Dëshpërimi i Davidit

“Dhe Absalomi ka ikur”. Ndërkaq i riu që bënte roje ngriti sytë, shikoi, dhe ja, një turmë e madhe njerëzish vinte nga rruga prapa tij, nga ana e malit. Jonadabi i tha mbretit: “Ja bijtë e mbretit që po vijnë! Gjendja është pikërisht ashtu siç tha shërbëtori yt”. Sa e mbaroi fjalën, arritën bijtë e mbretit, të cilët e ngritën zërin dhe filluan të qajnë; edhe mbreti dhe tërë shërbëtorët e tij filluan të qajnë me të madhe. Absalomi kishte ikur dhe kishte shkuar te Talmai, bir i Amihudit, mbret i Geshurit. Davidi mbante zi çdo ditë për birin e tij. Kështu Absalomi ia mbathi dhe shkoi në Geshur, ku qëndroi tre vjet. Mbreti David dëshironte të shkonte te Absalomi, sepse ishte ngushulluar tanimë nga vdekja e Amnonit” (2 Samuelit 13:34-39).

Parathënie

Në tekstin e mësipërm, na thuhet tre herë se Absalomi ia mbathi (iku) nga skena e vrasjes së Amnonit, si për të na treguar sesa e rëndësishme ishte kjo ngjarje në jetën e Davidit. Vdekja e Amnonit dhe largimi i Absalomit i shkaktuan një hidhërim shumë të madh Davidit. Është e qartë se, pavarësisht nga serioziteti i mëkatit që kishin bërë dy bijtë e tij, prapëseprapë Davidi i deshte fëmijët e vet dhe ndoshta e teproi dashurinë, duke i llastuar.

Shikimi

Davidit iu turbullua jeta prej lajmit se Absalomi ia kishte vrarë të gjithë bijtë. Por njeriu, që bënte roje në pallatin mbretëror, i tha se po shikonte një turmë njerëzish, që po i afroheshin. Jonadabi e dinte se ç’kishte për të ndodhur në vazhdim, ndaj edhe duhej të ketë qenë shumë i kënaqur, kur i deklaroi mbretit kthimin shëndoshë e mirë të bijve të tij. Në fakt, Jonadabi e mburri veten se ishte gjoja në gjendje ta parashikonte ardhjen në shtëpi të të gjithë bijve të Davidit, me përjashtim të Amnonit. Por, duke e ditur karakterin e tij të ligë, ne mund ta marrim me mend se ai thjesht po mundohej t’i bënte lajka Davidit, me qëllim që mbreti ta ngrinte në pozitë.

Vajtimi

Edhe pse Davidi do të ketë qenë tepër i gëzuar, kur i pa të bijtë, prapëseprapë ai ishte i hidhëruar për vdekjen e Amnonit. Të gjithë – Davidi, bijtë e tij, si edhe shërbëtorët, vajtuan për Amnonin. Shumë lotë ishin derdhur, qëkur Davidi kishte mëkatuar me Bathshebën. Ajo vetë kishte vajtuar për vdekjen e të shoqit, Uriahut. Davidi kishte vajtuar për sëmundjen e djalit të tij të parëlindur. Tamara, e bija, kishte vajtuar për humbjen e nderit të saj. Kurse tani, e tërë familja mbretërore vajtoi për Amnonin. Mëkati, pra, iu kishte sjellë vetëm mjerim të gjithë atyre, që kishin lidhje me Davidin.

Dëshira

Absalomi ia mbathi për në Geshur, një principatë e vogël në veri të Izraelit, në Siri. Prej këtej i kishte ardhur edhe e ëma, Maakahu. Ajo ishte princeshë, bija e mbretit Talmai. Ky pra, ishte vendi më i mirë për Absalomin, që ta kalonte syrgjynimin e tij të vetë-impozuar, ngaqë e dinte se Davidi nuk do të mundohej për të shkuar atje e për ta kthyer në shtëpi. “Davidi, gjatë kohës kur përndiqej prej Saulit, e kishte sulmuar ashpër Geshurin, duke e marrë me vete si pronë të tij, me sa duket, Maakahun, bijën e mbretit të Geshurit” (Nga komentimi që i bën Biblës autori Skoufilld).

Mungesa e Absalomit ia shtoi edhe më shumë hidhërimin babait, ngaqë Davidit tani do t’i ishte dukur sikur profecia e Nathanit po bëhej realitet. Ai ishte në prag të humbjes së të gjithëve dhe të gjithçkaje, që ishte e dashur për të. “Kështu, pra, shpata nuk do të largohet kurrë nga shtëpia jote, sepse ti më ke përçmuar dhe ke marrë gruan e Hiteut Uriah si bashkëshorten tënde”. Kështu thotë Zoti: “Ja, unë do të sjell kundër teje fatkeqësinë nga vetë shtëpia jote, dhe do t’i marrë gratë e tua para syve të tu për t’ia dhënë një tjetri, që do të bashkohet me to ditën” (2 Samuelit 12-10-11).

Davidi e kishte zemrën plagë, për shkak të vdekjes së Amnonit dhe të largimit të Absalomit. Për tre vjet me rradhë, ai dëshironte të shkonte në Siri, për t’i thënë të birit që të kthehej, por e dinte se nuk mund të vepronte dot kështu. Gjon Uesli shkruan: “Ç’dobësi e mahnitshme qe kjo! Në fillim, Davidit nuk i bëhej zemra, që ta ndëshkonte mëkatarin (Amnonin) për trajtimin e keq të së motrës (Tamarës). Kurse tani, i bëhej zemra, që ta pranonte krahëhapur vrasësin e të birit (Absalomin)! E si të mund t’ia falim Davidit mëkatet e Eliut, i cili i nderoi bijtë e vet, më shumë sesa Perëndinë?”    

Përfundim

Gjithçka që kishte ndodhur, që prej përdhunimit të Tamarës, kishte sjellë si rezultat çthurjen e familjes së Davidit. Atij i duhej ta paguante një çmim të tillë për krimin, që kishte bërë vetë dikur. Ia kishte prishur harmoninë familjes së dikujt tjetri, duke e vrarë Uriahun e duke mos i dhënë atij mundësi të kishte fëmijë. Amnoni i vodhi së motrës nderin dhe të ardhmen, ngaqë ajo kurrë nuk do të mund të martohej më e të kishte fëmijë. Davidi iu dha urdhër ushtarëve të tij, që ta planifikonin vdekjen e Uriahut. Absalomi iu dha urdhër shërbëtorëve të vet, që t’ia vrisnin të vëllanë. E pyesim veten, pra, nëse Davidi e kuptoi dot vallë, apo jo, se mëkatet e të bijve ishin kopje e mëkateve të tija?

Mbrapa

Advertisements