Dëshira e Davidit

“Ndodhi që, kur mbreti u vendos në shtëpinë e tij dhe Zoti i siguroi paqe nga të gjithë armiqtë që e rrethonin, mbreti i tha profetit Nathan: “Shiko, unë banoj në një shtëpi prej kedri, por arka e Perëndisë ndodhet poshtë një çadre”. Nathani iu përgjigj mbretit: “Shko, bëj gjithçka ke në zemër, sepse Zoti është me ty”.” (2 Samuelit 7:1-3).

Parathënie

Arsyeja kryesore e prurjes së Arkës së Zotit në Jeruzalem ishte vendosja e saj në një vend më të përhershëm sesa çadra, në të cilën ndodhej përkohësisht. Me kalimin e kohës, ashtu siç na thuhet edhe në hyrje të pasazhit të mësipërm, (shiko fjalën “ndodhi”), Davidit i lindi ideja, për të ndërtuar për hir të Perëndisë tempullin e parë të Izraelit. Edhe pse dëshira e tij nuk do të përmbushej plotësisht gjatë kohës që ai ishte gjallë, prapëseprapë e shohim se zemra e Davidit donte të bënte atë, që ishte më e mira për Zotin.

Mendimi

Davidi tanimë është bërë shumë i pasur, pak ndoshta ngaqë i ka mundur të gjithë armiqtë e Izraelit dhe iua ka marrë atyre pronat për vete, pak edhe ndoshta ngaqë, ashtu siç ndodhi edhe me Salomonin, Davidi i ka pranuar dhuratat miqësore, që i kanë dhënë kombet e tjera, me qëllim që ta kishte mirë me ta. Ishte aq i bekuar, saqë jetonte në paqe e qetësi në pallatin e tij mbretëror. Një qetësi e tillë, pa dyshim, i dha atij mundësinë për të reflektuar në faktin se sa shumë e kishte begatuar atë Perëndia, si edhe për të formuluar planin e tij, për ta falenderuar Zotin në një mënyrë të dukshme. Davidi thjesht edhe mund ta kishte lavdëruar veten dhe të kishte thënë me vete: “Pusho, ha, pi dhe gëzo” (Luka 12:19). Por “njeriu simbas zemrës së Perëndisë” kishte cilësi më të larta sesa të tjerët (1 Samuelit 13:14). E shohim, pra, se Davidi nuk ia bëri qejfin vetes, por përkundrazi e përqëndroi vëmendjen tek Ai, që e kishte bekuar.

Tani Davidi ishte mbret i një Izraeli të bashkuar dhe, si i tillë, ai ishte njeriu më i pushtetshëm në mbarë mbretërinë. Pa marrë parasysh vullnetin e Perëndisë, ai mund të kishte dhënë thjesht një urdhër për ndërtimin e tempullit, ashtu siç mund të kishte vepruar ndoshta edhe me ndërtimin e pallatit të tij mbretëror. Është e qartë se të paktë do të kishin qenë ata, që do t’i kishin dalë pengesë në këtë drejtim. Përkundrazi, shumica do ta kishin përgëzuar për një dëshirë të tillë të denjë. Një tempull i lavdishëm, i dedikuar Perëndisë së Izraelit, do ta bënte edhe më të famshëm si Davidin, ashtu edhe Jeruzalemin, ndaj edhe shumica e popullit do ta kishte hedhur votën në favor të ndërtimit të një tempulli të tillë.

Shqetësimi

Davidi, tek i hodhi një sy gjithë asaj, që Perëndia i kishte dhënë, e pa se nuk e kishte nderuar me të vërtetë Zotin për bekimet e Tij. “Eleganca dhe madhështia e pallatit të tij mbretëror binte në kontrast me tabernakullin e thjeshtë e të përkohshëm, në të cilin ndodhej Arka e Zotit dhe ky fakt ia shqetësonte mendjen Davidit” (Xhejmisën, Foset dhe Braun). Davidi donte që adhurimi dhe falenderimi i tij ndaj Perëndisë të ishte më i dukshëm e më i prekshëm. E shqetësonte shumë fakti, që Arka ndodhej në një vend të thjeshtë dhe ai s’e kishte vënë re këtë problem që më parë. “Nuk do t’i jap gjumë syve të mi as pushim qepallave të mia, deri sa të kem gjetur një vend për Zotin, një banesë për të Fuqishmin e Jakobit” (Psalmi 132:4-5). Davidi ishte i shqetësuar, ngaqë objekti që përfaqësonte praninë e Perëndisë, po ruhej në një çadër prej lëkure, ndërkohë që ai vetë ishte i mbrojtur prej shiut e erës, brenda një shtëpie të bukur. Dëshira e tij më e madhe ishte që ta shihte Perëndinë të nderohej me godinën më të mirë nga të gjitha. Më vonë, gjatë rindërtimit të tempullit, profeti Hagai iua preku zemrat njerëzve, duke iu thënë: “A është vallë për ju koha për të banuar në shtëpitë tuaja të mbuluara mirë, ndërsa ky tempull është ende i rrënuar?” (Hagai 1:4). Davidi donte ta përmirësonte gjendjen shpirtërore të popullit, prandaj edhe e solli Arkën e Zotit në Jeruzalem. Dëshira e tij për ndërtimin e një tempulli e vërtetonte edhe më shumë idealin e tij të lartë. Godinat në vetvete nuk mund të prodhojnë dot rritjen shpirtërore të njerëzve, edhe pse shumë burra dhe gra të perëndishme janë përpjekur për ta nderuar Perëndinë në këtë mënyrë. Por ky fakt na tregon se një zemër e tillë është e gatshme për ta pranuar bekimin e Zotit. Një përkushtim i madh sjell si pasojë një bekim të madh. “Ai që mbjell me kursim, do të korrë po me kursim; dhe ai që mbjell dorëhapur edhe do të korrë dorëhapur” (2 Korintasve 9:6)… “Mos u gënjeni: Perëndia nuk vihet dot në lojë, sepse ç’të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë” (Galatasve 6:7). Ka ikur koha, kur të krishterët ngrinin vende adhurimi për lavdinë e Perëndisë. Tani ata ngrenë kisha për lavdinë e doktrinave të tyre të ndryshme fetare. S’është për t’u habitur, pra, pse Zoti nuk po e bekon më Kishën e Tij!

