Dhimbja e Davidit

“Pastaj i thanë Joabit: “Ja, mbreti qan dhe mban zi për Absalomin”. Kështu fitorja atë ditë u shndërrua në zi për të gjithë popullin, sepse populli dëgjoi atë ditë të thuhet: “Mbreti është i dëshpëruar për shkak të birit të tij”. Atë ditë populli hyri fshehurazi në qytet, ashtu si largohen fshehurazi dhe tërë turp ata që ia mbathin gjatë betejës. Mbreti kishte mbuluar fytyrën dhe bërtiste me zë të lartë: “O biri im Absalom, o Absalom, biri im, biri im!”. Atëherë Joabi hyri në shtëpi të mbretit dhe tha: “Ti sot mbulon me turp fytyrën e të gjithë njerëve që në këtë ditë shpëtuan jetën tënde, atë të bijve dhe të bijave të tua, jetën e bashkëshortes dhe të konkubinave të tua, sepse ti dashuron ata që të urrejnë dhe urren ata që të duan; sot ke treguar qartë që komandantët dhe ushtarët nuk kanë asnjë vlerë për ty; dhe tani kuptoj se, po të ishte gjallë Absalomi dhe ne të ishim këtë ditë të tërë të vdekur, atëherë do të ishe i kënaqur. Tani, pra, çohu dil dhe foli zemrës së shërbëtorëve të tu, sepse betohem në emër të Zotit se, po nuk dole, asnjeri nuk do të qëndrojë me ty këtë natë; dhe kjo do të ishte fatkeqësia më e madhe që të ka rënë që kur ishe i ri e deri më sot”. Atëherë mbreti u ngrit dhe u ul te porta; dhe kjo iu njoftua tërë popullit, duke thënë: “Ja, mbreti është ulur te porta”. Kështu tërë populli doli në prani të mbretit. Ndërkaq ata të Izraelit kishin ikur secili në çadrën e vet.” (2 Samuelit 19:1-8).

Parathënie

Kryengritja e dështuar e Absalomit dhe kthimi i Davidit në Jeruzalem nuk sollën si pasojë bashkimin e menjëhershëm të kombit, sepse, po qe se mbreti nuk do ta mblidhte veten, atëherë populli do t’i kundërvihej më shumë sesa ç’i ishte kundërvënë i biri. E kuptojmë arsyen e hidhërimit të madh të Davidit, por, në të njëjtën kohë, ata që e rrethonin, kujtuan sikur ai po e tepronte pak. U desh guximi i Joabit, që ta kthente mbretin përsëri në vete dhe ta inkurajonte, me qëllim që ta merrte përsëri nën kontroll udhëheqjen e kombit.

Turpi

Vendi duhej të kumbonte nga gëzimi, për shkak të fitores, që Davidi kishte korrur atë ditë. Por, përkundrazi, ai po vajtonte, ndërkohë që banorët e popullit u fshehën nëpër çadrat e tyre. “Jo si triumfator, por të turpëruar, nga frika se mos Davidi i shikonte me inat, ngaqë i kishin vrarë të birin” (Gjon Uesli). Askujt nuk ia mbante për të folur hapur rreth disfatës së shpejtë të Absalomit. Asnjërit nuk i bënte zemra ta përshkruante gëzimin që ndjente, ngaqë ishte kthyer shëndoshë e mirë në shtëpinë e vet. Reagimi i Davidit po i linte ata ta kuptonin se kishin bërë diçka të ligë, në një kohë që kishin qenë ata që ia kishin dhënë përsëri atij në dorë Jeruzalemin dhe fronin mbretëror. Kishin patur shpresë për t’u kthyer me gëzim në shtëpi, kurse tani po dëgjonin mbretin që po qante dhe rënkonte brenda dhomës së rojtarit të portës së qytetit.

Davidi, ndoshta pa qëllim, po tregohej mosmirënjohës ndaj atyre, që ishin treguar besnikë e që i kishin sjellë fitoren. Atë ditë, a nuk kishin vdekur, vallë, 20 mijë burra? Edhe sikur shumica e tyre të kishin qenë tradhtarë, prapëseprapë, a nuk ishin ata të gjithë izraelitë? Këta burra kishin qenë bijtë, vëllezërit dhe bashkëshortët e familjeve të Izraelit, kurse Davidi e kishte mendjen vetëm tek vdekja e të birit. Një reagim i tillë e inatosi dhe e zhdekurajoi popullin. E shohim, pra, se si dhimbja e Davidit po e keqësonte edhe më tepër situatën.

