Dhimbja fizike dhe vdekja e Tij

“Atëherë ai u tha atyre: “Shpirti im është thellësisht i trishtuar, deri në vdekje” (Mateu 26:38).

Parathënie
Jeta e Zotit Jezus Krisht në tokë ishte si përgatitje për vdekjen sakrifikuese të Tij mbi kryq. Agonia e Tij në Kopshtin e Gethsamenisë na tregon sadopak për trishtimin dhe vuajtjen që duroi Ai në vend të mëkatarëve. Dhimbja që provoi Krishti, mund të ndahet në katër aspekte. Këto do t’i studiojmë në dy pjesë.

Kryqëzimi
Shpesh supozohet nga besimtarët (pa qëllim të keq) se vuajtja fizike e Jezusit ishte më e rëndë sesa vuajtjet që kanë provuar njerëzit e tjerë në historinë e botës. Por faktet historike na tregojnë të kundërtën. Ka vdekje më të tmerrshme dhe që shkaktojnë më shumë dhimbje sesa kryqëzimi. Duhet të vëmë re se ushtarët iu a thyen kërcinjtë dy burrave të tjerë, që u kryqëzuan me Krishtin (Gjoni 19:32). Bibla nuk na thotë kurrë se Zoti vuajti më shumë sesa ndonjë njeri tjetër, por me këtë nuk duhet të kuptojmë se vuajtjet e kryqëzimit të Tij nuk ishin të tmerrshme. Kurrë nuk kemi për ta kuptuar plotësisht se çfarë provoi Krishti, nëse nuk arrijmë ta kuptojmë se si vuan trupi i njeriut kur kryqëzohet. 

Përveç dhimbjes së shkaktuar nga gozhdët, kryqëzimi shkaktonte vdekje të ngadalshme nëpërmjet marrjes së frymës. Krahët e shtrirë (të kryqëzuar) e tërhiqnin njeriun lart, duke bërë që ai të merrte frymë me vështirësi. Një lëvizje sado e vogël për të çliruar dhimbjen, shkaktonte vetëm dhimbje më të madhe. E meqënëse Krishtin e kishin rrahur me kamzhik, sa herë që Ai lëvizte, plagët hapeshin më shumë, tek takonin drurin e ashpër të kryqit. 
Seneka, një filozof romak (lindur në vitin 3 para Krishtit dhe vdiq në vitin 65 pas Krishtit) e ka përshkruar kryqëzimin si “një agoni e tejzgjatur” (Letra 101, Kapitulli 14). Kriminelët i linin të varur në kryq për ditë me rradhë, dhe pamja e tyre mbi kryq bëhej e pamundur për t’u shikuar qoftë edhe nga kalimtarët më zemërngurtë. Atëherë ushtarët ua thyenin kërcinjtë të kryqëzuarve, në mënyrë që të mos e mbanin më peshën e trupit, duke shkaktuar kështu që cipa e zemrës (ose perikardi) të mbushej me ujë, dhe vdekja të ishte e menjëhershme. 

Vdekja fizike e Jezusit
Krishti vdiq për mëkatet tona (1 Korintasve 15:3), por Ati nuk e lejoi Birin e Tij të provonte dhimbje dhe vuajtje të panevojshme. Vuajtja e Tij i plotësoi pikë për pikë kërkesat e Ligjit. Kjo do të thotë se zemërimi i drejtë i Perëndisë u shua plotësisht; asgjë tjetër nuk mund të realizonte më shumë sesa kaq. Kur Jezusi tha: “U krye!” (Gjoni 19:30), atëherë Ai nuk kishte ç’të bënte apo ç’të vuante më shumë për të shpëtuar mëkatarët.

Sakrifica e jetës së Tij të shenjtë ishte pagesa më e përsosur për të gjithë.
Zoti kishte kohë që kishte vdekur, kur romakët erdhën për t’i thyer kërcinjtë, në mënyrë që t’i kënaqnin Hebrenjtë (Gjoni 19:31-33). Kështu u përmbush profecia e vjetër që thoshte se asnjë prej kockave të Mesisë nuk do të copëtohej (Psalmi 34:20). Si rezultat, kjo tregoi gjithashtu se Ai ishte Qengji i përsosur i Perëndisë (Eksodi 12:46; Numrave 9:12; Gjoni 19:32; 1 Korintasve 5:7).
Ushtari romak ia tejshpoi brinjën Krishtit me heshtë, për t’u bindur se Ai kishte vdekur me të vërtetë. Ai tejshpoi kështu edhe cipën e zemrës (ose perikardin) e Tij, dhe si pasojë, nga kjo plagë u derdh gjak dhe ujë, që tregoi se Ai kishte vdekur (Gjoni 19:34). Është interesante të vërejmë se si Zakaria 12:10, ashtu edhe Psalmi 22:16, përdorin fjalën “shpuar” ose “therur”. Tek Zakaria 12:10, kjo fjalë do të thotë “Të tejshposh me heshtë apo me shpatë”, kurse Psalmi 22:16 do të thotë “të gozhdosh”. Për këtë arsye, Thomai do t’i jetë përjetë mirënjohës Zotit për veprimin që kreu ushtari (Gjoni 20:27-29). 
Në asnjë vend të Biblës nuk thuhet se Jezusi vdiq shpirtërisht.

Përfundim
Bibla nuk na i paraqet të gjitha detajet e llahtarshme të vdekjes së Zotit në kryq për një arsye: Perëndia do që ne ta përqëndrojmë vëmendjen tek ajo se përse vdiq Krishti dhe jo tek mënyra se si vdiq Ai. Ata që e keqkuptojnë kuptimin e vërtetë të kryqit, i thurin lavde agonisë së trupit dhe nuk dinë asgjë mbi rëndësinë e vdekjes së Krishtit. Mënyra e vdekjes së Tij i përmbushi profecitë, por arsyeja pse Ai u bë sakrifikim për mëkatet tona është ajo që i sjell shpëtimin shpirtrave tanë. Pa vdekjen e Tij fizike, vuajtjet e Zotit nuk do ta shlyenin kurrë mëkatin tonë. Shlyerja e fajit (e mëkatit) qëndron tek gjaku i Tij (1 Gjonit 2:2; Romakëve 3:25). 

Mbrapa

Advertisements