Dëshirë e flaktë

“Lum ata që janë të uritur dhe të etur për drejtësi, sepse ata do të ngopen” (Mateu 5:6). “Prandaj po ju them: Të gjitha ato që ju kërkoni duke lutur, besoni se do t`i merrni dhe ju do t`i merrni” (Marku 11:24).

Parathënie
Ai i krishterë që i jep vendin e parë Perëndisë në jetën e tij, ka një dëshirë të madhe për të patur një shpëtim të plotë. Ai dëshiron me gjithë zemër që të ketë lirinë dhe gëzimin e Krishtit, dhe këto gjenden tek ata që i kanë vënë si synim vetes një jetë të shenjtëruar.

Dëshiro dhe kërko
Tek Luka 11, Zoti Jezus Krisht flet për dhuratën e bekuar të Frymës së Shenjtë, por para se ta japë këtë premtim, Ai tregon shëmbëlltyrën e një djali të uritur. “Dhe cili nga ju është baba i tillë që, po t`i kërkojë bukë djali, i jep një gur? Ose po t`i kërkojë një peshk, në vend të peshkut i jep një gjarpër? Ose, po t`i kërkojë një vezë, i jep një akrep?” (Luka 11:11-12).

Djali nuk kërkoi gjëra të shtrenjta, por thjesht bukë, një domosdoshmëri e jetës. Shumë njerëz merakosen për gjërat që janë më të parëndësishmet në këtë botë: lluksi, kënaqësia dhe pasuria. Si besimtarë, ne dëshirojmë atë që është më e rëndësishmja, d.m.th. të ecim siç eci Krishti në këtë botë. “Sepse për këtë ju u thirrët, sepse edhe Krishti e vuajti për ne, duke ju lënë një shembull, që të ecni pas gjurmës së tij” (1 Pjetrit 2:21)… “Ai që thotë se qëndron në të, duhet të ecë edhe vetë sikurse ka ecur ai” (1 Gjonit 2:6).

A jemi aq shumë të uritur?
Dëshira më themelore e të gjitha gjallesave është ushqimi (të ushqyerit). A kemi uri dhe etje për drejtësinë e Perëndisë? (Mateu 5:6). Nëse po, atëherë s’ka dyshim se do të ngopemi.

A shkrihet shpirti ynë për një jetë të mbushur me praninë e Perëndisë, me jetë, gëzim dhe paqe? A mund të thërrasim së bashku me Davidin: “Shpirti im dëshiron me zjarr dhe shkrihet për oborret e Zotit; zemra ime dhe mishi im i dërgojnë britma gëzimi Perëndisë të gjallë” (Psalmi 84:2)?
A e kërkojmë dhe e dëshirojmë shpëtimin e plotë dhe të gëzueshëm në Krishtin? Nëse jo, duhet ta kërkojmë patjetër!

Përfundim
Kishat tona janë të mbushura plot me anëtarë, që kritikojnë, janë zemër-gurë, nuk falin, por mbajnë mëri. Ngado që hedhim sytë, shohim mëkat, paperëndishmëri dhe të ndjekurit pas botës; askush nuk shqetësohet për këtë gjë. S’ka dyshim që duhet të kthehemi tek “dashuria [jonë] e parë” dhe duhet të “bëjmë veprat e para” (Zbulesa 2:4-5). Duhet të kemi një dëshirë për të qenë të shenjtë, dhe jo të kënaqim vetveten dhe të largohemi nga rruga e Perëndisë.

E gjitha kjo varet nga sa të thellë (të flaktë) e kemi dëshirën tonë për Zotin. 

Mbrapa

Advertisements