merrte fronin me forcë. Ka të ngjarë që Davidi t’i kishte treguar dikur Bathshebës, lidhur me atë që i kishte thënë atij Zoti, përsa i përkiste të birit të tyre të ardhshëm. “Por ja, do të të lindë një djalë, që do të jetë paqedashës dhe unë do ta lë të shlodhet nga ana e të gjithë armiqve të tij që ndodhen rreth e qark. Ai do të quhet Salomon dhe gjatë ditëve të tij do t’i siguroj paqe dhe qetësi Izraelit. Ai do të ndërtojë një shtëpi në emrin tim; ai do të jetë për mua një djalë dhe unë do të jem për të një baba; dhe do ta bëj të qëndrueshëm për gjithnjë fronin e mbretërisë së tij mbi Izraelin” (1 Kronikasve 22:9-10). Kështu pra, në fakt, një premtim i tillë ishte përmbushje e profecisë e jo thjesht një dëshirë e Davidit për ta kënaqur Bathshebën, apo për t’i bërë asaj më shumë favore sesa bashkëshorteve të tjera të tij. Salomoni ishte i zgjedhuri i Perëndisë, ndaj edhe Davidi do të ishte treguar i marrë, po ta kishte lejuar Adonijahun të vazhdonte të thurte komplotin e vet.

Patriotët

Davidi nuk e shtyu detyrën e tij për më vonë, por, përkundrazi, thirri priftin Tsadok dhe e autorizoi atë, që ta vajoste Salomonin si mbret. Bashkë me Tsadokun ishin edhe profeti Nathan dhe Benajahu, komandanti i rojeve personale të mbretit. Këta tre burra ishin pasues besnikë të Davidit dhe ai e dinte se ata do t’i bindeshin pikë-për-pikë dhe do t’ia çonin deri në fund porosinë, lidhur me kurorëzimin e Salomonit. Urdhëri i Davidit ishte shumë i qartë, gjë që na tregon se, edhe pse ai vetë ishte i dobët fizikisht, mendjen e kishte në rregull.

Salomoni do të hipte mbi mushkën e mbretit dhe do ta sillnin në Gihon, për ta vajosur si mbretin e ri. Ai që i hipte mushkës së mbretit pa leje, vdiste në vend. Por prania e tre zyrtarëve i simbolizonte popullit se një veprim i till ishte autorizuar prej vetë Davidit. Është për t’u vënë në dukje fakti se, kur Absalomi dhe Adonijahu u munduan ta merrnin me forcë fronin mbretëror, secili prej tyre hyri në Jeruzalem i hipur mbi kalë (2 Samuelit 15:1, 1 Mbretërve 1:5). Perëndia ia kishte ndaluar një gjë të tillë mbretit. “Por ai nuk duhet të ketë një numër të madh kuajsh” (Ligji i Përtërirë 17:16).

Salomonin e shoqëruan për në Gihon roje të armatosura, “Kerethejtë dhe Pelethejtë” (1 Mbretërve 1:38) dhe njerëzit u ranë borive gjatë gjithë rrugës, me qëllim që të gjithë ta merrnin vesh se ç’po ndodhte. Në Gihon ndodhej një amfiteatër, që ishte shumë afër Enrogelit, ku po bënte gosti Adonijahu, ndaj edhe zhurma e borive dhe e fyejve u dëgjua shumë shpejt prej tij dhe miqve që e rrethonin (1 Mbretërve 1:39-49). “Toka dukej se po çahej nga brohoritjet e tyre” (1 Mbretërve 1:40). Të gjithë e respektonin priftin dhe profetin, të cilët ishin përgjegjës për ceremoninë në fjalë, ndaj edhe të paktë ishin ata, që nuk e kuptuan se një kurorëzim i tillë ishte i ligjshëm (1 Mbretërve 1:45).

Davidi dha urdhër gjithashtu që Salomonin ta sillnin në Jeruzalem dhe ta ulnin në fron. Në këtë mënyrë, ai po i deklaronte të gjithë Izraelit dhe Judës se që tani e tutje populli duhej t’i nënshtrohej Salomonit si mbret. Zyrtarët ranë dakort me këtë urdhër dhe u lutën që mbretëria e birit të Davidit të bëhej edhe më e shkëlqyeshme sesa ajo e të atit.

Epilog

Adonijahu, duke pasur frikë nga Salomoni, u ngrit dhe shkoi të kapet në brirët e altarit. Këtë ia thanë Salomonit: “Ja, Adonijahu ka frikë nga mbreti Salomon dhe është kapur te brirët e altarit, duke thënë: “Mbreti Salomon të më betohet sot që nuk do ta bëjë të vdesë nga shpata shërbëtorin e tij””. Salomoni u përgjigj: “Në qoftë se tregohet njeri i drejtë, nuk do t’i bjerë në tokë as edhe një fije floku, por në rast se tek ai gjendet ndonjë ligësi, ai ka për të vdekur”. Kështu mbreti Salomon dërgoi njerëz ta zbrisnin nga altari. Ai erdhi pastaj të bjerë përmbys përpara mbretit Salomon dhe ky i tha: “Shko në shtëpinë tënde”” (1 Mbretërve 1:50-53). Nuk do ta studjojmë me hollësi këtë pasazh të historisë së Adonijahut, por e shohim se si urdhëri i Davidit u çua deri në fund dhe Salomoni u kurorëzua vërtet si mbret. Adonijahu e pranoi këtë fakt, edhe pse pati ankesa. Kishte frikë se mos mbreti i ri do ta vriste, ngaqë kishte ngritur krye kundra Davidit. Një ndëshkimi të tillë do t’i vinte vërtet dita. 

Përfundim   

Është për t’u theksuar fakti se pasardhësit e Tsadokut do të shërbejnë në Tempullin Mijëvjeçar gjatë sundimit një mijë vjeçar të Krishtit në tokë (Ezekieli 44:15). Çfarë bekimi e çfarë shpërblimi për ata që janë besnikë në momente vështirësie! Në studimin tonë të ardhshëm do t’i hedhim një sy fjalëve të fundit të Davidit dhe vdekjes së tij.

Mbrapa

Advertisements