Devocioni i Jozefit

Gjatë periudhës së Krishtlindjeve, vëmendjen zakonisht e përqëndrojmë tek lindja e Jezusit në një grazhd në Betlehem. Por një personazh tjetër, që lihet mënjanë në këtë histori, është edhe Jozefi. Vërtet mund të mos dimë shumë gjëra rreth këtij njeriu, që “e pandehnin” si babai i Jezusit (Luka 3:23), por le t’i hedhim një sy Biblës, për ta parë se ç’na thotë ajo rreth tij.

Karakteri i Jozefit

Jozefi ishte “bir i Elit” nga fisi i Judës (Luka 3:23). Prejardhjen e kishte, pra, nga familja mbretërore e Izraelit, ngaqë ishte “bir i Davidit”. Por Luka na thotë se pema familjare e Jozefit i kishte rrënjët tek vetë Adami. Është me rëndësi për t’u theksuar fakti se Jozefi  ishte “i shtëpisë dhe i familjes së Davidit” (Luka 2:4), sepse kjo na tregon se venat e tij kishin gjak mbretëror! Me përjashtim të Jozefit, në Dhiatën e Re, titulli “Bir i Davidit” i jepet vetëm Jezusit, ngaqë të dy, Maria dhe Jozefi e kishin prejardhjen prej familjes së Davidit. Prandaj edhe Jozefit i duhej të udhëtonte së bashku me familjen e vet për në Betlehem, në qytetin e Davidit, për t’u regjistruar.

Na thuhet se Jozefi ishte një njeri i drejtë. “Atëherë Jozefi, i fejuari i saj, i cili ishte njeri i drejtë dhe nuk donte ta poshtëronte botërisht, vendosi ta linte fshehtas” (Mateu 1:19). Fjala “i drejtë” nënkupton faktin se ai ishte sa i ndershëm, aq edhe i përkushtuar ndaj shenjtërisë së Perëndisë. Edhe biznesin e vet të zdrukthëtarisë do ta kishte themeluar mbi parime të drejta. Në ato kohë, fjala “njeri i drejtë” përshkruante një njeri, që kishte frikë nga Perëndia dhe që zbatonte Ligjin e Moisiut. Ka të ngjarë që Jozefi t’i përkiste një sekti judenjsh, të quajtur “Anavim” ose “të varfërit”, të cilët ishin të përkushtuar për të jetuar një jetë të drejtë. Për këtë arsye, ai ishte aq në ankth, kur e mori vesh se e fejuara ishte shtatzënë. E donte shumë Marinë, por gjithashtu donte t’i bindej Perëndisë, ndaj thuri plan për ta prishur fejesën, pa e marrë vesh të gjithë se ç’kishte ndodhur, sepse pa dyshim që Marinë do ta vrisnin me gurë, po ta dinin se kishte mëkatuar. Maria i shpjegoi Jozefit se ç’i kishte thënë ëngjëlli Gabriel (Luka 1:26-35), por si mund ta besonte Jozefi një gjë kaq të pabesueshme?

Kriza e Jozefit

Tani lindja e Jezu Krishtit ndodhi në këtë mënyrë: Maria, nëna e tij, i ishte premtuar Jozefit, por para se të fillonin të rrinin bashkë, mbeti shtatzënë nga Frymën e Shenjtë” (Mateu 1:18). Koncepti i fejesës dhe i premtimit për martesë në Lindjen e Mesme i ngjante një kontrate të pathyeshme mes burrit dhe gruas. Në sytë e ligjit dhe të familjeve të tyre, këta të dy ishin tashmë të martuar, por nuk iu lejohej të jetonin së bashku si burrë e grua, deri në ditën e dasmës, në të cilën ata deklaroheshin të martuar përpara të gjithëve dhe burri e merrte dhe e çonte gruan e tij në shtëpinë, që i kishte përgatitur. Maria, pra, konsiderohej si gruaja e Jozefit – “Marinë si gruan tënde” (Mateu 1:20). Jozefi e mori vesh se Maria ishte shtatzënë, kur asaj s’i kishin mbetur edhe shumë javë për të lindur (Luka 2:5), ndaj edhe ai kishte të drejtë të shqetësohej.

