Depresioni shpirtëror

Nuk është e drejtë që besimtarët të thonë se janë thjesht ‘njerëz’, ndërkohë që ata kanë gjithashtu edhe një natyrë shpirtërore. E megjithatë, Perëndia e kupton dobësinë e njeriut. “Sepse ai e njeh natyrën tonë dhe nuk harron që ne jemi pluhur” (Psalmi 103:14). Psalmi 6-ë bën fjalë për këtë temë, si edhe për reagimet tona ndaj saj.

Emocioni

O Zot, mos më ndreq në zemërimin tënd dhe mos më dëno në zjarrin e indinjatës sate” (Psalmi 6:1).

Duhet të ndihemi fajtorë, kur mëkatojmë kundër Zotit. Kjo ndjenjë vjen si pasojë e punës së Frymës së Shenjtë në jetën tonë. “Dhe kur të ketë ardhur, ai do ta bindë botën për mëkat, për drejtësi dhe për gjykim” (Gjoni 16:8). E shohim, pra, se Zoti ndikon tek emocionet tona, sidomos kur e lëndojmë Atë dhe, nëse Ai lëndohet prej mëkatit tonë, atëherë edhe ne duhet të lëndohemi.

Davidi e kuptoi mirë se mëkati duhej ndëshkuar. “dhe keni harruar këshillën që ju drejtohet juve porsi bijve: “Biri im, mos e përçmo qortimin e Perëndisë dhe mos e humb zemrën kur ai të qorton, sepse Perëndia ndreq atë që do dhe fshikullon çdo bir që i pëlqen”. Në qoftë se ju do ta duroni qortimin, Perëndia do t’ju trajtojë si bij; sepse cilin bir nuk e korigjon i ati?” (Hebrenjve 12:5-7). E pranojmë se Perëndia na qorton me dashurinë e Tij, e jo me zemërim. Në fakt, e meritojmë zemërimin e Tij, por, ngaqë na ka fëmijët e Vet, Ai na trajton me mëshirë. “Në zemërim e sipër, kujtoje mëshirën” (Habakukut 3:2).

Efekti

Ki mëshirë për mua, o Zot; sepse jam i sfilitur nga e keqja; shëromë, o Zot, sepse kockat e mia po vuajnë. Edhe shpirti im po vuan shumë; po ti, o Zot, deri kur?” (Psalmi 6:2-3).    

Ndjenja e fajit ka ndikim në çdo pjesë të jetës sonë: në trupin, mendjen dhe shpirtin tonë. Një ndjenjë e tillë mund të na e dobësojë shëndetin tonë fizik, psikologjik dhe shpirtëror. Të shumtë janë ata, që janë në robëri, ngaqë nuk janë në gjendje ta pranojnë se janë fajtorë. Në fakt, Satanai iua ka transformuar fajin në gjykim e në ndëshkim. Sa më gjatë që të rrijë në një gjendje të tillë njeriu, aq më të vështirë do ta ketë që të çlirohet prej kësaj skllavërie. Çlirimi vjen, sapo personi e pranon se ka mëkatuar dhe se mëkati e ka bërë që të ndihet fajtor. “Stabilizoi hapat e mia sipas fjalëve të tua dhe mos lejo që asnjë paudhësi të më sundojë” (Psalmi 119:133). Ata që ndihen fajtorë, duhet të fillojnë të ecin përsëri sipas fjalës së Perëndisë, ose përndryshe do të ndihen të ndëshkuar e të gjykuar. “Tani, pra, nuk ka asnjë dënim për ata që janë në Krishtin Jezu, që nuk ecin sipas mishit, por sipas Frymës” (Romakëve 8:1). Mënyra më e mirë e të jetuarit është të jetuarit në mënyrë biblike.

Shembulli

Sillu nga unë, o Zot, çliroje shpirtin tim; shpëtomë, për hir të mirësisë sate. Sepse në vdekje nuk do të kujtoj njeri; kush do të të kremtojë në Sheol? Unë jam sfilitur duke psherëtirë; çdo natë e lag shtratin me vajin tim dhe bëj që të rrjedhin lotë mbi shtrojen time. Syri im ligështohet nga dhembja dhe plaket për shkak të tërë armiqve të mi” (Psalmi 6:4-7).

Davidi ndihej tepër i shqetësuar dhe shumë fajtor, ngaqë kujtonte se Perëndia e kishte braktisur. Një gjë të tillë thonë edhe ata, që mbajnë mbi supe barrën e fajit dhe të ndëshkimit. Merakosen se mos vdesin dhe mbeten përjetësisht të humbur, ndaj edhe vazhdimisht ndodhen në një gjendje të zymtë e të trishtuar. Kjo iua keqëson aq shumë shëndetin, saqë ndihen sikur jeta e tyre tani s’ka më vlerë.

