Dëshmia e Dhiatës së Re

“Tani shpirti im është i tronditur dhe çfarë të them: O Atë, më shpëto nga kjo orë? Por për këtë unë kam ardhur në këtë orë” (Gjoni 12:27).

Parathënie
Është Dhiata e Re ajo që e paraqet vdekjen sakrifikuese të Jezus Krishtit si doktrinën më të rëndësishme të besimit tonë. Nga të gjitha fetë (besimet) e tjera të kësaj bote, vetëm Krishtërimi ka një shlyerje faji (ose pajtimi), baza e të cilit është jeta, vdekja dhe ringjallja e themeluesit të këtij besimi. Në këtë studim, do t’i hedhim një vështrim të shkurtër shlyerjes së fajit nën dritën e Dhiatës së Re. Do të flasim më gjatë mbi këtë çështje edhe në studimet e ardhshme.

Çmimi për shpengim
Arsyeja kryesore e ardhjes së Krishtit në këtë botë ishte kjo: Që Ai, si njeri, të vuante agoninë e kryqit për mëkatarët. Ka edhe shumë arsye të tjera për ardhjen e Tij, por asnjëra prej tyre nuk do të kishte vlerë, nëse Krishti nuk do të kishte vdekur si Mesia (Gjoni 12:27). Roli i Tij qëndror ishte roli i Shpëtimtarit, që vuajti dhe dha jetën e Vet si pagesë për mëkatin. “Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin e shumë vetave” (Marku 10:45).

Çmimi për shpengim ishte një ide e njohur në traditën izraelite. Në Dhiatën e Vjetër, çmimi i shpengimit ishte ajo pagesë që i jepej Perëndisë si shpengim për jetën e fëmijës së parëlindur (Levitiku 25:25; Numrave 18:15). Për ne, ky është çmimi që pagoi Krishti për të blerë shpëtimin tonë. Duhet vënë re se ne e hedhim poshtë teorinë, që thotë se çmimi i shpengimit iu pagua djallit, në mënyrë që ai të çlironte mëkatarin nga tutela e tij. Meqënëse në Dhiatën e Vjetër çmimi i shpengimit bën fjalë drejtpërsëdrejti për Krishtin, duhet ta pranojmë gjakun e Tij si pagesë para Perëndisë.

Ajo që mësoi Pjetri
Vdekja e Krishtit ishte në qendër të teologjisë (mësimit) të Pjetrit, sepse ai e paraqet gjakun e Krishtit si të vetmin mjet të shpëtimit personal. “Të zgjedhurve sipas paranjohjes së Perëndisë, Atit, me anë të shenjtërimit të Frymës, për t’u bindur dhe për t’u spërkatur me gjakun e Jezu Krishtit… duke ditur se jo me anë gjërash që prishen, si argjendi ose ari, jeni shpenguar nga mënyra e kotë e të jetuarit të trashëguar nga etërit, por nga gjaku i çmuar i Krishtit, si të Qengjit të patëmetë dhe të panjollë” (1 Pjetrit 1:2, 18-19; shiko gjithashtu Veprat e Apostujve 3:12-26). Për Pjetrin, vdekja e Krishtit ishte vepra e Qengjit të pafajshëm të Perëndisë, vepër e qartë, çlirimtare dhe që u krye në vend të mëkatarit. “Sepse edhe Krishti ka vuajtur një herë për mëkatet, i drejti për të padrejtët, për të na çuar te Perëndia. U vra në mish, por u ngjall nga Fryma” (1 Pjetrit 3:18).

Ajo që mësoi Gjoni
Nuk duhet të habitemi, po të shohim se edhe Gjoni gjithashtu e përshkruan Zotin Jezus Krisht si të vetmin Shpëtimtar. Ai e portretizon Krishtin si të vetmen rrugë rilindjeje dhe pastrimi. Në librin e Zbulesës, Krishti shihet si Qengji sakrifikues, që e pastron mëkatarin nga çdo mëkat (Zbulesa 5:6-12; 7:10; 21:23). Ky lloj mendimi vihet re qartësisht edhe në ungjillin e Gjonit (Gjoni 1:29, 36; 12:32; 10:11-15). Në letrën e tij të parë, Gjoni përdor fjalën e fuqishme “shlyes për mëkatet”, për të shpjeguar atë që kreu Krishti mbi kryq (1 Gjonit 2:2). Kjo fjalë mund të përkthehet ‘vendi pajtues mbi arkën e tabernakullit’ dhe ka kuptimin e sakrificës, që shleu mëkatin tonë dhe largoi zemërimin e Perëndisë prej nesh (shiko Eksodi 25:17-22). Xhon Uellsi ka shkruar: “Sa i madh të jetë mëkati, aq i madh është edhe vendi pajtues”. Ky pajtim, jo vetëm që e largon zemërimin e Perëndisë, ai gjithashtu tregon edhe dashurinë e Tij të madhe (Gjoni 3:16; 1 Gjonit 3:16; 1 Gjonit 4:10).

Ajo që mësoi Pali
Mësimet e Palit ishin të bazuara fuqimisht në shlyerjen e fajit. Në shkrimet e tij, e shohim mëkatarin si të humbur plotësisht, të skllavëruar, të pashpresë dhe fajtor. Ai (mëkatari) është shpirtërisht i vdekur dhe meriton ndëshkimin më të rëndë nga Perëndia. E megjithatë, Pali e paraqet Krishtin si Çlirimtarin, Justifikuesin, Shenjtëruesin dhe Shpëtimtarin tonë. Jezus Krishti erdhi për të anulluar fuqinë e mëkatit në jetën e atyre, që i besojnë Atij (shiko Romakëve 7 dhe 8). Kudo që të lexojmë në letrat e Palit, do të vërejmë se shlyerja e fajit dhe pasojat e saj janë paraqitur me qartësi nga vetë ai (Romakëve 3:25; 5:6, 9; 2 Korintasve 5:15, 19, 21; Hebrenjve 9:14, 26).

Përfundim
Mëkati, ashtu siç shihet edhe në të dyja Dhiatat, e ka larguar njeriun nga Perëndia dhe është e pamundur që njeriu ta gjejë vetë rrugën për t’u kthyer përsëri tek Zoti. Vdekja e Krishtit ishte e vetmja mënyrë, me anë të së cilës mëkatari që pendohet, mund të gjejë falje para Zotit. Gjaku i Krishtit e anullon mallkimin, na pastron nga mëkati, na çliron nga faji dhe ndëshkimi, dhe na jep liri të përsosur për të patur miqësi me Perëndinë. Ajo që duhet të bëjmë ne është që ta pranojmë me besim veprën e Krishtit për ne. Perëndia nuk do që të mallkohet e të vdesë qoftë edhe një shpirt i vetëm: “Zoti nuk vonon plotësimin e premtimit të tij, siç disa besojnë që ai bën; por është i durueshëm ndaj nesh, sepse nuk do që ndokush të humbasë, por që të gjithë të vijnë në pendim” (2 Pjetrit 3:9).

Mbrapa

Advertisements