Fatmirësisht, Joabi e pa se ç’po ndodhte, ndaj edhe shkoi dhe e paralajmëroi Davidin për rrezikun që mund të vinte si rezultat i sjelljes së mbretit. Me pak fjalë, ai i tha Davidit se i gjithë populli ishte i mendimit se vajtimi i mbretit ishte jo vetëm i tepruar, por edhe i paturpshëm, sepse, duke mos e vlerësuar fitoren që kishte korrur ushtria, Davidi në fakt, po i hidhte poshtë ushtarët e tij trima e besnikë. E pse duhej të fshiheshin të turpëruar nëpër çadrat e tyre, në vend që të parakalonin krenarë e me ballin lart përpara të gjithëve? Pse të mos nderoheshin si fitimtarë e të dëgjonin gratë, tek iu këndonin këngë trimërie? Davidi duhet t’i kishte përshëndetur ushtarët e tij, kur u kthyen prej betejës, sepse, përndryshe, dukej sikur ai i donte më shumë armiqtë e vet, sesa miqtë e tij besnikë. Kjo, pa dyshim, nuk ishte e vërtetë, e megjithatë, ligjërata e ashpër e Joabit e bëri Davidin që ta merrte menjëherë veten.

Absalomi s’i kishte sjellë asnjëherë bekim Davidit, për sa kohë që ishte gjallë. Nga ana tjetër, miqtë e vet i kishin ndenjur afër në çdo situatë të vështirë, madje kishin sakrifikuar jetën për të. Ata kishin besim të madh tek ai, por tani po dukej sikur ai nuk po iu zinte më besë. Përsa kohë që mbreti ishte në një gjendje të tillë mendore, askush nuk ishte më i sigurtë për të ardhmen e kombit, sepse, po qe se ai do të vazhdonte të vajtonte kështu, pa pushim, nuk do të ishte më një udhëheqës i përshtatshëm.

Rrugëzgjidhja

Joabi nuk i dha Davidit këshillë, por urdhër, me qëllim që ta mblidhte veten, të mos mendonte aq shumë për atë që kishte humbur, por ta falenderonte popullin për fitoren. Po të mos vepronte kështu, atëherë ai nuk do të vuante më vetëm për humbjen e Absalomit, por edhe për humbjen e besnikërisë së tërë kombit. Duhej të ngrihej e t’iu thoshte se i donte, përndryshe ata do t’i largoheshin. Hidhërimi i Davidit po përhapej gjithandej, tamam si kanceri, ndaj edhe duhej shkatërruar menjëherë. “Thashethemet lidhur me gjendjen e dëshpëruar të mbretit u përhapën gjithandej, duke shkaktuar një hidhërim të pashpjegueshëm tek popullsia” (Nga komentimi që i bëjnë Biblës autorët Xhejmisën, Foset dhe Braun).

David veproi ashtu siç i tha Joabi. Shkoi dhe u ul në portën e qytetit, për t’i falenderuar të gjithë për guximin dhe besnikërinë, që kishin treguar. Pa dyshim, që i ngushëlloi edhe familjet e atyre, që kishin vdekur. Këto veprime të mbretit bënë që të gjithë të dilnin jashtë prej çadrave, ku ishin fshehur. Më në fund, pra, Davidi i bëri të buzëqeshnin, në vend që të ndiheshin të turpëruar.                

Përfundim                      

Atë ditë, Davidi korri shumë fitore. Kishte mundur Absalomin dhe e kishte mposhtur egoizmin e vet, duke i nderuar haptas ushtarët e tij. Pa dyshim që ishte ndjerë sa i hidhëruar, aq edhe fajtor, ngaqë e dinte mirë se e gjitha kjo kishte ardhur si rezultat i mëkatit të tij. Tani ai po e kuptonte se nuk mund t’i ndalonte dot pasojat e mëkatit dhe një njohuri e tillë do ta ndihmonte, që të funksiononte edhe më mirë si mbret i Izraelit. Fatmirësisht, e mblodhi veten, në vend që të tregohej egoist, duke u zhytur në hidhërim.

Mbrapa

Advertisements