Miratimi

Davidi ia shpjegoi shqetësimin e tij profetit Nathan. Kjo na vërteton se ai po kërkonte miratimin e Perëndisë, në vend që të nxitohej për t’i bërë realitet planet e veta për ndërtimin e tempullit. Edhe pse Nathani na përmendet këtu për herë të parë, ka mundësi që ai të ketë qenë me kohë këshilltari i mbretit, kur vinte puna tek çështjet shpirtërore. Davidi dhe Nathani duhet të ketë qenë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin. Davidi e nderonte Nathanin si lajmëtar të Perëndisë, ashtu siç do ta shohim edhe më vonë, kur ai qortohet prej Nathanit për mëkatin e tij (2 Samuelit 12). Nathani do të kishte një ndikim të madh edhe në mënyrën e të adhuruarit në tempullin e ardhshëm (2 Kronikasve 29:25). Ai gjithashtu e këshilloi mbretin, lidhur me vendin që duhej të zinte Salomoni si mbret i ardhshëm i Izraelit (1 Mbretërve 1). Për më tepër, ka të ngjarë që Nathani të ketë shkruar një përmbledhje të jetëve të Davidit dhe të Salomonit. “Trimëritë e mbretit David, si të parat ashtu dhe të fundit, janë shkruar në librin e shikuesit Samuel, në librin e profetit Nathan dhe në librin e shikuesit Gad” (1 Kronikasve 29:29)… “Pjesa tjetër e bëmave të Salomonit, nga të parat deri në të fundit, a nuk janë vallë të shkruara në librin e Nathanit, profetit” (2 Kronikasve 9:29). Davidi ishte shok i Nathanit, sepse Nathani e donte Zotin. “Unë jam shok i gjithë atyre që kanë frikë prej teje dhe i atyre që respektojnë urdhërimet e tua” (Psalmi 119:63)… “Kush shkon me të urtët bëhet i urtë” (Fjalët e Urta 13:20).

Nathani e pa se dëshira e Davidit ishte e mrekullueshme, por ai vetë kishte harruar një detyrë të rëndësishme – nuk i ishte lutur Perëndisë, për ta parë se cili ishte vullneti i Tij lidhur me këtë çështje. “Nathani u nxitua, duke e miratuar planin e Davidit, pa u konsultuar me Perëndinë. Si Davidi, ashtu edhe Nathani duhet t’i ishin lutur Perëndisë, lidhur me një çështje të një rëndësie kaq të madhe” (Gjon Uesli). Kjo na tregon se edhe njerëzit më të vajosur të Perëndisë mund ta kenë nganjëherë gabim, madje edhe lidhur me ato gjëra që mund të duken të ligjshme. S’ka dyshim se Nathani duhet të jetë habitur e entuziazmuar me dëshirën e madhe të Davidit, si edhe me idenë e themelimit të një vendi adhurimi ndaj Perëndisë. Por Nathani e pati gabim dhe shumë shpejt, gjatë po asaj nate tek flinte, do ta kuptonte se ç’këshillë të gabuar i kishte dhënë Davidit.             

Përfundim   

As dëshira e Davidit, as këshilla e Nathanit nuk ishin në vetvete të gabuara. Të dyja këto do të bëheshin realitet në të ardhmen. Por problemi qëndronte në faktin se ky nuk ishte vullneti i Perëndisë për mbretin David dhe ky fakt ishte shumë i rëndësishëm. Do ta shohim reagimin e Davidit ndaj këshillës së dytë të Nathanit në një studim të ardhshëm, por, për momentin, e shohim se sa e rëndësishme është që t’i lutemi Perëndisë, për ta kuptuar e për ta ditur vullnetin e Tij në çdo fushë të jetës sonë.    

Mbrapa

Advertisements