Depresioni na e largon vëmendjen nga Perëndia dhe ia mbyll derën bekimeve të Tij. Mund të kemi shumë arsye pse ndihemi të depresionuar. Zakonisht, depresioni shkaktohet prej rrethanave të jashtme, të cilat nuk i kemi aspak nën kontrollin tonë. Por shpejt bëhemi më mirë, kur pushojmë e qetësohemi pak, apo kur e arsyetojmë jetën në mënyrë llogjike. Davidi përjetoi një depresion shpirtëror, që nuk mund të përmirësohej dot thjesht me fjalë të ëmbla. Një lloj depresioni i tillë mund të mundet vetëm nëpërmjet rrëfimit të mëkatit dhe besimit në Perëndinë. “Po t’i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi” (1 Gjonit 1:9). Një i krishterë nuk ka pse të gëlltitet prej depresionit shpirtëror.

Inkurajimi

Largohuni nga unë, ju të gjithë shkaktarë të padrejtësisë, sepse Zoti ka dëgjuar zërin e vajit tim. Zoti ka dëgjuar lutjen time; Zoti e ka pranuar lutjen time. Tërë armiqtë e mi do të shushaten dhe do të hutohen; do të kthejnë krahët dhe do të shushaten në çast” (Psalmi 6:8-10).

Duhet t’ia sjellim të gjitha problemet tona Zotit dhe, në të njëjtën kohë, duhet të kemi besim që t’ia lëmë ato Atij, e të mos i mbartim më mbi supe. “Dhe gjithë merakun tuaj hidheni mbi të, sepse ai merakoset për ju” (1 Pjetrit 5:7). Kjo nuk do të thotë se po e neglizhojmë faktin se jemi të dobët, sepse atëherë nuk do të jemi kurrë në gjendje t’iu shmangemi mëkateve, që na bëjnë të ndihemi si të mallkuar. Kemi një Perëndi, i Cili është plotësisht i mëshirshëm, aq sa nuk arrijmë ta kuptojmë dot mëshirën e Tij. “Është një hir i Zotit që nuk jemi shkatërruar plotësisht, sepse mëshirat e tij nuk janë mbaruar plotësisht. Përtëriten çdo mëngjes; e madhe është besnikëria jote… Por, në rast se të hidhëron, do t’i vijë keq sipas shumicës së zemërmirësive të tij” (Vajtimet 3:22-23, 32). Çlirimi na vjen atëherë, kur lutemi.

Në momentin që e drejtojmë fytyrën tonë ndaj Perëndisë, Ai na e ndryshon këndvështrimin nga trishtimi në gëzim. “Ti e ke kthyer vajtimin tim në valle; ma ke hequr grethoren dhe më ke mbushur me gëzim” (Psalmi 30:11). Në vend të shqetësimit na jep siguri. Na forcon, me qëllim që të jemi të fortë përpara tundimit dhe sprovës. “Që t’ju japë, sipas pasurisë së lavdisë së vet, të forcoheni me fuqi nëpërmjet Frymës të tij në njeriun e përbrendshëm, që Krishti të banojë në zemrat tuaja me anë të besimit, që, të rrënjosur dhe të themeluar në dashuri, të mund të kuptoni me të gjithë shenjtorët cila është gjërësia, gjatësia, thellësia dhe lartësia, dhe ta njihni dashurinë e Krishtit që tejkalon çdo njohuri, që të mbusheni me tërë plotësinë e Perëndisë” (Efesianëve 3:16-19). Ai ka për të na çliruar nga të gjitha problemet.                                

Përfundim

Kemi për të patur probleme nga më të ndryshmet, ngaqë jemi njerëz. “Por njeriu lind për të vuajtur, ashtu si shkëndija për t’u ngjitur lart” (Jobit 5:7). Por, kur ballafaqohemi me probleme, duhet t’i drejtohemi Atij, që ka mundësi të na ndihmojë. Shumica e problemeve tona vijnë si pasojë e të mos ndjekurit të Krishtit ashtu siç duhet. Si rezultat, ndihemi fajtorë dhe të ndëshkuar. Ilaçi i një sëmundjeje të tillë është një marrëdhënie e duhur me Zotin, që na jep forcë gjatë gjithë jetës.

Mbrapa

Advertisements