Jozefi u trondit dhe u dëshpërua pa masë. Por Perëndia ndërhyri, duke i shpjeguar se ç’kishte ndodhur. “Por, ndërsa bluante me vete këto çështje, ja që iu shfaq në ëndërr një engjell i Zotit dhe i tha: “Jozef, bir i Davidit, mos ki frikë ta marrësh me vete Marinë si gruan tënde, sepse ç’është ngjizur në të është vepër e Frymës së Shenjtë. Dhe ajo do të lindë një djalë dhe ti do t’i vësh emrin Jezus, sepse ai do të shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre’’ E gjithë kjo ndodhi që të përmbushej fjala e Zotit, e thënë me anë të profetit që thotë: “Ja, virgjëresha do të mbetet shtatzënë dhe do të lindë një djalë, të cilit do t’i venë emrin Emanuel, që do të thotë: “Zoti me ne”’’(Mateu 1:20-23). Njerëzit mund të tallen me historinë e lindjes së Jezusit, por, po të ishte një histori e sajuar, atëherë pse është kaq e detajuar? Për shembull, Jozefit i thuhet të mos ketë frikë për ta marrë për “grua” Marinë, që është shtazënë prej Frymës së Shenjtë, ngaqë ajo është akoma “e virgjër”. Për më tepër, Isaia profetizoi për shekuj me rradhë rreth ardhjes së Mesias. “Prandaj vet Zoti do t’ju japë një shenjë: Ja, e virgjëra do të mbetet me barrë dhe do të lindë një fëmijë të cilin do ta quajë Emanuel” (Isaia 7:14). Dhe më në fund, Jozefit i kërkohet që ta pranojë këtë fëmijë si Birin e Perëndisë, Shpëtimtarin e botës dhe shfaqjen e vetë Perëndisë në formë trupore.

Jozefi u trondit shumë prej lajmit të Marisë, por tani u mahnit edhe më shumë prej asaj, që i tha Zoti. Si mund të reagonte ai ndaj një ëndrre kaq të jashtëzakonshme dhe një mesazhi kaq të mrekullueshëm? “Dhe Jozefi, si u zgjua nga gjumi, veproi ashtu siç e kishte urdhëruar engjëlli i Zotit dhe e mori pranë vetës gruan e tij; por ai nuk e njohu, derisa ajo lindi djalin e saj të parëlindur, të cilit ia vuri emrin Jezus” (Mateu 1:24-25). Perëndia zgjodhi, pra, burrin më të mirë për t’u bërë babai tokësor i vetë Birit të Tij, ngaqë Jozefi, “njeriu i drejtë” dhe i përkushtuar ndaj Zotit, veproi pikërisht ashtu siç u urdhërua. I dinte mirë pasojat e një mesazhi të tillë dhe ishte i gatshëm për t’iu bindur Perëndisë. Asnjë burrë tjetër nuk do ta mbante mbi supe një barrë të tillë, sidomos në ato kohë në Lindjen e Mesme. Fëmija Jezus e nderoi dhe iu bind Jozefit, këtij mbrojtësi tokësor, të vajosur prej vetë Perëndisë së Tij Atë (Luka 2:51). Jezusit kurrë nuk i erdhi turp të quhej “biri i marangozit” (Mateu 13:55).   

Përfundim

Jozefi është një personazh, që pothuajse harrohet fare në historinë e lindjes së Krishtit. E megjithatë, një histori e tillë nuk është e përfunduar pa Jozefin. Ai ishte një njeri, që vuajti një ankth të tmerrshëm shpirtëror, duke kujtuar se do ta humbiste gruan, që e donte dhe së cilës ia kishte premtuar jetën. Donte t’i bindej Perëndisë dhe të bënte atë që ishte e drejtë përpara Tij. Është mirë ta përqëndrojmë vëmendjen tek përkushtimi i Marisë ndaj Zotit, por le të mos e harrojmë edhe Jozefin, që u caktua dhe u vajos prej Perëndisë, për të luajtur një rol të rëndësishëm në ardhjen e Mesisë në botë. Historia e Jozefit na sjell ndërmend faktin se planet dhe qëllimet e Zotit mund të mos na duken në fillim si të llogjikshme, por më në fund ato janë të përsosura. Besimi ynë tek Zoti nuk varet vetëm thjesht nga ajo që besojmë, por nga fakti se sa të gatshëm jemi për të vuajtur për atë që besojmë. Jozefi ishte një njeri me besim të fortë, gati për t’iu bindur Zotit, edhe pse kjo bindje mund t’i shkaktonte vuajtje. Jozefi ishte një njeri i ndjeshëm ndaj udhëheqjes së Zotit, gati për t’iu bindur Atij, pavarësisht nga pasojat e mundshme. Edhe sot, Perëndia kërkon njerëz me karakter, si Jozefi, që ta ndjekin hap pas hapi Birin e Tij.

Mbrapa