Dëshmia e Dhiatës së Vjetër

“Dhe sipas ligjit, gati të gjitha gjërat pastrohen me anë të gjakut; dhe pa derdhur gjak nuk ka ndjesë” (Hebrenjve 9:22).

Parathënie
Nga ana shpirtërore, Dhiata e Vjetër nuk do kishte kuptim, nëse nuk do të egzistonte një mundësi për mëkatarin për t’iu afruar Peërndisë përmes një flijimi pajtues. Në qendër të besimit në Dhiatën e Vjetër qëndronte siguria se flijimet ku derdhej gjak, i mbulonin mëkatet, duke bërë të mundur kështu që mëkatari t’i afrohej një Perëndie të shenjtë. Në kohën e Dhiatës së Vjetër, egzistonte një mirëkuptim i përcaktuar lidhur me domosdoshmërinë e shlyerjes së mëkatit. Ky mirëkuptim reflektohej si në njohurinë e fajit në ndërgjegjen e personit, ashtu edhe në njohurinë e pasojave të mëkatit në marrëdhënien e një individi me Perëndinë.

Gjaku
Nuk kishte ndjesë (pajtim), pa u derdhur gjaku i kafshëve të pastra nga ana ceremoniale (Hebrenjve 9:22). Gjaku i një kafshe përfaqësonte faktin se jeta e dikujt tjetri, që ishte i pafajshëm, po sakrifikohej në mënyrë që një mëkatar fajtor të çlirohej e të falej (Levitiku 17:11-14). E përdorim fjalën ‘i pafajshëm’, për arsye se kafsha duhej të ishte ‘pa të meta’ (Eksodi 12:5). Apostulli Pjetër e përdor këtë fakt për të ilustruar Krishtin, që s’kishte asnjë mëkat (1 Pjetrit 1:19).

Festa e Pashkëve na tregon shumë gjëra lidhur me kuptimin e ‘shlyerjes së mëkatit’. Viktima zinte vendin e mëkatarit (Levitiku 1:4; 3:2; 8:13; 4:4, 15, 24, 29; 16:21). Personi duhej ta pranonte se ai ishte me të vërtetë fajtor, në mënyrë që gjaku të shlyente fajin.
Qëllimi i këtij rituali shihet qartë në disa vargje biblike. Tek Levitiku 16:30, ky ritual bëhej për pastrimin e të gjitha mëkateve. Pasazhe të tjera vënë në dukje se ky pastrim sillte si rezultat shpëtimin e jetës së mëkatarit (Levitiku 17:11). Një rezultat tjetër i rëndësishëm ishte rregullimi i një marrëdhënieje të pastër me Perëndinë, sepse shlyerja e fajit kishte vlerë për të gjitha papastërtitë dhe të gjithë rebelimin e Izraelitëve, pa marrë parasysh ç’lloj mëkati kishin kryer ata (Levitiku 16:16). Në këtë mënyrë, mëkatari bëhej një me Perëndinë në dlirësi, nëpërmjet flijimit pajtues për mëkatet.

Shenjtëria e Perëndisë
I gjithë sistemi i flijimit, ashtu siç përshkruhet edhe në Dhiatën e Vjetër, ishte krijuar nga Perëndia për të realizuar katër qëllime:

1.  Për të zbuluar se Ai ishte i shenjtë.
2.  Për të zbuluar se njeriu nuk ishte i shenjtë, por mëkatar.
3.  Për të zbuluar se njeriut i duhej dikush tjetër që ta shpëtonte.
4.  Për të treguar se Perëndia ishte i gatshëm për ta falur mëkatarin,  jo në bazë të detyrës fetare të tij, por në bazë të një zëvendësi të pafajshëm.

Dhiata e Vjetër e tregon qartë se ofertat (flijimet) në vetvete nuk e shlyejnë mëkatin, por është vetëm hiri i Perëndisë, që e shlyen fajin (Psalmi 51:16-17; Hosea 6:6; Mikea 6:6-8).

Nga ana profetike
Kapitulli 8 i Hebrenjve e sqaron mirë se si sistemi i flijimit në Dhiatën e Vjetër nuk ishte i mjaftueshëm për ta hequr (larguar) mëkatin dhe për ta falur personin përpara Perëndisë. Duhej të krijohej një besëlidhje e re dhe më e mirë, që të bazohej në një flijim të përsosur. Ky Qengj nuk do të ishte një kafshë, që nuk kujdesej për mëkatarin, apo një kafshë, që e flijonin me detyrim. Ky Qengj do të ishte vetë Biri i Perëndisë, i cili, me vetëdashje, do ta flijonte jetën e Tij për të gjithë njerëzit (Isaia 53).

Përfundim
Shlyerja e fajit në Dhiatën e Vjetër kishte si qëllim që t’i tregonte popullit të Perëndisë se ata s’mund ta çlironin vetë vetveten. Shlyerja e fajit i përgatiste ata për ardhjen e Mesias, në mënyrë që, kur Ai të vinte dhe të vdiste mbi kryq, ata ta kuptonin shlyerjen e fajit në Dhiatën e Vjetër. Në fakt, vetëm ata që besojnë në Krishtin i kuptojnë flijimet e Dhiatës së Vjetër, që janë të vështira për t’u kuptuar. Vetëm ata që besojnë tek Krishti, e shohin se këto flijime bëjnë fjalë për Krishtin.   

Mbrapa

Advertisements